| E enjte, 27.01.2011, 07:13 PM |
Elsa Demo, Shekulli
Prezantohet bibliografia e pesë shekujve të librit shqip
Kryeministri premton bibliotekë të re kombëtare
Biblioteka Kombëtare prezantoi dje me ceremonial projektin më të madh bibliografik, thënë ndryshe bibliografinë kombëtare, një rrugëtim i librit shqip prej fillimeve deri në fund të Luftës në Dytë Botërore.
Prezantimi i dy botimeve "Libri shqip. Bibliografi 1555-1912" nën drejtimin e Ramazan Vozgës, "Bibliografia e librit shqip 1913-1944" nën drejtimin e Maksim Gjinajt, Margarita Meles dhe Myrvete Elmazit, shënoi mbylljen e veprimtarive të 90-vjetorit të Bibliotekës që patën nisur vitin e shkuar.
"Falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët që kontribuan në realizimin e kësaj vepre, brezat e bibliotekarëve që tërthorazi me punën e tyre në dhjetëvjeçarë, kanë kontribuar për këtë vepër që me siguri duhet ta kenë ëndërruar edhe ata që 90 vjet më parë themeluan Bibliotekën Kombëtare."
Fjalët e drejtorit Aurel Plasari ftuan miqtë e nderit, drejtoreshën e Arkivit të Shtetit Nevila Nika dhe drejtorin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, Sali Bashota, të cilët përshëndetën projektin për trashëgiminë kombëtare. I ftuari i tretë por më i rëndësishmi me ç'u duk edhe nga shërbimi i rojave të sigurisë, ishte kryeministri Sali Berisha.
Ai tha se është kjo dëshmi e një pune të shkëlqyer në shërbim të dijes, falë vizionit të zotit Plasari, punë që na paraqet botën e mendimit shqiptar "një enciklopedi të gjenisë krijuese nga viti 1555 deri më 1944, një dokument fondamental burimor."
Kryeministri Berisha i njohu dje Bibliotekës Kombëtare meritën që në kushte të vështira, me mundësi dhe mjete modeste "ka shënuar transformime të mëdha. Ju garantoj", tha ai, "se qeveria do t'ju mbështesë në përpjekjet për një modernizim tërësor".
Dy objekte, parlamenti dhe stadiumi i ri, do të jenë dhuratat që qeveria do t'iu bëjë shqiptarëve në 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar, vitin e ardhshëm. Dhurata e tretë është një bibliotekë e re kombëtare. "Një bibliotekë e re për gjithë studiuesit", tha kryeministri.
Është folur herë pas here për nevojat që BK ka për hapësira, për zgjerimin e mjediseve aty ku është, brenda Pallatit të Kulturës, por për një objekt të ri, dje u dëgjua për herë të parë dhe asgjë më shumë nga aq sa tha kryeministri.
Drejtori i institucionit Aurel Plasari, e mori prapë fjalën, kësaj herë për të nderuar disa bashkëpunëtorë dhe kontribues për Bibliotekën Kombëtare. Si shenjë honorifike për rastin e 90-vjetorit, BK kishte prodhuar një sërë medaljonesh. Të parit që iu dha një medaljon, ishte njëri prej anëtarëve më të vjetër të kësaj biblioteke, sot kryeministër i Shqipërisë, Sali Berisha.
Plasari ka cituar thënien e Naim Frashërit që është gdhendur në medaljon: Njeriun e ka bërë njeri të mbaruar gjuha dhe shkronja. Këto janë të parat e mbrothësisë.
Marrësi i këtij mesazhi u përgjigj i emocionuar: "E dua këtë institucion dhe e ndjej veten borxhli që s'kam arritur të bëj për të aq sa e meriton."
Biblioteka Kombëtare nderoi edhe ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ferdinand Xhefaraj për mbështetjen që i ka dhënë librit shqip. Medaljon për Sali Bashotën, për bashkëpunimin me BK të Shqipërisë; për Flavia Tibalin, për bashkëpunimin e spikatur që ka dhënë në këto katër vite si drejtoreshë e Institutit Italian të Kulturës "në të mirë të dy kulturave tona"; për Farfuri Xhajën e cila ka ndimuar në formimin e një brezi të ri bibliotekanësh; për Bujar Hudhrin që botoi Bibliografitë; për Sherif Delvinën që ka kontribuar prej vitesh në këshillin shkencor të BK-së.
Ceremonia u mbyll me ekspozitën "Naim Frashëri: një aventurë editoriale 1882-1912".