Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Redan Bushati: Paragjykimi fillon që në termin “Konviktor”

| E diele, 23.01.2011, 08:58 PM |


Paragjykimi fillon që në termin “Konviktor”

 

Nga Redan Bushati

Kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës

 

Në mjediset tona studentore, paragjykimi qëndron këmbëkryq, e njëjta shprehje migjeniane e cila thoshte për mjerimin që kishte pllakosur qytetin  “varfëria është ulur këmbëkryq”. Kësaj rradhe, në diskutimin tim me veten, por edhe me publikun kam marrë përsipër të ndaj një koment apo analizë në pak rreshta, sa i takon një problematike të madhe paragjykuese për studentët, të cilët vijnë nga rrethet me mundime të shumta për të studiuar në një universitet publik. Si pikë referimi, do të mbështetem në faktet e thëna, të provuara dhe të përceptuara nga dinamika e zhvillimit akademik dhe social në USH-në “Luigj Gurakuqi”.

 

          Në rradhë të parë, një gjë e dimë bashkarisht që paragjykimi ekziston në botën individuale të çdo shtetasi shqiptar. Pastaj, shkalla apo niveli i paragjykimit është në varësi të faktorëve të ndryshëm edukativo-arsimor dhe socialo-kulturor. (Kujtoj me nostalgji, kur para ca vitesh isha pjesë aktive e botës së sportit dhe vija nga stërvitja e ditës në shtëpi. Lodhja fizike, por edhe ajo mendore ishte e madhe. Një ditë prej ditësh shkoj në shtëpi dhe nëna ime më thotë: “A ke ndonjë hall apo ndonjë gjë që të shqetëson?”. “Jo, po pse po pyet”?- i them unë. Më thotë shprehimisht “më kanë thënë disa njerëz që kur je duke ardhur nga stërvitja në shtëpi, gjatë rrugës se si ecën dhe se ç’ke një mënyrë të ngrysuri të fytyrës”. Buzëqesh me veten dhe largohem duke menduar se paragjykimi njerëzor në lidhje me çdo gjë e gjithçka paska marrur përmasa gjigandeske.) Të kalojmë pa humbur kohë tek diskutimi ynë.

 

          “Personalisht e ndjej vehten shumë të diskriminuar. Ne që jemi në vit të parë, e ndjejmë veten shumë inferior në mjediset e fakultetit, e veçmas kur lëvizim në rrugët e qytetit”, - thoshte gjatë një ore leksioni në Punë Sociale një nga vajzat e ardhura nga rrethet për studime në USH-në “Luigj Gurakuqi”. Ndërsa një vajzë tjetër me iniciale I.L. thotë: “Nuk di a kam bërë zgjedhje të mirë që kam ardhur në Shkodër për studime, porse di të them që ndjehem e izoluar kur futem në mjedise me individë që vijnë nga ky qytet”. Mes të tjerash po japim edhe komentin e një djali me iniciale K.U., i cili studion në Fakultetin e Shkencave të Natyrës (FSHN). “Redan megjithëse është e vërtetë ajo çfarë thoni, se ne që vijmë nga rrethet rryshfeti na ecën mirë, porse dua të them më kryesoren se jetesa në Shkodër është e vështirë. Nuk e kam fjalën në anën financiare, por atë sociale. Na shikojnë ndryshe pedagogët, na shikojnë ndryshe edhe studentët që vijnë nga ky qytet, dalim xhiro në Piacë pësh-pësh të tjerët që na vendosin etiketa…”, thekson mes të tjerash në dialogun tonë K.U. nga Lezha.

 

          Pas komenteve dhe ideve apo qëndrimeve me të cilat shfaqen studentët të ardhur nga rrethet, duhet thënë që paragjykimi ekziston. Mendoj që, studentët e vitit të parë dhe ato në fillesat e viti të dytë, e ndjejnë etiketimin, diskriminimin dhe injorimin. Me kalimin e viteve, veçmas vitet e treta dhe ato që studiojnë për Master deridiku i kanë kaluar këto faza problematike në botën e tyre. Ngurrimi për të folur, për të ndërmarrë inisiativa, për të zbatuar dhe koordinuar një projekt, tashmë thuajse nuk ekziston tek këto studentë. Theksoj, që paragjykimi është pjesë e jetës sonë pasi jemi rritur dhe ushqyer në mjedise te tilla, porse më lejoni t’iu them që kalimi i brezave pasqyron një sfond gjithnjë e më të zvogëluar të këtyre problematikave sociale.

 

          Mjedisi më paragjykues me të cilin ndeshen studentët tanë janë rrugët e qytetit. Ato të ngjajnë si të ndara me “gibs”. Një “gibs” i fortë, i qëndrueshëm dhe prezantues duket sikur ndan dy botë, atë të qytetit dhe atë të jabanxhinjve. Por, si çdo gibs tjetër ai mund të ndryshohet , por edhe mund të prishet krejtësisht. Po, kur? Atëherë kur socializimi i jetës të jetë në lartësinë e përfshirjes së profesionistëve të vërtetë që do të ndihmojnë bashkëjetesën pa paragjykime brenda “mureve” të këtij qyteti. Femrat apo meshkujt? Është faktike që studentët femra janë më të paragjykuara se ato meshkuj. Madje, këto sikur e përjetojnë edhe më keq emocionalisht. Mund të jenë diku tek 900 femra, të cilat jetojnë në konvikt dhe çdo studente që vjen nga rrethet quhet konviktore. Përmasat e këtij emërtimi jane deformuar kastile, duke përbërë tashmë një fyerje masive, p.sh. janë krijuar këngë që etiketojnë konviktoret, duke i ulur në parametrat e mashtrimit seksual me akulloret. Deri këtu dikush edhe mund të qeshi, porse kjo është e vërteta e komunitetit ku marrim frymë dhe jetojmë.

 

          Pse i paragjykojmë? Nga ana tjetër, duhet të analizojmë edhe arsyen e mosarsyes të arsyetimit keqarsyetues të studentëve dhe studenteve vendas. Shpeshherë kur diskutimi është hapur për një temë të tillë, janë rrahur mendime të ndryshme se sikur këto që vijnë nga rrethet, nuk janë në lartësinë e tyre, pra të vendalinjëve. Ato kanë probleme të shumta, duke filluar me botëkuptimin e tyre. Vijnë nga vende që autoriteti i mashkullit është “kamxhikues” dhe jeta e vështirë i ka bërë që të merren me punë të shumta bujqësore. Tashmë, meqë kanë ardhur në një jetë tjetër, krejtësisht ndryshe “upsi-upsi”, sikur kanë ngelur brenda saj dhe nuk dinë si të dalin. Ky është një nga mendimet që në jo pak raste kam hasur gjatë bisedave të tilla më vendalinjtë që studiojnë në USH-në “Luigj Gurakuqi”. Gjithsesi, di të them që personalisht edhe si drejtues i Këshillit Studentor jam përpjekur shpeshherë t’iu bëj ftesë studentëve të ardhur nga rrethet. Madje, ka prej atyre që janë përfshirë thellësisht në strukturat studentore, p.sh  I. Leka, B. Ismailaj, L. Toçi, M. Spahiu, N. Kruçi, R. Xholi, M. Vezi, D. Selala, K. Ujka, P. Xhelilaj, E. Aliaj janë disa nga përfaqësuesit tanë legjitim nëpër fakultete. Sinqerisht, ardhja e tyre dhe përfaqësimi në këto struktura më kënaq jashtë mase, duke pretenduar përherë ardhjen dhe përfshirjen e sa më shumë studentëve të mirë në mësime që vijnë nga rrethet, pasi “dyert” e mbështetjes sime do jenë përherë të hapura.

 

          Universiteti “Luigj Gurakuqi”  ka në përbërje të tij studentë dhe studente, e jo konviktorë dhe konvitore. Pastaj, e drejta e studimit është për të gjithë. Kjo e drejtë shfrytëzohet nga ato që kanë mendtë e kokës në rregull me parametrat e duhur cilësor. Kështu që, çdo lloj paragjykimi diskriminues për studentët e ardhur nga rrethet është dashakeq, i qëllimshëm dhe realizohet nga persona që problemin më të madh e kanë me “qytetarllëkun” e tyre të blerë në tregun 20-vjeçar me emrin “Demokraci”.