| E marte, 25.01.2011, 08:03 PM |
NË NJË TREGTORE TË MADHE NË ILLINOIS
Reportazh nga Luan Çipi
Ardhur rishtazi nga Shqipëria e vogël, u habita nga përmasat e një tregtoreje gjigande, ndër më të mëdhatë e Shtetit Illinois të ShBA.
Çudia fillon qysh me emrin e saj: ”PEMTORJA E VJETËR Westfield”.
I nisur me autoveturë nga qendra e Çikagos, kalojmë “Miljen Magjike”, marrim autostradën buze liqenit, përshkojmë me shpejtësi disa rrugë të tjera njërën më të mirë se tjetrën, të gjera, të pastra dhe të liruara nga bora dhe pas rreth një ore, hyjmë në territorin e “TREGETORES GJIGANDE”, ne rajonin SKOKIE, qe na u shfaq si të ishte një qytezë e vërtete. Kjo qendër e madhe tregtare e ka zanafillën në vitin 1956.
Dyqanet zënë një sipërfaqe bajagi të madhe, që shkon në rreth 60 hektarë dhe numri i tyre është 140, të një cilësie superiore e tepër luksoze, pronë milionerësh të Grupit Westfild. Dyqanet e larmishme, për nga forma dhe bukuria, që përfshinë një gamë të gjerë e të pallogaritshme asortimentesh, shtrihen në godina më së shumti një katesh, që e bëjnë më efektive dhe më të lehtë reklamimin dhe shitblerjen e mallrave.
Shitoret janë marrë me qira nga firma tregtarësh me emra të dëgjuar e të famshëm, që i ofrojnë nder vetes në të gjithë botën me cilësinë e zgjedhur të mallrave të tyre. Modernizimi i “ Pemtores së Vjetër”, së fundi u bë, nëpërmjet transformimit dhe përmirësimit rrënjësor, në vitin 2007, ku u investuan njëherazi edhe 50 milion dollarë.
Ngado shikon një estetetikë mbresëlënëse, gatishmëri të personelit, i përbërë nga shitës prej të gjitha racave dhe ngjyrave, që të përshëndesin, të buzëqeshin e të shoqërojnë sa hynë, të pyesin e thuajse të hipnotizojnë me sjelljen korrekte dhe ëmbëlsinë e reklamimit dhe të paraqitjes së mallit që tregtojnë. Brenda kudo një mjedis me temperature ngrohtësie që të jep edhe ajo kënaqësi, aq më tepër po të mendosh që jashtë kudo të than era e liqenit dhe është i padurueshme thellimi i ftohtë brisk minus 15 gradë celsius i dimrit verior, fare i papranueshëm për ne mesdhetarët.
Mallrat, të vendosura sipas një kriteri praktik e të paramenduar, sikur të therësin vetë që t’i zgjedhësh e t’i pëlqesh, t’i blesh e t’i marrësh me vete. Nuk nguron për t’i blerë, se në këto raste duhet edhe të konsultohesh me gruan apo me ndonjë njeri kompetent, po nuk është e domosdoshme të pyesësh aty për aty tjetër kënd, se edhe po të bëhesh pishman më pas, mund ti kthesh ato brenda një kohe të caktuar, që zgjat edhe pas disa muaj, boll të ruash faturën dhe mos ta përdoresh e ta dëmtosh mallin e blerë.
Futemi në një librari të stërmadhe, ku tregtohet çdo lloj libri, reviste e katalogë, të sistemuar sipas kritereve shkencore. Këtu mund të gjesh çdo titull shpejt, ta maresh aty për ta lexuar i ulur në komoditet të plot, në qetësi dhe ngrohtësi optimale, po aty te pish kafe, çaj, apo ç’të duash dhe ta blesh, ose ta lesh aty librin, te tavolina e kafes, pa paguar gjë.
Një veçori e kësaj Qendre të Madhe Tregtare është shumëllojshmëria e aktiviteteve të tregtisë dhe i shërbimeve kulturore e sociale. Këtu gjen parqe e lulishte, zona për argëtimin dhe për lojën e fëmijëve, çajtore të specializuara, kafene, pijetore, restorante, librari dhe qendra relaksimi deri në kinemanë Odeon, që e bëjnë këtë qendër të madhe të përshtatshme sidomos në kohë vere, për të tërhequr mijëra familjarë dhe turistë, veçanërisht për të kaluar fundjave të gëzuara e të larmishme.
Një parking i stërmadh krijon kushte për vendosjen e autoveturave dhe një personel policie e sigurimi, të garanton lëvizjen dhe qëndrimin e qetë, pa ndjerë frikë e shqetësim për asgjë të jashtëzakonshme, dikur karakteristike për qytetin e Çikagos dhe rrethinat e tij. Këtë do ta argumentoj edhe me një ngjarje të jetuar, në ato 3-4 orë që e vizitova tregtoren e madhe:
Unë lëvizja, si e kam zakon, me aparat fotografik në dorë dhe e shkrepja atë, sa herë shikoja ndonjë pamje të veçantë, që më ngjallte interes. Ndërkohë vë re se dy policë po më ndiqnin dhe diku më ndalën, pikërisht kur unë po fotografoja sfondin e një godine, disa katesh, që ishte një përjashtim në lartësinë thuajse njëkatëshe të mjediseve të tjera.
-Zotëri, me thanë ata. Nuk mund të fotografosh konstruksionin e godinave, ato përbëjnë sekret për Kompaninë tonë. Ju lutem ule objektivin te ndonjë vitrinë, shatrivan, apo monument.
-Po këto godina janë të ekspozuara edhe në katalogët përkatës, i thash unë.
-Ju lutemi, lini komentet, se ndryshe do të të konfiskojmë filmin.
Ja, deri në këto ekstreme shkonte kontrolli dhe vigjilenca e tyre, çka të ngjallte respekt dhe qetësi.
Kthehem në shtëpinë e tim biri, në Çikagon e bukur e tejet madhështore, ngarkuar makinën me mallra cilësore, pa frikë se do “më qortojë gruaja”.
Duke vozitur ngadalë autoveturën, sodis me radhë: autostradën që gjarpëron buzë liqenit Miçigan, rrokaqillset gjigande qindra metroshe, hapësirat e shumta me parqet e pushimit e të stërvitjes, plazhet tani të ngrira, me tej Muzeun e Artit, Kullën e Ujit, Planetarin e famshëm dhe më së fundi Stadiumin e madh të futbollit karakteristik Amerikan 80 mijë vendesh, afër të cilit kam fatin të banoj me nipat e mi, në këto ditë fatlume.
Çikago, Janar.24.2011