| E merkure, 26.01.2011, 07:43 PM |
Vullnet Mato
VDEKJA E FJALËS
Jeta mijëravjeçare
tregon se fytyra,
formohet nga fjala
që pjell mendja.
Fjala te çdo njeri
ka mbetur pasqyra
që tregon ç’ka truri
fshehur përbrenda.
Kushdo që zbraz
fjalë pareshtur,
e njerëzit nuk shohin
mirësi në realitet,
apo zbardh të zezat
duke u përpjekur
të pasqyrojë veten
si nuk është vërtetë;
Fjala i ka vdekur
dhe ka ikur nga jeta,
ndonëse mbi këmbë
mund të vij vërdallë.
Por në opinion fytyrën
ia ka fshirë urrejtja,
dhe ka mbetur vetëm
një kufomë e gjallë.
Sot kemi mes nesh
shumë fjalëvdekur,
kufoma të gjalla
që na sillen përqark.
Ekranet janë bërë
me thumba të hekurt,
që na shpojnë sytë
nga mëngjesi në darkë...