Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Le Monde zbulon ''anën e panjohur'' të Xhavit Halitit

| E merkure, 26.01.2011, 08:01 PM |


Nga Bota Sot

 

 Një tjetër shkrim negativ për Kosovën. Kësaj radhe është gazeta e njohur franceze, Le Monde që boton një shkrim për Xhavit Halitin, bazuar në një raport të shërbimit intelegjent të KFOR-it të vitit 2004, ku flet për natyrën e rrezikshme të Halitit, lidhjet e tij me SHIK-in, krimin dhe afera të tjera.

Shkrimi “Fytyra tjetër e Kosovës”, të cilin e transmeton Indeksonline, shpjegon se shërbimi intelegjent i KFOR-it ishte fokusuar shumë në aktivitetet e të fortëve të Kosovës, ndërsa Xhavit Haliti, ishte njëri prej tyre, si ish themelues i UÇK-së dhe drejtues i lartë i PDK-së. “Sot është një biznesmen i fortë, anëtar i partisë së Hashim Thaçit, dhe anëtar i kryesisë së parlamentit”, shkruan gazeta.

Por, bazuar në këtë dokument, Xhavit Haliti i njohur si Zeka, ka edhe anën tjetër: njëri prej sponsorëve të mafisë kosovare, që gjithashtu ka një ndikim të madh në politikë. Dhe nuk është i vetmi për këtë rol të dyfishtë në elitën politike kosovare, e dominuar nga ish liderë të UÇK-së dhe të shërbimeve të ndryshme sekrete.

Bashkësia ndërkombëtare, shkruan më tej gazeta, është informuar vazhdimisht edhe në detaje për “anën e errët” të të fortëve të UÇK-së. Së paku, janë zyrtarët e intelegjencës që nuk kanë kurrfarë dyshimi për aktivitetet e tyre ku shumica e liderëve të Kosovës janë të kyçur: të gjitha llojet e trafikimit, komplote, krim të organizuar të lidhur edhe me rajonin, reketim, frikësim likuidim të kundërshtarëve etj.

Shkrimi më tej hedh hije dyshime për vërtetësinë e provave të Dick Martyt se UÇK-ja ka trafikuar organe në 1999, por faktet e tjera që i lidh ata me krimin e pasluftës ekzistojnë. “Nëse jemi për t’i besuar raportit të shërbimit intelegjent të KFOR-it në vitin 2004 (informata që janë përfshirë edhe në një analizë tjetër të shërbimit gjerman muaj më vonë), Haliti shfaqet i ndërlidhur me shumë rrugë si Zvicër, Prishtinë e Shqipëri”, shkruan gazeta.

Në raportin e intelegjencës së KFOR-it, thuhet se është i lidhur me kafe Dubrovnik (Dardania, Prishtinë); Hotel Theranda, Prizren. I lidhur me grupet ku i takon shpesh në restorantin Thana, ndërmjet Pejës dhe Prishtinës. “Anëtar i bordit të Petrol Company, njëri prej liderëve kryesor kriminal në Kosovë; Ka shumë dyqane dhe restorante në Pejë; Së fundi është raportuar se është anëtar i SHIK-ut.

Në raportin e Le Monde, ku botohen pjesë të raportit të KFOR-it theksojnë se “Ka fjalë që thonë se ai kishte lidhje edhe me UDB-në (shërbimi sekret serb), ku i informoi ata për destinimin e armëve për FARK-un (fraksion ky i lidhur me Ibrahim Rugovën). Ai ishte i lidhur me frikësimin e anëtarëve të LDK-së përmes SHIK-ut. Thuhet të jetë një multi-milioner. Fondi” Vendlindja Thërret” është menaxhuar pothuajse prej tij. I përfshirë shumë në prostitucion, trafikim armësh, drogë dhe gjithashtu me naftë. Është i lidhur me Fatos Nanon. Ai e mbështet financiarisht Hashim Thaçin dhe merret me financat e PDK-së.”, thuhet në raportotet e KFOR-it të botuara nga gazeta franceze.

Xhavit Haliti mohon shkrimin e Le Monde

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, ka mohuar shkrimin e Le Monde se “ai është i ndërlidhur me aktivitete kriminale në Kosovë”. Xhavit Haliti, siç njihet me nofkën Zeka, i ka thënë KTV-së se nuk shqetësohet shumë për këto lloj shkrimesh, pasi janë të njëjtat që i ka dëgjuar që nga paslufta nga shërbimet sekrete serbe.

“Jam rrugës për në Strasburg. Qëllimi i këtij shkrimi është për të ngritur mjegull para draftrezolutës së Dick Martyt në Këshillin e Evropës”, ka thënë Haliti. Ai ka shtuar se “nuk ka aksione nëpër kompani ashtu siç shkruan gazeta, dhe se gjithë pasurinë e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit”.

Ai ka mohuar të ketë lidhje me grupe kriminale ndërsa thotë se “nuk ka arsye ti ketë ndihmuar financiarisht Hashim Thaçit sepse ai nuk ka nevojë”. “Pse ti ndihmoj Thaçit, ai nuk është në nevojë për ndihmën time. Unë asnjëherë nuk jam marr me financat e PDK-së. Do ta padisja gazetën por nuk mundem, pasi ai nuk është shkrim autorial”, ka përfunduar Haliti.

Gazeta e njohur franceze “Le Monde”, bazuar në një raport të intelegjencës së KFOR-it për vitin 2004, e ndërlidh Halitin me shumë aktivitete kriminale të pasluftës në Kosovë.

 

KFOR nis hetimin për dokumentin rreth Halitit

ZëriInfo,24-01-2011 18:40 CET

Lidhur me raportet mbi dokumentet që kanë të bëjnë me një ish-pjesëtar të UÇK-së dhe që janë publikuar në “Le Monde”, ka reaguar të hënën KFOR-i, duke njoftuar se ka filluar një hetim i brendshëm lidhur me burimin e këtij informacioni.

“Dje, mjetet e informimit kanë publikuar një dokument, i cili është përmendur si dokument i fshehtë i KFOR-it. Mjetet e informimit citojnë që dokumenti mund të jetë përpiluar në vitin 2004 ose edhe më herët. KFOR-i ka filluar një hetim të brendshëm lidhur me burimin e këtij dokumenti si dhe pyetjeve të tjera që kanë të bëjnë me këtë dokument. Meqë kjo çështje është duke u hetuar, ne nuk mund të ofrojmë më shumë komente lidhur me raportet të cilat janë paraqitur në internet ose në mjetet e informimit”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit të KFOR-it, kapitenin Hans Dieter Wichter.

Ndryshe, gazeta franceze “Le Monde”, duke iu referuar një dokumenti sekret të KFOR-it të vitit 2004, ka paraqitur “anën tjetër” të Xhavit Halitit, i cili është fytyrë kyçe e partisë të Hashim Thaçit, ku thuhet se është person i rrezikshëm, i lidhur ngushtë më SHIK-un, i lidhur me krimin e aferat tjera në Kosovë.