| E marte, 25.01.2011, 08:45 PM |
Vangjush Ziko
GURËT E VENDLINDJES
SKËRKA E DRENOVËS
Ta mendosh!
Këta gurë
kanë qenë lavë e butë,
zjarr përvëlues.
Sot!
qiellit i luten
t' i zbusë.
I gëzohen një gjembi...
një fije
një drize të shtrembër...
një patkoi kali...
Faqet e tyre të hirta
qajnë,
kullojnë.
Nën këto rrëpira
jetë
rënkojnë.
Skërk' e Drenovës,
varrezë e kohëve.
Kërkon
të rilulëzojë.
MADEMI I SHTUFIT
Këtë shtuf
me gisht
e gërvisht.
Me daltë
bëj qoshe shtëpish.
E thërmoj
dhe e shtroj,
gur pragu latoj.
Trajtë merr
në ky djep
i shtuftë
rrëzës së tij
të gurtë
ky qytet.
Ky qytet-madem
Njerëz rrit
me zemër të butë.
GURI I POLENËS
Ky gur
ka prej gjaku damarët
Gatuar së toku
me gjeth të tharë
borziloku.
Epokash gjeologjike ngjeshur
Dhe thundrash
të historisë.
Gur për tempuj
dhe piedestal të lavdisë.
Gur i parë.
Gur i përjetshëm.
I pavdekshëm.
Për varr
të të kisha
do desha.