Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Flet sudiuesi, albanologu gjerman, Prof.dr. Rolf Ködderitzsch

| E enjte, 27.01.2011, 07:59 PM |


Dr. (Doktor i Filosofisë)

 

Ja odisea e ardhjes në Shqipëri herën e parë

Aleks Buda ishte një njeri erudit dhe polyglot

Si më ndiqte Sigurimi I shtetit kur takoja Aleks Budën

Si na ndiqte sigurimi i shtetit kur vizitonim Shqipërinë

Kur i dhashë Budës më 1982 një kërkesë për të qenë lektor në universitet, ngiti supet

 

Nga Albert ZHOLI

 

Ka punuar si Këshilltar Akademik i Lartë (Akademischer Oberrat) në Institutin e Gjuhësisë në Universitetin e Bon-it (Bonn) në Gjermani.

Që nga vjetori 2007, punon si Docent i ftuar i Fondacionit Johann Gottfried Herder në Universitetin e Tiranës, në radhë të parë në Degën e gjuhës Gjermane. Flet në mënyrë të rrjedhshme gjuhën shqipe. Kumtesën “Aleks Buda dhe takimet shkencore” e ka përgatitur në shqip dhe e paraqiti para auditorit në Akademinë e Shkenave po në shqip.

 

 

Si jeni njohur me Prof. Doc. Aleks Budën?

 

Me anë të një episodi do t‘ju tregoj se si u njoha me prof. Aleks Budën dhe se si erdha nga Gjermania Perëndimore në Shqipëri.

Në tetor të vitit 1976 isha në Maqedoni për ekskursionin mësimor vjetor, së bashku me drejtorin e atëhershëm të Institutit të gjuhësisë të Universitetit të Bonit, Prof. Dr. Knobloch-un (1919-2010) dhe me një grup pe­dagogësh e studentësh  prej 20 vetash.

Një mbrëmje shetisnim në buzë të liqenit të Ohrit, duke parë perëndimin e diellit. „Vitin tjetër do ta bëjmë eskursionin e Institutit atje“ tha Knoblochu duke treguar nga perëndimi. E pashë i habitur dhe i them:“Këtë nuk mund ta arrini“, sepse unë e dija, që vendi që shtrihej në perën­dim të liqenit të Ohrit ishte i mbyllur hermetikisht si asnjë tjetër. Eskursioni i institutit nuk u zhvillua më 1977, por një vit më vonë me këmbënguljen e Knobloch-ut, ne erdhëm në Shqipëri.

 Lidhja e Knoblochut me Ballkanin ishte e hershme. Më vitin 1935, kur ishte 16-vjeç, bashkë me vëllanë e tij, kishte ardhur  në Mbretërinë e Shqipërisë nga Shën Naumi. Në kufi i  arres­tuan menjëherë dhe kaluan një natë në burg, sepse ushtari i kufirit, duke qënë analfabet, nuk dinte të lexonte vizat e marra në ambasadën shqiptare të Vjenës. Pavarësisht kësaj, dashuria e tij  për Shqipërinë nuk u lëkund, përkundrazi, forcohej. 

Më 1977 Knoblochu filloi korespondecën me Akademinë e  Shkencave të Shqipërisë dhe me kryetarin e saj, Prof. Aleks Buda, i cili një pjesë të madhe të arsimimit të tij e kishte kryer në Austri. Prof. Buda fliste shkëlqyeshëm gjermanisht dhe gjatë gjithë jetës së tij ishte i lidhur ngushtë me kulturën gjermane. Në krye të Akademisë së Shkencave, që nga themelimi dhe deri sa vdiq, më 1993, me gjithë se për Shqipërinë ishin kohë të vështira, Buda u bë një lloj embleme e shkencës shqiptare.  

Knoblochu, i cili zotëronte nënshtetësinë austriake, mund të lidhej me shqiptarët shumë me lehtë se sa gjermanët. Si dhe Buda ai gjithashtu, kishte studiuar në Vjenë. Austria ishte një re­publikë e pavarur, neutraliteti i të cilës garantohej që nga 1955 nga USA, Anglia, Franca dhe Bashkimi Sovjetik. Për Shqipërinë, Gjermania Perëndimore figuronte si një trashëgimtar ligjor i Perandorisë Gjermane, që kishte pushtuar vendin në vitet 1943/44, ndërsa Gjermania Lindore, ishte e lidhur ngushtë me Bashkimin Sovjetik „revizionist“ dhe prandaj ishte një rrezik për ideologjinë komuniste shqiptare.

 

Kur keni udhëtuar për në Shqipëri?

 

Knoblochu me grupin e  institutit, ku isha pjesëtar dhe unë, udhëtuan për në Shqipëri në fund të shtatorit 1978, me një leje qëndrimi vetëm për dy javë . Pas mbërritjes në Rinas, grupi u nis menjëherë për në hotel „Adriatik“ në jug të Durrësit. Të nesërmen na uruan mirëseardhjen në hotel „Adriatik“ prof. Buda, prof. Kostallari e disa zotërinj të tjerë. Buda dhe Knoblochu diskutonin, kryesisht, për kohën e studimeve në Vjenë, të cilat i kishin kryer pothuajse në të njëjtën kohë dhe shpesh me të njëjtët pedagogë. Shqiptarët paraqitën një program me kumtesa dhe ekskursione, të cilat grupi ynë i pranoi. Kumtesat e mbajtura  nga shkencëtarët më të njohur shqiptarë, ishin kryesisht informacione për politikën, sho­qërinë, ekonominë, arkeo­logjinë, historinë, gjuhësinë dhe folklorin shqiptar. Ndërkohë nga pala gjermane u mbajtën referate me tema gjuhësore. Megjithëse bindjet ideologjike ishin të ndryshme, të dy palët kujdeseshin të mos përplaseshin, dhe të mos lëndonin njëri-tjetrin.

Kur vdiq papa Jan Pal i I më 28 shtator të 1978, Knoblochu, si i besimit katolik, shprehu mendimin që tani, neve na duhet të lutemi për një papë të ri po aq „të mirë“ . Vërejtjen e Knoblochut, qëllimisht shqiptarët bënë sikur nuk e dëgjuan, me përjashtim të një „për­kthyesi“, i cili u tall me këtë. Duke mos i konsideruar raste si i mësipërmi, ekskursioni i gjuhëtarëve të Bonit kaloi në harmoni. Për këtë  Buda dhe Knoblochu vendosën që ai të përsëritet në vjeshtën e vitit 1980 nën të ashtuquajturën „Akademia verore Gjermano-Shqiptare“. Më vonë u ndryshua emri në „Takime shkencore“.

 

Si jeni ndjerë në këto takime shkenore në Shqipëri?

 

Udhëtimet e gjuhëtarëve nga Boni vrojtoheshin me shumë kujdes nga të gjitha anët: nga sigurimi shqiptar, nga austriakët, të cilët kopjonin me shumë kujdes pasaportat tona në aero­portin e Vjenës për t‘u dhënë më tej të dhënat e marra rusëve, amerikanëve, anglezëve dhe francezëve, nga sigurimet e shteteve të tjera dhe nga  „Enveristët“ gjermanë, me fjalë të tjera këto udhëtime nuk i përshtateshin botëkuptimit të shumë njerëzve.

 

Po në takimet apo ardhejt e mëvonshme në Shqipëri çfarë do të veçonit|?

 

Më 1980 prof. Knoblochu udhëtoi përsëri për në Shqipëri me një grup, i cili përbëhej nga punonjës dhe studentë. Agjensia e udhëtimeve në Vjenë, e cila organizonte udhëtimet, kër­konte një grup me jo më pak se 21 persona. Ky ishte një problem i madh për ne. Prandaj u detyruam që të merrnim në udhëtim njerëz, të cilët nuk i përkisnin Institutit të Gjuhësisë të Bonit dhe që nuk kishin lidhje me idetë dhe qëllimet e eskursioneve të Knoblochut. Disa nga këta kishin dhe ndonjë paragjykim, të cilin shpesh e tregonin hapur. Kështu, kujtoj rastin kur  një student i drejtësisë, u grind me një shoqërues shqiptar kur ky po na tregonte neve për të ashtuquajturin „Incidenti i Korfuzit“. Juristi i ardhshëm u kishte shpjeguar me zë të lartë disa pjesëtarëve të grupit, se ushtria shqiptare pak sukses do të kishte pa ndihmën e parti­zanëve të Titos. Këtë të cilën e dëgjoi shoqëruesi i dytë shqiptar. Po atë ditë në mbrëmje, shoqëruesi, që mbajti ligjëratën mbi „Incidenti i Korfuzit“, njoftoi grupin tonë, se studenti i jurisprudencës do të largohej nga vendi. Për herë të parë u zhduk nga Knoblochu mënyra e tij dashamirëse, e sjellshme. Ai kundërshtoi ashpër duke theksuar se ai nuk do të pranonte në asnjë mënyrë dhe do të vinte të nesërmen në dijeni prof. Budën dhe ambasadën austriake. Grupi u solidarizua me studentin e drejtësisë dhe me prof. Knoblochun, ndryshe nga ç`e prisnin shoqëruesit, prandaj ata ndërruan qëndrimin, dhe thanë se partia ishte dakord që studenti i juridikut të qëndronte deri në fund me grupin. Ky rast tregoi, që „Takimet shken­core“ do të vazhdonin, me gjithë rezistencën e forcave të brendshme që kërkonin izolimin.

 

Kjo do të thotë se politka ndërhynte shumë në shprehjen e lirë të mendimit edhe mes shkenëtarëve?

 

Kishte dhe ngjarje të tjera, të cilat sqaroheshin vetëm me ndërhyrjen e prof. Budës. Buda si edhe Knoblochu me bashkëpunëtorët e tij, kishin për qëllim të vazhdonin „takimet shkencore“ megjithë pengesat që u dilnin. Ata synonin të realizonin biseda pa paragjykime ndërmjet njerëzve me botëkuptime të ndryshme, ku nuk hynin propaganda apo aksiomat politike. Për ta ilustruar po jap një shëmbull: N.q.s. prof. Buda thoshte, që Shqipëria nuk synon një luftë sulmuese edhe pse ndërton bunkerë, që nuk mund të lëvizin përpara si tanke; pra pjesën e parë të thënies nuk mund ta marrim si propagandë ideologjike, kurse pjesën e dytë  mund ta pra­nojmë si logjike. Ne nuk mund të thonim që prof. Buda, kishte për­sëritur fjali të propagandës dhe të besimit komunist, pa futur në thëniet e tij arsyetimin logjik për këtë. Tek një nga bise­dat e mia me Budën, erdhi fjala edhe mbi ateizmin. Krejt papritur tha ai: „Në të vërtetë nuk jam ateist. Unë sigurisht besoj në një fuqi të gjithfuqishëm, por jo në kuptimin e kishës “. Mundemi ndoshta të parafytyrojmë çfarë fuqie shpër­thyese do të kishte patur kjo thënie  në „shtetin e parë ateist në botë“, n.q.s. do të ishte bërë e njohur.

 

A i keni bërë ndonjë kërkesë të veçantë Prof. Aleks Budës|?

Kur unë i dhashë Budës më 1982 një kërkesë për të qenë lektor në universitet, më thirri pranë vetes dhe më tha se unë nuk kuptoja fare në çfarë vështirësie e vija atë me anë të kësaj kërkese dhe që ai atë kërkesë menjëherë do ta hidhte në koshin e letrave. Ajo që unë nuk dija ishte, që pikërisht në atë kohë në Shqipëri ndodhte një pastrim i madh politik.

 

Që nga viti 1981 pas shumë përpjekjeve të prof. Knoblochut për shkencëtarët shqiptarë u hap rruga që të vizitonin Gjermaninë Perëndimore. Të parët që vizituan Bonin dhe disa qytete të Gjermanisë ishin prof. Aleks Buda dhe prof. Ali Dhrimo. Meqënëse u treguan të kujdesshëm si të ftuarit shqiptarë ashtu dhe mikpritësit gjermanë, atëhere kjo vizitë në Gjermani u mbyll me sukses dhe pa incidente.

Aleks Buda zotëronte shkëlqyeshëm gjuhën gjermane dhe ishte një mjeshtër në përdorimin e saj. Ai ishte sharmant, si një austriak shumë i edukuar, gjë që krijonte një përshtypje shumë të mirë tek të pranishmit dhe simpati tek femrat. Ai kishte humor dhe pranonte humor nga të tjerët. Ai përdorte kritikën pa i lënduar të tjerët dhe mund të  bënte autokritikë.

Një herë kisha ftuar për darkë në shtëpinë time prof. Budën dhe shoqëruesit. Midis të tjerave u servira një mish lope që nuk ishte zier mirë dhe unë si mikpritës nuk e kisha vënë re këtë. Kur shoqëruesit e Budës filluan „të ankoheshin“ për këtë, tha ai ftohtë: „Një shqiptar ha çfarë i vjen në pjatë“  dhe zotërinjtë vazhduan të luftonin me mishin, deri sa unë e vura re dhe  servira mish tjetër. Disa mund të mendojnë për mikpritësin e pa­­kujdesshëm, ndërsa për Budën që vlerësonte gatimet e mira, ky ishte një mëkat i falshëm.

 

Si janë mbajt lidhjet e mëvonshme midis Bonit dhe Tiranës?

 

Pas vitit 1982 prof. Knoblochu nuk udhëtoi më në Shqipëri, për shkak të gjëndjes së tij shëndetësore. Por angazhimin e tij për mirëkuptimin gjermano-shqiptar e ruajti gjithmonë.

 

Arriti që më 1987 dy shkencëtarë shqiptarë, Ali Dhrimo dhe Emil Lafe,  të merrnin në Bon bursa të Fondacionit Humboldt për një vit. Me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës Federale së Gjermanisë dhe Republikës së Shqipërisë më 1987 si dhe me marrë­veshjet e shumta më pas „takimet shkencore“ midis Universitetit të  Bonit dhe Akademisë së Shkencave në  Tiranë u bënë të tepërta. Aktorë të tjerë dolën në vend të prof. Budës dhe prof. Knoblochut.

Me rastin e njëvjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike më 1988 unë me prof. Hans-Jürgen Sasse dhe prof. Ëalter Breu, organizuam një konferencë shkencore në Uni­versitetin e Këlnit me temën  „Gjendja dhe detyrat e albanologjisë së sotme“. Në të morën pjesë një numër albanologësh nga Shqipëria dhe Gjermania. Konferenca tregoi, që tani kishte nisur një shkëmbim më i lirë shkencëtarësh, që duhej të zhvillohej më tej.

Midis viteve 1989 dhe 1992 e kam vizituar prof. Budën disa herë në shtëpi. Më trish­tonte ta shikoja profesorin në gjëndjen e viteve të fundit, kur ai, i paralizuar, nuk mund të lexonte pa ndihmën e dikujt. Megjithatë ai e ruajti deri në fund mendimin e tij të kthjellët, analitik, kështu pavarësisht gjëndjes, bisedat me të ishin një kënaqësi dhe të dobishme.