| E enjte, 27.01.2011, 08:57 PM |
Dibran Demaku
ZGJOHU ANTON ÇETTA
Zgjohu Anton Çetta
zgjohu ore burrë
ty të kërkon jeta
sot më shumë se kurrë!
Ty të kërkon jeta
të pajtosh shqiptarët
i ka zënë tatpjeta
nuk ngriten dot qyqarët?!
Politika e interesi
ua ka mbyllur sytë
nuk shohin ku është mesi
nuk din ku e kanë kryet!
Djalëria vritet
në mes të Tiranës
mllefi e urrejtja rritet
derdhen lotët e nënës!
Vritet djalëria
në mes të Prishtinës
vendin e mbulon zia
e gëzohet zogu i shkinës!
Quditet dhe Europa
me këtë shqiptari
kur me pushkë e topa
sulmon të vetën shtëpi?!
Zgjohu Anton Çetta
zgjohu ore burrë
ty të kërkon jeta
sot më shumë se kurrë!