| E shtune, 29.01.2011, 08:58 PM |
Nga Koha Ditore
Prishtinë, 28 janar - Bizneset që aktualisht përfitojnë nga tenderët publikë, sipas Inteligjencës amerikane të KFOR-it, kanë mbajtur gjallë Shërbimin Informativ të Kosovës që agjentët e kësaj njësie e përshkruajnë si polici të Partisë Demokratike të Kosovës. Në raportin sekret të Inteligjencës amerikane, që përfshin periudhën 2001 deri në fund të vitit 2004, e të cilin e ka siguruar “Koha Ditore”, shpjegohet në mënyrë të detajuar mënyra e financimit të SHIK-ut. Sipas këtij raporti, SHIK-u ka pasur lidhje të forta me një numër të madh të organizatave kriminale, të cilat aktivitetin e tyre e kanë pasur të bazuar në punë ilegale.
“’Hotel Victory’ në Prishtinë dhe ‘Kosova Petrol’ janë kompanitë që i qëndrojnë përballë SHIK-ut me mbështetje. ‘Hotel Victory’ është vendi që SHIK-u e ka përdorur për pastrim parash”, thuhet në këtë raport. SHIK-u gjithmonë ka gjetur mënyra se si të funksionojë edhe nga të ardhurat e tjera.
“SHIK-u gjithashtu përdor taktika të frikësimit që të marrë para nga kompanitë e ndryshme. Kompanitë “Lesna” dhe “Agro Llapi” e një firmë ndërtimi janë në mesin e kontribuuesve më të mëdhenj që financojnë SHIK-un”, theksohet në raport. Po ashtu sipas raportit sekret, Latif Gashi e Rrustem Mustafa - Remi janë dy personat që kanë dhënë gjithashtu mjete për SHIK-un, përpos gjatë kohës kur ata kanë qenë në burg. Amerikanët kanë gjetur se përpos Kadri Veselit e Elmi Reçicës, në krye të SHIK-ut janë edhe Driton Hoxha, anëtar i UÇPMB-së e Rexhep Selimi. Raporti shpjegon edhe për ekzistimin e një lidhjeje të Xhavit Halitit, si njëri nga udhëheqësit e PDK-së, me organizatat islamike. “Xhavit Haliti ka qenë prezent duke operuar në këto organizata joqeveritare islamike. Haliti është i lidhur me Hamdi Thaçin, president i Organizatës Islamike (NFDK). Thaçi dhe Haliti kanë ndërtuar pa ndonjë autorizim një xhami të madhe në qendër të Prishtinës”, thuhet në raport. “Disa nga organizatat islame kanë financuar Partinë Demokratike të Kosovës”, thekson raporti.
Agjentët amerikanë të KFOR-it e përshkruajnë SHIK-un në raportin e tyre si një vegël politike e futur thellë në Partinë Demokratike të Kosovës. Kjo organizatë funksiononte si kompromis i disa anëtarëve të G2-shit, një trupë për kundërzbulim që operonte brenda Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Xhavit Haliti, si njëri nga kryesuesit e SHIK-ut, kishte lidhje të fuqishme me Shërbimin Informativ të Shqipërisë. Ndërkaq Elmi Reçica e Kadri Veseli, dy të tjerët që kryesonin këtë organizatë, ishin kundër Halitit.
Veseli është i pari në SHIK dhe është i lidhur në mënyrë të fuqishme me Hashim Thaçin. Ndërsa Reçica është numër dy në hierarkinë e SHIK-ut”, thekson raporti i amerikanëve.
Sipas këtij raporti sekret, SHIK-u numëronte 3 mijë agjentë.
Ndërkaq 200 deri në 500 persona që kanë qenë anëtarë të SHIK-ut kanë qenë të punësuar edhe në Departamentin e TMK-së të njohur si G2. “Menjëherë pas përfundimit të konfliktit në Kosovë, në vitin 1999, SHIK-u ka afruar afër vetes 5 mijë persona”, thekson raporti sekret i Inteligjencës amerikane të KFOR-it.
Inteligjenca amerikane e KFOR-it e përshkruan Pejën si vendin më të rëndësishëm në perëndim të Kosovës. Ky qytet, sipas këtij raporti, menjëherë pas luftës u vu nën kontrollin e Ramush Haradinajt, që kishte në dorë qeverinë komunale të udhëhequr nga Ethem Çeku, i cili nga amerikanët vlerësohet si politikan joprofesional. “Ethem Çeku ka qenë në gjendje që të realizojë marrëveshje të fuqishme kriminale me njerëz të fuqishëm lokalë, për interesa të tij personale dhe të Ramush Haradinajt, i cili kishte nevojë për rritje të fuqisë politike”, theksohet në këtë raport sekret të Inteligjencës amerikane. Sipas skemës së paraqitur në këtë raport sekret, zona kriminale në rajonin e Pejës kontrollohet nga Xhavit Haliti, në njërën anë, e nga Ekrem Lluka dhe Riza Lluka, në anën tjetër, që vlerësohen si të afërt me Haradinajn.
Xhavit Haliti është i lidhur me familjet Kelmendi dhe Muriçi, të cilët merren me tregun e drogës, armëve, haraçit dhe të prostitucionit. Sipas kësaj skeme, këto dy familje që janë të lidhura me Halitin kanë një nivel të vogël të bandave kriminale me kapacitete terroriste të udhëhequra nga banda “Ferizi”. Ndërsa Lluka funksionon në anën tjetër duke kontrolluar tregun e prostitucionit, të cigareve, naftës, drogës dhe të mallrave të ndryshme. Ndërsa familja Devolli ushtron kontroll mbi Doganat e Kosovës. “Në një periudhë të shkurtër perandoria LLUKA është pasuruar jashtëzakonisht shumë përmes korrupsionit, i cili ka prekur edhe komunitetin në këtë rajon, ndërsa në mënyrë indirekte edhe përmes UNMIK-ut”, thekson raporti i KFOR-it amerikan.
“Ai (Lluka v.j.) llogaritet nga të dy (Thaçi e Haradinaj v.j.) si njeri i besueshëm së bashku me Isa Balajn dhe Ali Haskajn, të cilët kanë qenë të përfshirë në trafikime ilegale të llojeve të ndryshme”, thekson raporti. Haskaj përmendet se kishte lidhje të afërta me familjen Kelmendi nga Dukagjini.
Lluka kishte lidhje me Xhavit Halitin përmes drejtorit të Fabrikës së Birrës, Agron Elshani. Një tjetër biznesmen po nga Peja, që përmendet në raport, është Sali Nimani, i cili përshkruhet si njeri që ka pasur lidhje të ngushta me politikanë të PDK-së, në mënyrë të veçantë me kreun e saj, Hashim Thaçi, përmes së cilit ka qenë i përfshirë në aferën e Fabrikës së Birrës në Pejë.
Amerikanët në raportin e tyre e përshkruajnë Sabit Gecin si njeri i afërt me Halitin, i cili i qëndronte përkrah së bashku edhe me vëllezërit e tij në krimin e organizuar që zhvillohej në Prishtinë.
“Grupi Geci ka qenë i lidhur me Xhavit Halitin, Rexhep Selimin dhe anëtarët e Policisë Speciale, që ka ekzistuar gjatë luftës në Kosovë”, thekson raporti. Në këtë raport gjithashtu ceket se Hamdi Geci është pjesë e klanit “GECI”, si një grup i organizuar kriminal. Vlerësohet se grupi kriminal “GECI” ka vazhduar aktivitetet e tij, ndërsa Naim Oruçaj pronar i picerisë “Kulla” në Prishtinë, besohet se ka kontrolluar bizneset në interes të Xheladin dhe Sabit Gecit.
Sipas raportit, Hamdi Geci ka qenë i lidhur me grupin kriminal të Hamdi Mehmetit.
“Në vitin 1999, Mehmeti dhe disa njerëz të tjerë kanë tentuar të vrisnin Enver Sekiraçën, i cili në një deklaratë që është dërguar në Tribunalin e Hagës kishte përmendur emrat e familjes Geci”, theksohet në raport. Përveç lidhjeve me Gecin, njëri nga krerët e PDK-së, sipas amerikanëve, kishte lidhje me Ali Haskajn, një ish- spiun që ka një reputacion të madh për sulme vrasëse, ku kostoja për një sulm kap shumën prej 10 mijë deri në 20 mijë marka gjermane.
“Haliti ka qenë i përzier në grupin e Haskajt bashkë me Hashim Thaçin”, thekson raporti. Sipas amerikanëve, të tjerë njerëz që merren me aktivitete ilegale në Kosovë janë Naim Muja, një diler armësh me bazë në Prishtinë, si dhe Daut Haradinaj, i cili mendohet të jetë i lidhur me krimet që zhvillohen në Pejë (më gjerësisht sot në “Koha Ditore”).