Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vullnet Mato: Mes kafshësh me brirë

| E diele, 23.01.2011, 06:17 PM |


Vullnet Mato

 

MES KAFSHËVE ME BRIRË

 

Kaluan disa vjet

dhe nuk dinim mirë

se ende jetojmë

mes kafshësh me brirë,

mes bishash dhe shtazësh

që ndjehen shik,

të godasin me brirë

të shkallmojnë pa frikë.

 

Të shkelin me thundra

djersën e etërve,

t’u heqin nga goja

kotheret njerëzve.

Ka disa kohë që Zoti

po ndëshkon njeriun,

me bukë e qumësht fëmijësh

ushqen shiun.

 

Dhe thërrimet e pleqve

me lëngun e hirrës,

dalin ua shkelmojë demat

në ndeshje brirësh.

Më pas hingëllijnë

sa habitet bota,

dhe krekosen se janë

egërsira të forta... 

 

Të mbeten turpëruar

në vite e breza

të qajnë nënat,

të vishen me të zeza.

Mjerë kjo tokë

dhe mjerë këta njerëz,

që s’gjejnë qetësi

nga shtazëria e egër...