| E enjte, 03.02.2011, 07:02 PM |
 Janaq Pani
Janaq Pani
1.  TROKITI DIKUSH
 
Erdhi trokiti dikush
te dera ashtu butë-butë,
erdhi trokiti dikush
dhe isha shumë i sigurtë.
 
Sa ndjeva trokitjen e hapa,
majtas e djathtas jam sjellë
gjithçka ish fshehur nga nata
nga terri i saja i thellë.
 
Vetëm një brumbull pa vlera
doli nga vrima te muri,
një klithmë zogu era
nga terri i natës ma pruri.
 
Erdhi dhe kënga e bulkthit
dhe pika e vesës që shket
dhe malli për ata që mërguan
kët' mbrëmje vjen e troket...
 
2. POSTJERI
 
Postjeri shtat imët
me këmishë pa jakë
po më sjell një shpresë
që e mban në çantë.
 
Ky postjer shpirtmirë
më ngjan me pëllumb,
troket në çdo derë
e rrugën s'e humb.
 
Zgjatin rrugët, zgjatin
ai s'di të ndalë,
që larg ia ndjej hapin
të lodhur si kalë.
 
Me zarf ia sjell babit
dhe faturat varg
që i çojnë mornica
sa i sheh nga larg.
 
E ndodh nganjëherë
si hutaq unë rri
kur më thotë postjeri:
"Sot s'kam gjë për ty."
 
3. NJË XHUXHMAXHUXH
 
Një xhuxhmaxhuxh takoj një herë
që rrinte qetë nën një zambak
dhe iu drejtova:"O mik i mjerë
mbete i vogël, rritu dhe pak."
 
M'i nguli sytë si shkrepëtima
më shigjetoi ca me habi:
"Jam kaq i madh për veten time,
për veten tënde sa ç'je dhe ti!"
 
4. ËNDRRAT E GJYSHIT
 
Ç'ndjej në shpirt, kur bie nata
sa mbyll sytë më bëhen ëndërr,
gjyshi ëndrrave u ve flatra
kur ti m'i dhuron, o zemër.
 
Nipçe, dhurtomë nganjëherë,
me ato flatra gjyshi yt
ndihet si një zog në erë
me ty bashkë qiejt i ngjit.
 
5. BISEDË ME BLETËN
 
"Vogëlushe e vogël-o
çfarë shkruan në fletore?
Pa ia nis e ma lexo..."
Më tha bleta punëtore.
 
"Me çdo vjershë që thurr për nënën,-
më tha bleta gjithë gëzim,-
ia ke ëmbëlsuar zemrën
dhe më shumë se mjalti im."
 
6.  LISI DHE RRUFEJA
 
Të lartit lis atje në breg
i tha rrufeja:"Do të të djeg!"
I gjegjet lisi:"Unë e kam pritë
që do shkrumbohem ndoshta një ditë,
ndaj thellë e thellë rrënjët i shtrij
jetën sërish ta përtërij,
e jam këtu me farë e fis,
ku digjem unë, del një filiz.
 
7. VJERSHË PËR VOGËLUSHIN
            ANTUAN
 
Rritu, rritu Antuan
si ty gjyshi s'gjen kurkund,
herë i ngjan si tulipan,
herën tjetër si pëllumb.
 
Po pëllumba e tulipanë
vlerën tënde kurrë s'e kanë,
sot e mot, për gjyshin ti
je i tëri ëmbëlsi.
 
Unë, shoku i gjyshit tuaj
këtë vjershë të frymëzuar
ja, u ula që ta shkruaj
zemrën plot për të uruar:
 
"Gëzuar, ëngjëll, gëzuar!"
 
Janaq Pani, Toronto