| E marte, 25.01.2011, 08:56 PM |
Politika me bazë blood libel e pas 21 janarit
Nga Kastriot MYFTARAJ
Blood libel do të thotë akuzë për gjakderdhje, dhe termi e ka origjinën tek akuza që iu bë hebrejve se në ritet e tyre thernin fëmijë të krishterë, të cilëve u merrnin gjakun. Kjo akuzë u përdor për shumë shekuj nga të krishterët, si shkak për persekutimin e hebrejve.
Politika me blood libel ka qenë veti e partive komuniste, të cilat u bënin blood libel kundërshtarëve të tyre, madje thoshin se edhe flamurin e kishin të kuq, për shkak se ai simbolizonte gjakun e të vrarëve në betejat e supozuara klasore, kauzën e tyre e merrte përsipër komunizmi, që nga Spartaku në Romën e Vjetër e deri tek Haxhi Qamili në Shqipëri, me shumë të tjerë mes tyre. Edhe në Shqipërinë paskomuniste, për një kohë të gjatë politika ishte me bazë blood libel. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike akuzoheshin mes tyre për vrasje politike, për vrasjet e 2 prillit 1991, për vrasjet e vitit 1997, për 12-14 shtatorin 1998.
Vrasja politike në Shqipëri, e cila ishte bazë e politikës me blood libel, në fakt mori fund pas takimit Majko-Berisha, në dhjetor 1998. Me pajtimin Nano-Berisha në 1992, u zhduk edhe blood libel nga politika shqiptare. Në 7 shkurt 2004, kur gjatë një proteste të opozitës me në krye PD, turmat ngjitën shkallët e kryeministrisë, atëherë të parrethuar me gardh hekuri, u krijua një situatë që të rifillonte politika me blood libel. Atëherë policia qëlloi në ajër me armë zjarri, por edhe protestuesit u tërhoqën shpejt dhe nuk pati sulme ndaj policisë që ruante ndërtesën. 21 janarit 2011 riktheu politikën me bazë blood libel në Shqipëri.
Për atë që ndodhi në 21 janar 2011 në Tiranë, ashtu si për të gjitha gjakderdhjet e tjera politike që nga viti 1991, nuk e ka fajin vetëm njëra palë. Kush merr një pozicion moral, duke ia lënë fajësinë vetëm njërës palë, ai mashtron. Unë nuk kam ndërmend që të mashtroj, por t’ i them gjërat ashtu siç i pashë. Ashtu siç thuhet në atë librin e Leonardo Sciascia me të njëjtin titull “Unicuique suum” (secilit hakun). Demonstratat e protestës ku nuk ka tribuna ku liderët mbajnë fjalime, siç e prezantoi demonstratën Edi Rama, nuk janë në praktikën e partive politike, ato janë në praktikën e grupeve radikale antiglobaliste dhe të grupeve të dhunshme anarkiste.
Deklarata paraprake e Edi Ramës se PS nuk mban përgjegjësi për atë që mund të bëjnë demonstruesit në 21 janar, është një deklaratë e llojit të krerëve të organizatave radikale të dhunshme antiglobaliste, të cilët i thërresin protestat dhe thonë paraprakisht se nuk mbajnë përgjegjësi për atë që do të bëjnë ekstremistët, famëkeqët që njihen si “tutat e zeza”. Por, një lider i një partie që pritet të vijë në pushtet, si Edi Rama, një njeri i cili nesër do të jetë kryeministër, nuk mund të flasë me gjuhën e liderëve radikalë antiglobalistë, të cilët janë njerëz që nuk kanë për të ardhur kurrë në pushtet. Jo më pak problematik është përdorimi prej Edi Ramës, pas asaj që ndodhi në 21 janar, i protestave të dhunshme që bëjnë grupet anarkiste në Itali, Greqi, apo magrebinët në Francë, si argument për të justifikuar atë që ndodhi në Tiranë në 21 janar. Asnjë nga protestat e dhunshme të cilat i përmendi Edi Rama nuk është bërë nga parti të mëdha, të cilat vijnë periodikisht në pushtet. Të gjitha këto protesta janë bërë nga grupime radikale, anarkiste, të ekstremit të majtë apo të djathtë. Edi Rama, duke sjellë këtë argument, praktikish i tha botës se PS-ja, partia e cila nesër do të vijë në pushtet në Shqipëri, është një organizatë e tillë. Kjo është një gjë shumë e frikshme.
Asnjë nga protestat e dhunshme në Perëndim që përmendi Edi Rama nuk është bërë në një afërsi aq tmerrësisht të rrezikshme me selinë e qeverisë të vendeve përkatëse. Sepse policia as që i lejon këta lloj protestuesish t’ i afrohen selisë së qeverisë apo asaj të kryetarit të shtetit. Rasti i hyrjes së disa protestuesve në parlamentin italian, të cilin e përmendi Edi Rama, nuk vlen për analogji, se parlamenti italian nuk u rrethua dhe të sulmohej njëkohësisht nga shumë drejtime, si selia e qeverisë në Tiranë, në 21 janar. Hyrja në parlament e protestuesve ishte një episod shumë më pak i dhunshëm dhe i kufizuar se msymja për të pushtuar selinë e qeverisë në Tiranë. Pastaj ajo që ndodhi në parlamentin italian u komentua në vendin fqinj si një zhvillim tejet i rrezikshëm, që mund të kishte shkaktuar një gjakderdhje të madhe.
Radha e Berishës për Unicuique suum. Berisha m’ u duk i lumtur nga deklarata e Edi Ramës se ai do të bënte një demonstratë ku nuk mbante përgjegjësi për atë që mund të bënin pjesëmarrësit e saj. Në kalkulusin e Edi Ramës, kjo deklaratë duhej që të shërbente si ultimatum për Berishën, që të mos qëndronte në 21 janar në selinë e qeverisë, se do të përballej me një përpjekje të dhunshme dhe konsistente të turmës për ta marrë me forcë ndërtesën, me ç’ rast Berisha duhej të derdhte gjak që nëse donte ta mbronte. Si Rama, ashtu dhe Berisha e dinin se nëse kryeministri nuk do të gjendej në kryeministri në kohën e protestës, atëherë policia dhe garda do të largoheshin prej saj, ashtu siç ndodhi në 14 shtator 1998. Se asnjë polic apo gardist nuk rrezikon të mbrojë ndërtesën e qeverisë, ku nuk gjendet kryeministri. Pra, Edi Rama i tha Berishës: Zgjidh, ose dorëzimin, ose një blood libel! Kështu ishte një luftë nervash mes Ramës dhe Berishës.
Rama duhet ta dinte se Berisha nuk do të dorëzohej. Berisha reagoi sipas stereotipit të vet. Ai u ngujua në selinë e qeverisë, i rrethuar me policë dhe gardistë, dhe i tha Edi Ramës tash eja këtu dhe zgjidh: Ose protestë paqësore, ose të marrësh përsipër blood libel të sulmit të dhunshëm kundër institucioneve. Pra, kur Berisha mori konfirmimin paraprak të Ramës se demonstrata do të ishte e dhunshme, atëherë ai vendosi që ta përdorte këtë rrethanë për ta kompromentuar, sipas kalkulusit të tij, kundërshtarin e tij politik. Shkurt, Berisha ishte i prirur që të shfrytëzonte çdo rrethanë që i jepte mundësi për të përdorur çdo situatë të favorshme për reagim me armë ndaj protestuesve të dhunshëm, për t’ a ngarkuar Edi Ramën me një blood libel.
Radha e demonstruesve për Unicuique suum. Në fakt kishte dy demonstrata në 21 janar. Në njërën anë ishte demonstrata e pjesës më të madhe të turmës, e cila ishte krejt paqësore. Në anën tjetër, në krahun e majtë të turmës, në anën e ndërtesës së kryeministrisë, ishte një tjetër demonstratë e një grupimi prej qindra vetësh, i cili mund të quhet ndryshe përveçse si grup i dhunshëm sulmi. E gjitha dinamika e demonstratës tregon qartë se ky grupim ishte i përgatitur dhe i pajisur për sulm të dhunshëm mbi policët që mbronin ndërtesën. Edi Rama gënjen me papërgjegjshmërinë e liderve anarkistë të lëvizjeve antiglobaliste, kur thotë se protestuesit ushtruan dhunë ndaj policisë, pasi u provokuan nga makinat që hodhën ujë mbi turmën. Kohezioni i pamjeve televizive tregon se në fillim kanë qenë grupet e sulmit të protestuesve, të cilët msynë dhunshëm policinë, dhe vetëm shumë minuta më pas dolën makinat e ujit.
Intensiteti i sulmit fillestar mbi policinë të grupeve të sulmit të protestuesve, i cili sulm vazhdoi për shumë minuta, ishte i tillë sa breshëria e gurëve dhe goditjet e hunjve të gjatë e të trashë, shufrave të hekurta, si heshtat e kalorësve mesjetare, thyen deri edhe mburojat e policëve. Le të gjejë Edi Rama qoftë edhe një fragment të vetëm televiziv nga protestat në qytetet perëndimore, kur një grup policësh, të jenë gjendur mes një turme nga e cila sulmohen dhunshëm dhe një muri, të vënë nën goditje të tillë kaq intensive dhe të dhunshme me gurë, koktej Molotov dhe hunj. As që ka për ta gjetur Edi Rama një gjë të tillë. Në atë moment në çdo kryeqytet perëndimor do të kishin qëlluar snajperët, mbi protestuesit e dhunshëm, se ligjet perëndimore që mbrojnë jetën e protestuesve mbrojnë edhe jetën e policëve dhe nëse ata policë masakroheshin, atëherë përgjigjeshin shefat e tyre për ta.
Thyerja më pas e derës prej hekuri të selisë së qeverisë, nga ana e grupit më të dhunshëm të protestuesve, tregoi se ata qenë të mirëpërgatitur për të pushtuar selinë e qeverisë. Dera e shpërthyer ishte në afërsi shumë të rrezikshme me hyrjen e ndërtesës. Thyerja e derës do të thoshte ballafaqim me skalionin e fundit të mbrojtësve të ndërtesës, gardistëve të armatosur me armë zjarri. Pas thyerjes së derës, dhe kur sulmi i dhunshëm vazhdonte dhe në anën tjetër të ndërtesë, tek piramida, ku për shkak të ngushtësisë së madhe të vendit, sulmuesit qenë në një afërsi shumë të madhe me gardistët e armatosur, askush nuk mund të thoshte më se ku duhej hequr më tutje vija e kuqe pas së cilës përdoreshin armët. Vetë thyerja e derës së hekurt ishte një kapërcim i vijës së kuqe. Qënia gati e një automjeti për të hyrë me forcë në oborrin e ngushtë, pasiqë ishte thyer dera, tregon për një skenar prej profesionistësh të sulmeve të tilla. Ku u gjend ai automjet në kohën që ishte ndaluar qarkullimi në shumë rrugë përreth? Automjeti ishte mbajtur në gatishmëri dhe pritet të shihet se nëse kishte arsye tjetër që u bë veprimi në dukje absurd i goditjes me të bllokut të betonit që gjendej pas derës së shpërthyer, si pengesë.
Duke konsideruar deklaratën e Edi Ramës, të para demonstratës, duhej pritur që pasi një pjesë e protestuesve kaluan në veprime shumë të dhunshme, Edi Rama dhe PS të distancoheshin prej tyre, sipas formulës se ata nuk mbanin përgjegjësi për veprimet që mund të bënin pjesë të turmës. Por jo, Edi Rama pas protestës doli pikërisht si përfaqësuesi dhe mbrojtësi i pjesës më të dhunshme të protestuesve. Edhe të vrarët në protestë kanë qenë në pika të tilla ku veprimet e protestuesve kapërcyen madje edhe kufirin e protestës së dhunshme sipas standardeve perëndimore, duke kaluar në terrorizëm. Derisa Edi Rama e përdor si aset politik guerriljen e një pjese të dhunshme të terroristëve, atëherë ai duhet të marrë përsipër përgjegjësinë për ta. Se të dyja nuk mund të qëndrojnë, edhe të thuhet se nuk mbahet përgjegjësi për ata protestues që mund të dalin jashtë kontrollit, edhe të kapitalizohet dhuna e tyre si aset politik.
Një aspekt tjetër i keq i asaj që ndodhi është se iu bë një blood libel Gardës së Republikës, repartit më elitë të forcave të armatosura të Shqipërisë, atij që është simbol i forcave të armatosura dhe që bën ritualet e nderit ushtarake në festat zyrtare dhe vizitat e shtetarëve të huaj. Sado mendjenxehtë që të qenë protestuesit e dhunshëm, ata e dinin mirë se pas thyerjes së derës gjendeshin përballë një force e cila kishte armët e zjarrit si mjet për ta përdorur. Këtë gjë e dinin mirë edhe ata që po kërkojnë të kapitalizojnë sot sulmin e dhunshëm si aset politik. Pas thyerjes së derës, nisur nga distanca në të cilën qenë gardistët me sulmuesit, përdorimi i armëve të zjarrit ishte i paevitueshëm, nisur edhe nga instinkti i vetëmbrojtjes. Gazetari i kronikës së zezë, Artan Hoxha, të cilin Edi Rama e lavdëroi publikisht si njeriun që identifikoi episodin e vrasjes së një protestuesi para derës së shpërthyer të kryeministrisë, në një intervistë në News 24, natën vonë, në 21 janar, tha se kur ai pa që u shpërthye dera e hekurt e kryeministrisë, e kuptoi se atje do të ndodhte diçka, dhe u përqëndrua atje. Logjike, se në çdo vend perëndimor ku shpërthehet dera e selisë së qeverisë nga protestues të dhunshëm, ndodh diçka e rëndë.
Çfarë fitoi Edi Rama nga demonstrata, ashtu siç u zhvillua ajo? Një blood libel për kryeministrin Berisha, një blood libel për ministrin Basha, një blood libel afatgjatë për PD? E kaluara e Shqipërisë tregon se në çdo gjakderdhje, blood libel njollos të dy palët. Pra, produkti më afatgjatë i 21 janarit është dyshja politike Edi Rama-Lulzim Basha, të cilët pas largimit të Berishës nga politika do të jenë liderët e të dy krahëve të politikës në Shqipëri, fituan imazhin e dyshes së dikurshme Nano-Berisha, të përlyer me blood libel. Çfarë fitoi Berisha nga 21 janari? Atë që humbi Rama. Gjithsesi, tashmë kemi rihyrë në një epokë të re të politikës me bazë blood libel, pasojat e së cilës do të kërkojnë kohë që të kapërcehen.
Se kur të jetë Edi Rama nesër në selinë e qeverisë, ai që do të jetë lider i opozitës, do të jetë nën presion për të bërë opozitë të modelit “Edi Rama”, pra me demonstrata pa kufi në kohë dhe hapësirë, të cilat përfundojnë me sulm të dhunshëm për të pushtuar kryeministrinë. Dhe atje do të jenë të njëjtët policë dhe gardistë që do të reagojnë si në 21 janar, do të ketë protestues të vrarë, dhe kryeministri Edi Rama do të gjendet në pozitën e Berishës sot. E nëse dikush shkon me mendjen se ne socialistët jemi specialistë dhe dimë t’ i rregullojmë punët kur jemi në pushtet, ky dikush duhet ta dijë se socialistët janë specialistë të shekullit XX, kurse në shekullin XXI veprojnë forca të tjera globale. Nuk është mirë që Shqipëria të bëhet arenë e përplasjes së këtyre forcave globale, që një pjesë e popullsisë së Shqipërisë të akumulojë aq shumë zemërim sa të bëhet kliente e ndonjërës palë të këtyre forcave globale.