Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ali Mehmeti: Vrasja e një Protestuesi: Metodologjia Specnaz GRU dhe Ligji i Tretë i Njutonit?

| E merkure, 26.01.2011, 07:53 PM |


Vrasja e një Protestuesi: Metodologjia Specnaz GRU dhe Ligji i Tretë i Njutonit?

 

Nga Ali Mehmeti

 

Zoti Mulaj,

 

Kjo analizë (pa të keq) për një ekonomist është mjaft e mirë. Madje mund të bëhen edhe hipoteza tjera. Por nuk duhet ne të merremi me këto analiza. Kjo analizë bëhet fare e thjeshtë në momentin kur dihet trajektorja e plumbit që vrau protestuesin, brenda trupit të tij. Dhe këtë trajektore tani më e di prokuroria (nga raporti i autopsisë). E njëjta gjë vlen edhe për rastin tjetër kur protestuesi i qetë ishte përballë, afër gazetarit të ABC News.

Neve na mbetet të kërkojmë që të zbulohet vrasësi apo vrasësit, kushdo qofshin ata.

Por nuk e di se si mund të jemi optimistë që do të ndodh kjo në kushte kur:

- policia refuzon të zbatojë urdhrat e prokurorisë;

- kur edhe tre vjet pas Gërdecit nuk u gjykua askush për vrasje të afër 30 vetave ( të mos flasim për aspekte tjera kriminale të këtij rasti); dhe çfarë janë 3 banditë, të droguar, mercenarë, ... në krahasim me 30 të tjerë në mesin e të cilëve pati gra dhe fëmijë;

- kur pas vendimit se u shkel Kushtetuta nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me rastin e lidhjes së paktit detar me Greqinë, kur u falen rreth 400 km2 katror të detit, kryesuesi i grupit punues dhe njëkohësisht Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Kristaq Gerveni, u gradua (si shpërblim) me gradën Kundëradmiral dhe u emërua përfaqësues i Shqipërisë në NATO;

- kur prokuroria para pak ditësh nuk pati guximin të pohoi apo mohoi origjinalitetin e videos së famshme Prifti - Meta, por iu drejtua SHBA-ve; U kufizova vetëm në këto disa raste më të mëdha, më të freskëta dhe të njohura nga të gjithë. Përndryshe, lista është shumë e gjatë.

*21 JANARI NUK ERDHI PËR NJË DITË*

 

Me respekt, Ali Mehmeti