| E diele, 23.01.2011, 05:06 PM |
Luan Çipi
QESHU, O ROBERT!
Të sodis në foto - duart kryqëzuar
Përherë të vërejtur, në një pozicion.
O Robert Martiko, miku im i çmuar
Përse dëshpëruar, shikon dhe mendon?
Si dikur Uliksi, atje në Korfuz,
Ai për Itakën, ti mendon për Vlorën:
Kujton djalërinë, vitet zi e pus
Kur babën ta vranë, kur ëndrrat t’i çorën.
Katilet e kuq, egërsirat, bishat
Hajdutët mizorë, që grabitën pronën,
Shkatërruan dhunshëm xhamitë edhe kishat.
Tunel e bunkerë Shqipërinë e mbollën.
Frenuan
dëshirat, vrullin e krijimit
Ndrydhën fantazinë, bukuri e nur,
Dhe të bënë shkrimtar, pas murit Berlinit
Flakën e Olimpit nuk ta shuan kurrë.
Qeshu, o Robert, gjaku nuk shkoi dëm.
Vrapo drejtë Vlorës, po të thërresim, eja.
Babë Dino Martiko, monument më këmbë,
Ne, krahëhapur presim krijimet e reja.