| E diele, 23.01.2011, 08:57 PM |
DICK MARTY DHE GOMARTË E NASTRADIN HOXHËS
Nga Çlirim Uça
Fatzezës Kosovë asesi s‘i ndahen hallet. Pa ikë mirë i vjetri, pëlcet i riu, errësohet bota shqiptare. Kësaj radhë pëlcitja qé tepër e fortë, e tymi plot blozë ra mbi fytyrat tona, edhe ashtu të nxime dhe zhyeme në gjithëfarë zgjurash. E halli jonë, Kosova fort vorfën për uji. E, edhe ma e vorfen për mend. Prandaj edhe vuejmë.
S`asht me u çuditë. Për vuejtjen ndër ne qarkullon edhe një legjendë e vjetër, që thotë: „Kosova asht vend i namun nga Baba Mbret, se ia kemi vra dikur ushtartë këtu. Ai na ka namë e tash gjithë jetën duhet me heqë“.
Ma se një herë më ka rastisë me dëgjue këte marrëzi nga njerëz që dallojnë nga dashi i ish tufës së deleve të babës tim vetem se ky ishte memec: pra nuk mund te thonte ma shumë se një beeeeee.
Po sot që e dijmë këte marrëzi (nëse ende nuk po gabohem), sa na hyn në punë kjo, kur na ende duhet të vuejmë, madje, si për hatër të mallkuesit tonë dhe dashamirëve të tij, këndej dhe andej pari?
Fatbardhësisht e keqja jo gjithëherë vjen për me damtue! Të mos humbim shpresat, edhe kjo vuejtje e ka të fshehun dikund fillin. Çashtja asht vetëm se kur do ta mbledhim mendjen dhe ta lypim atë. Mund të frymëzohemi edhe nga sakrificat dhe përkushtimet e të tjerëve. Pse jo edhe nga ato te Nastradin Hoxhës.
Halli i Kosovës së këtyne ditëve ngjan shumë me një hall të Nastradinit dikur me do gomarë të një katundari të vet.
Një pranëverë, porsa ishte mbushë ara me bereqetin e mbjellun, prej shtëpisë aty afë, ia behen disa gomarë për t‘i korrë të mirat e mbjelluna aty.
Me gjithë përpjekjet e Nastradinit, nuk po arrinte ta ruente arën e vet, mbasi, sa largohej prej aty, gomartë ktheheshin përsëri. E të rrinte gjithë kohën aty i mbeteshin punët tjera pa ba, pa harrue edhe atë punën e hokave.
I lodhun dhe i mërzitun nga sulmi i gomarëve, ishte i detyruem të ishte i vëmendshëm e t`mos provokonte ndonjë konflikt me „babën“ e gomarëve, prandaj edhe vendosi të duronte poshtnimion prej tyne.Tha me vete: Ma mirë të duroj, se sa të shkoj me krye. Ka kohë mjaft për në botën tjetër.
Kishte nuhatër rrezikun që po i kërcnohej, prandaj sillej me shumë urtësi. Një herë i tha vetes: Nuk kanë thanë kot të vjeterit - qingji i urtë thithë dy nana. Por ende pa e mbarue mirë mendimin, u prek nga një ndjenjë e ftohtë pendese, pse e kuptoj se po mashtronte veten.
Kur erdhi dimni, tue qenë me ma pak shqetësime, iu vardisën ato përjetimet e verës. E shqetësonte edhe fati i të mbjellunave të ardhëshme, se ç‘kishte shkue nuk ktrhehej ma, kurse e ardhmja ishte edhe ma e frikëshme e s’e linte të qetë. Për ma tepër, po ndihej edhe ngusht, pse ishte përhapë zani në të katër anëte. Bota e njihte për njeri të mendshëm, e ai ishte ba për turp nga një tufë gomarësh të fshatit të tij. Të këshullohej me kend nuk ia lejonte kapuçi i tij i naltë. T‘i binte në gjunjë e t‘i lutej „babës“ të gomarëve, as këte nuk e përbinte dot, se do të dilte në katund ai „xhambazi“ e do t‘ia merrte edhe atë pak fytyrë që i kishin lanë gomartë e tij.
Njëherë mendja i tha t`mos e mbillte fare atë arë të mallkueme, se mbille farë e thirr gomarë, s’kishte kuptim. Por edhe këte e mendonte prej dëshprimit, se nuk ishte punë që bahej.
Sikut të mos mjaftonte halli që kishte, nuk e linin të qetë as fjalët e fqinjëve. Sa herë Nastradini i mirrte në thumb me hokat e tij, ata, ashtu të zenë ngusht, në zemrim e sipër, i thonin: Ik e rueje arën tande, se s`je për tjeter. Jo që as ate nuk po mundesh me e ruejtë.
Sado që ai përpiqej të përmbahej, kjo fyemje po e ligshtonte shumë. Edhe fshatartë e kishin kapë këte dobësi, prandaj edhe nuk linin rast pa ia hedhë fytyrës. Fol, fol, i thonin ata, po ta mbajti.
Një ditë, aty në fshat, pat dalë edhe ky togfjalëshi: goja llap e shpina dap, por që ma vonë, një dhunus gruaje e ktheu ne goja llap-llap, shpina dap –dap.
I shkreti Nastradin, i goditun si mos ma keq, ma në fund vendosi të tërhiqej fare nga ndeja me njerëz.- Nuk ka mbetë gja e mirë të dëgjohet në katundin tonë, tha. Ma mirë rri me zojen time. Të pakten ajo më respekton.
Si tha, edhe bani: U mbyll në shtëpine e s’e pa ma askush. Madje as deri tek bagëtija nuk dilte ma, se do ta shihnin ata te katundit dhe ku i dihej, mund t`mos i rezistonte dëshirës, me dalë me ta. Në keto rrethana burgu siç ishte, ndjeu edhe pendesën që kishte humbë aq kohë nëpër ndeja dhe nuk kishte ba edhe një rrethim oborri.
Nga një herë i shkonte mendja edhe të ikte 7 palë katunde larg, po edhe kjo nuk ishte e mundun, se kishte ardhë dimën i ashpër dhe gjithë zona qé shkëputë nga bora e madhe që kishte ra.
I burgosun si mos ma zi, kalonte ditën tue pi duhan, kafe dhe çaj e tue u mundue me gjetë nje zgjidhje për hallin që e priste porsa të vinte pranëvera.
Një mbramje, se ç‘i shkrepi në kry një ide fort e vyeme, si i kishte hije mendjes së tij të ndritun.
I gëzuem siç ishte, brofi në kambë dhe tue qeshë iu afrue të shoqes. Nisi ta përkëdhelete me ngrohtësi, ashtu si nuk kishte ba qysh nga pranëvera e shkueme, me fjalë të tjera, qysh nga koha kur kishte ra në konflikt me gomartë.
Grueja, e befasueme, në përlazdrim e sipër, e pyti; po ç`të gjeti, o njeri, që u ngjalle kështu papritë. Jo jo, asgja, ia ktheu Nastradini tue dashtë të dukej sikur asgja nuk kishte ndryshue në sjelljen e tij. Unë jam po ai ujku yt i vjetër. - Ashtu qoftë, zoti im, se prej kohësh të dija gjysëm të vdekun, ja ktheu ajo buzagaz.
Si dinak i madh që ishte, as në hovin e gëzimit të asaj nate nuk desht t`i hapte zemrën së shoqes e t‘i tregonte idenë që i kishte lindë.
Pasi fjeti bukur mirë atë natë, u zgjue i lehtë , por si një kec. E tha me vete: Bah, sa kohë kam pa mundë me zanë një sy gjumë i qetë! E nga kush se …
Ashtu siç ishte në kembë, i tha grues t‘i pëgatiste një tro bukë, se donte të dilte në katund. E kishte shkërmoqë malli, por edhe hokat po i rrapllonin në krye, donin të çliroheshin nga ai burg i pamerituem. Si hangri dy kafshatë, ashtu shpejt e shpejt, mori rrugën për në katund. Ecte rrugës me një buzëqeshje të hollë. Sa hyni në han, takoi shume nga të njohunit, që ia shpërthyen një gezi të papamë. Përqafimet e ngrohta tregonin sa u kishte mungue. Ta ngucte kush atë ditë as që bahej fjalë. Shihej qartë sa ishte ndje mungesa e tij. Fytyrat e rrudhosuna u çliruen. Rrallë e përmallë, tha njëni prej tyne. Dhe, qysh atë ditë, në fjalorin tonë zuni vend edhe kjo thanje e bekueme.
Një mbramje, në atë dimën të vonë, ndërsa Nastradini po rrinte bashkë me shumë të tjerë e po bisedonin për të mbjelljat e pranëverës, njëni prej tyne e pyti: - Nastradin, çfarë ke ndërmend të mbjellësh sivjet te Ara e Fushës? Nasradini, pa ngurrue e shumë i sigurtë, ia ktheu: Arën do ta mbjell me farë gomarësh. Katundartë, që nuk kishin dëgjue kurrë diçka të tillë, nisen me qeshë. Nasradini, tue qenë i bindun në idenë e vet, e për t` lanë përshtypje serioziteti, ashtu i mvrejtun në fytyrë, ua ktheu: Pritni, burra pranëverën, se do shihni vet mandej.
Të nesërmen fjala mori dheun, po meqë Nasradini njihej për çudina, nuk shkuen shumë ditë dhe gjithqka u harrue.
Disa javë ma vonë erdhi pranëvera e bashkë me te edhe çasti i shfaqjes së mrekullisë.
Një nadje heret, tue pa se ishte mot i mirë, mori gruen, qetë dhe gjenat e nevojshme për të shkue në arë. Si vuni farë thekne në një enë, filloi shpërndamjen e saj tue thirrë: - hidh farë e mbij gomar, hidh farë e mbij gomar.
Një kalimtar i rastit ndjeu thirrjet e Nastradinit, u ndal nga habija dhe, mbasi e përshëndeti, e pyti çfarë po mbillte aty. – Farë gomari, ia ktheu Nastradini. Kalimtari u habit nga sa dëgjoi dhe bane sikur nuk kishte dëgjue mirë, prandaj pyti përsëri dhe përsëri mori po atë përgjigje. Po kalimtari, tue e njohë Nastradinin dhe bamat e tij, iku në punë të vet pa e tjerrë ma tej.
Mbas pak edhe një kalimtar tjetër u josh nga thirrjet e Nasradinit, por edhe ai iku, ashtu tue qeshë me gojën kra me kra. Mbas tij erdhi tjetri, e tjetri, deri sa ara u mboll e tana.
Shkuan vetëm pak ditë dhe thekna doli mbi tokë. Nastradini vinte shpesh për të pa rritjen e theknës, e kuptohet, edhe ardhjen e gomarëve. Thonte me vete: Me siguri, ata tash edhe do të jenë shumue. Do t‘i kenë lindë edhe nga dy mbasardhës, se bereqeti i arës sime i pat dalldisë krejt.
Kaluen disa javë dhe thekna ia dha kund një metër. Një ditë ia behën aty edhe gomartë. Nastradini, që po priste i fshehun në krye të arës, porsa vrejti mbërritjen e gomarëve, vrapoi flutrimthi. I vuni kapistallin njenit, i hipi në shpinë dhe drejt e në stallën e tij. Erdhi mori tjetrin, e tjetrin, e tjetrin… deri tek i fundit, pa kuptue çka po ndodhte të shkretit gomarë.
„Eh, tha Nastradini me vete, s`më ka njohë edne ai budallaj. Po desht, le të shkojë edhe ai në arën time. Një kapistall e kam edhe për atë.
Nuk vonoj shumë dhe në stallë nisën pëllitjet e gomarëve të zanë rob. Sa njeni e sa tjetri, po edhe Nastradini po hingëllinte tue dashtë të zgjonte vemendjen e katundarëve. U ba zhurme e madhe. Të parët që vrapuen aty qenë femijtë, mandej erdhën edhe të rritunit. Hë, i thanë, ç`asht kjo zhurmë e këta gomarë këtu? Po këndojnë, u tha Nastradini. Janë gëzue që i vola. Po ku i vole,more? Ku, posë te Ara e Fushës ku i kisha mbjellë. Po si mbillen gomartë, o Nastradin? A nuk isha unë që u kisha thanë se do ta mbjell me farë gomarësh kur më pytët në dimën? Mandej, a nuk ju thash edhe ditën kur kaluet atypari nësa unë po mbillja në arën time? Betohuni se nuk ju thashë kështu, iu drejtue ai bashkfshatarëve. Të gjithë sa ishin aty, e pohuen vërtetësinë e fjalëve të tij.
Nuk vonou shumë dhe tek Nastradini arrijti edhe „baba“ i gomarëve. Guximi i Nastradinit për t`i marrë gomartë e kishte befasue. I zënë keq në faj, nisi te thirrej në parimime burrerore. U shprëh i gateshem për damshpërblim, për aq sa i kishte shkaktuar Nastradinit. Jo, jo ia ktheu Nastradini, për mallin tim nuk ka as damshpërblim, as diskutim. Këta gomarë nuk kanë ardhë këtu nga shtëpija jote, por nga ara ime. Janë frut i arës sime. I mbolla para disa javësh dhe sot i korra. Po ai tjetri ngulte kambë se ishin gomartë e tij. Thirrën një migjlis në fshat për të nda drejtësinë e rastit. Me dëshmitarë të shumtë, Nastrasini mundi të vërtetonte pronësinë e tij mbi gomartë.
Vëllazën e motra fytyrënximë të Kosovës!
Në krizën e këtij turpi që ka përfshi sot Kosovën dhe mbarë shoqninë shqiptare, sa nuk po arrij të shoh as fytyrën time në pasqyrë,
se ç`më erdhi një lajm i mirë. Porsa më njoftuen, se në vendin tonë, në Pranëverë, pritet ardhja e trashëgimtarit të Nastradin Hoxhës, zotit Nastradin Marti. Mendja e tij e ndritun, shpirti i tij i bardhë, gjithë pikllim për fytyrat tona të nxime, gjaja e pare që ka ndërmend me ba asht: Të na mësojë se si lahen syte dhe fytyrat tona të nxime katran. Mandej ka ndërmend të na mësojë rrugën për në arat tona dhe, simbas planit të tij Agrokulturor, të fillojmë me kultivimin e organeve njerëzore. Si kishte analizue kushtet tona toksore-klimatike, kishte gjetë të gjitha parakushtet e duhuna për realizimin e një prodhimtarie shumë të naltë të këtij produkti, aq sa Arat e Dugagjinit dhe anë e kand Kosovës të mund të realizojnë plotsimin e nevojave të mbarë shëndetësisë botënore. Po ashtu, veç qellimeve humane dhe ekonomike, në synimin e kësaj veprimtarie qenka mbeshtetë edhe goditja për vdekje e mafjes kosovare. Shkurt e shqip, që ata t`mos kenë ma fare laverdi të pergjakun duert tue ua nxerrë njerëzve organet nga trupi, por t‘i kthehen punës së ndershme: kultivimit të organeve njerëzore nëpër arat e tyne, mbasi edhe gjatë proçesit të privatizimit të tokave të Kosovës ata kanë dalë edhe përfituesit më të mëdhej të tokave të punueshme.
Falë edhe mrekullisë së dikurshme të Nastradinit, s`kemi pse të dyshojmë në suksesin e kësaj pune.
Me këtë rast nuk na mbetet tjeter veç se ta „falnderojmë“ përzemërsisht zotin Marti, që u kujdes të na jepte “krahun“ edhe në këte krize, mbi të gjitha, morale.