| E hene, 31.01.2011, 08:17 PM |
Hasan Qyqalla
Poezi nga permbledhja e fundit "Arkeologji e shpirtit"
Vargu
Pse s`të pashë; vargu më erdhi
gjurmoj Botën, s`më flet njeri
grafit portreti ngado që bredh
hija i fanitet herë kuq…herë gri.
Sikur ftesën pres çdo stinë
përpëlitjet më ngacmojnë në varg
tok qëndisnim në gjergjef Arbërinë
ti në dhe tëndin unë larg… shumë larg
Pres të njoh syrin tënd pa lot
ngjyrën e flokut çfarë e ke
pres një ftesë, në vapë këtë mot
të të them ku jam, të më thuash ku je
Vargu vyshket, kur të heshtë
apo vdes me fjalë të pathënë
ëndrrat mpihen në kortezh
ku të lashë, ku më ke lënë
vargu zgjohet nga balta… e pret!
Marshi vargut
Vargu thyen robërinë
shpërthen horizonte
vargu im vret gënjeshtrën
vargoi për Lirinë
vargu im marshoi
shestoi, kur ish i mbyllur
Vargu i përgjakur
i palakuar
i paepur
vargu betejë në histori
i ngjyrosur me të kuq
i shkruar me të zi
Vargu lindi dikur
në djep u përkund
u rrit, shndërruar në bilur.
herë më lidhi nyjë
herë më zuri frymë.
Vargu më trazoi gjumin
vargu shkroi “Formulën…”
marshoi gjithë Shqipërinë
gjeti dhe Malësinë
shpëlau plagën
Kosovës i thur këngën
Vargu bujti në luginë
u shtri gjer në Manastir
freskohet në Ulqin
shkruan tërë Shqipërinë.
Pse
Pse qaj kur Bota përqeshet
e qesh kur ndjenja përleshet
pse vras mendjen nga vampirët
shkruajnë poemën në surrat, laviret
pse lexoj romanin “Nga jeta në jetë-Pse?”
pse drama inskenohet hëpërhë
Iu hoqën artit veshët
veshët qajnë për vëthët.
Modem çoroditjeje
Kulturë plasaritjeje…
Vlora
Aty ku valët e Jonit
përplasen në Adriatik
Zgjohen kujtimet përçart
A një dell zemre u fik
Këtu pashë Flamurin valëqëndisur
Tragetin që barti parinë e mosvarësisë
Habitshëm Marigona ende rri zgjuar…pret
Plakun e urtë, mjekrbardhin e Arbërisë!
Fieria (Apolonia)
Ta dija se një ditë portat do të hapen
Të them se ëndrra të prek krahun zgjuar
Do t’kafshoja ditët, do t’përpija netët
Mbi Apoloninë antike, ndoshta jemi takuar.
Dy letra i shkrova anonim si dikur
Dy ekuacione me të panjohurin “iks”
Pse ike në Butrint, fsheh n`gurë e mur
Unë do të thosha, “të dua… fiks”!
Këtuaty
Këtu valët shqip më përkëdhelin
Këtu zë rrënjë trungu në origjinë
Këtu puhiza ëmbël fytyrën freskon
Këtu gjej kuq e zi arkeologjinë…
Këtu thuret kënga nga vala në pentagram
Këtu vargut i zë burimin nga Deti Jon
Këtu shtrihet frymë në Horizontin Ilir
Këtu jeton dashuria me gjakun Epir!