Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Remzi Limani: Arti i avancuar i Faik Krasniqit

| E enjte, 03.02.2011, 08:57 PM |


ARTI I AVANCUAR I FAIK KRASNIQIT

 

(Ekspozitë personale e artistit, Faik Krasniqit, e çelur në Galerinë e Arteve të Kosovës)

 

Vepra e Faik krasniqit dhe vetëdia e kultivuar për të bukurën figurative, janë një stad të së përkryeres të një procesi mental, ku mendja e artistit nuk rrjedh nga ndjenja e rreme materiale sa për të krijuar… Në këtë kuptim, arti i Krasniqit, është rrjedhë e kohës nga ndjenja e vërtetë për të krijuar të bukurën artistike – si produkt i arrirë nga mendja dhe inercioni kreativ, për të krijuar atë e cila quhet art.

 

Nga Remzi Limani

 

Arti i lindur qëmoti dhe i kultivuar nga dora e sigurt e artistit tonë, Faik Krasniqi, edhe kësaj radhe na dëshmoi pjekurinë dhe mjeshtërinë e tij kreative prej një artisti të vërtet. Këtë aksiomë, na dëshmojnë dyzetë e katër pikturat e tij, pa dyshim, vepra cilësore të prezantuara pa asnjë drojë – si dhurata ndër më të çmuarat për artdashësit kosovarë.

 

Krijimtaria artistike e pedagogut universitar dhe krijuesit figurativ, në lëmin e pikturës, lë të kuptojmë  dhe vë në pah konsistencën figurative, si pjesë përbërëse e një lidhshmërie dhe qasje drejt artit modern, të veshur me vlerat dhe frymën fragmentale të etnosit tonë nëpër kohë dhe hapësira të ndryshme etnografike. Kjo qasje poetike e shkrirë në tablotë figurative na japin timbre ngjyrash të veçanta plot muzikalitet – ku ashpërsia e të shprehurit artistik, ëmbëlsia poetike dhe ngrohtësia na japin ngjyrat dhe zërin e tingujve – të ngjashëm me muzikën e punuar  nga kompozitorët e mëdhenj të muzikës klasike.

Së këndejmi, shtjellimi dhe materializmi figurativ i formave gjeometrike në hapësirat pikturale tek Faiku, na japin një tërësi harmonike, të lojës dhe lidhjes së formave të ndryshme, të cilat frymojnë dhe korrespondojnë natyrshëm pa u penguar njëra me tjetrën, që në fakt, kultivojnë dhe mbajnë baraspeshën e kërkuar estetike – figurative.

Tërësitë figurative në pikturat e Faikut, pa dyshim, flasin me frymën dhe gjuhën e njejtë, me të cilën artisti e vulosi punën e tij me artistiken e avancuar dhe të kultivuar me të gjitha premisat e një krijimtarie të mirëfillt. Sa për njohuri, artisti në flalë, paralelisht kultivon edhe artin aplikativ, saktësisht dizajnin grafik ku u dëshmua me shumë projekte nga fusha e grafikës reklamuese, ilustrimeve, përgatitjen artistike të librit nga autorë të njohur nga letërsia kombëtare dhe më gjërë. Në këtë fushë ai pati mirënjohje dhe shperblime të konsiderueshme për kreativitetin dhe sukseset e vargëzuara të kësaj fushe.  Pra, ky artist serioz dhe veprat e tij, do të mbesin dëshmi të stampuara, si produkte të një mendje kretive, siç është artisti ynë respektiv, Prof. Faik Krasniqi.

 

            Artisti në fjalë u lind në Pristinë (1956). Aktualisht është Profesor i asocuar në Universitetin e Prishtinës, gjegësisht në Fakultetin e Arteve – Dega e Dizajnit Grafik dhe ligjëron lëndën e Grafikës Reklamuese. Deri më tash, në fushën e pikturës ka  realizuar një numër të madh veprash të punuara në teknikën e temperës dhe atë të vajit. Kurse nga fusha e dizajnit, po ashtu ka një numër të konsiderueshëm të realizimeve në të gjitha segmentet e artit aplikativ, duke filluar nga ilustrimet, dhe përgatitjet artistike të librit nga autorë të njohur shqiptar dhe ata botërorë të përkthyer në gjuhën shqipe e deri tek realizimet grafike duke qenë autor i shumë projekteve dhe logove të kompanive, institucioneve dhe organizatave të ndryshme Kosovare.

            Për punën e tij në lëminë e arteve figurative dhe aplikative, Faiku, me të drejtë u shpërblye dhe mori  një numër të konsiderueshëm të shpërblimeve dhe të mirënjohjeve në të dy fushat e arteve të cilat artisti ynë i kultivon paralelisht.

            Deri me tash, Krasniqi ishte pjesëmarrës i shumë ekspozitave kolektive këtu dhe jasht vendit të organizuara nga Shoqata e Artistëve Figurativë të Kosovës.

            Po ashtu, ai realizoi edhe pesë ekspozita personale nga të cilat dy prej tyre jasht vendit. Njërën prej tyree realizoi një në Galeria IFIAS, Bruksel, 2002 dhe tjetrën në Galerinë, Hollenstedter, Gjermani, 2002