Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


"Prifti kërkoi 100 mln lekë, kam 8 dëshmitarë"

| E diele, 23.01.2011, 04:15 PM |


Nga Genc Kondi

 

Fillojnë kundërakuzat për korrupsion ndaj ish-ministrit Prifti. Drejtori i përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë e Ekonomisë, deklaron publikisht se ka qenë Dritan Prifti, ai që i ka kërkuar 100 milionë lekë të vjetra, në këmbim të firmës së tij në një dokument për zhbllokimin nga Thesari të një shifre të ngurtësuar prej mbi 210 milionësh. 
Zoti Banushaj, ish-ministri ju ka akuzuar se keni kërkuar dhe përfituar pa të drejtë një shumë të madhe nga buxheti i shtetit. Si e cilësoni këtë akuzë? 
Së pari, duhet të them se për këtë akuzë, që e kam marrë vesh me vonesë, pasi kam qenë jashtë Shqipërisë, do të ngre padi gjyqësore për shpifje. Së dyti, çështja qëndron kryekëput ndryshe, nga sa e paraqet atë zoti Prifti. 
Mund të na e saktësoni rolin tuaj në këtë proces? 
Po, unë i kam kërkuar ish-titullarit të ministrisë së linjës që të zbatonte deri në fund një urdhër, të nënshkruar më parë nga dy ministra - Bode dhe Ruli. Kam vepruar në cilësinë e avokatit të një kompanie të huaj, e cila është ankuar në të gjitha instancat për vonesën e pagesës së këstit të fundit të një shume, të ngurtësuar më parë nga ajo në Thesar. Kompania në fjalë është një subjekt që operon në 12 vende të botës në fushën e investimeve. Ajo kishte një marrëveshje, të nënshkruar me qeverinë shqiptare më 98-ën, për investime në Vlorë: në portin e jahteve të Radhimës dhe në rigjallërimin e fabrikës së bllokuar të çimentos, etj. Investimi do të ishte në rreth 100 milionë dollarë. Për këtë iu kërkua ngurtësimi i një shume të konsiderueshme. 
Aktualisht, vazhdon të punojë kjo kompani në Shqipëri? 
Jo, grupi KA Holding (Vlora Cem) është larguar nga Shqipëria për shkak të problemeve të ndryshme. Sipas marrëveshjes, ajo kishte të drejtën të tërhiqte shumën e depozituar prej saj si garanci në Thesar. Aktualisht, ajo ka dy procese të hapura në Shqipëri kundër autoriteteve dhe do të kërkojë në Strasburg 60 milionë euro dëme, si pasojë e veprimeve të kundërligjshme të ish-ministrit Prifti. 
Ku bazohet akuza që i bëhet Priftit për veprime në kundërshtim me ligjin? 
Në vitin 2008, Ministria e Financave pohon zyrtarisht se kompania ka depozituar në periudhën dhjetor 1998-maj 2004, 102.4 milionë lekë të reja për llogari të Ministrisë së Ekonomisë. Më 31 korrik të po këtij viti urdhri i ministrit Ruli pranon prishjen e kontratës dypalëshe, për mosrespektim të detyrimeve kontraktore nga ana e METE-s dhe fillon pagesa me këste e shumës së depozituar. U paguan gjithsej katër këste, nga gushti, deri në dhjetor 2008, në total 80.2 milionë lekë. Këtu ndodh veprimi i paligjshëm i Priftit, për të bllokuar pagesën e këstit të fundit, që nuk ishte pak, por 21.230.720 lekë. Ai u prononcua se, në bazë të ndryshimit të kursit dollar/lek, shteti e ka shlyer detyrimin. Por, Thesari punon me lekë, jo me dollarë, detyrimi është shumë i qartë. Në nëntor 2009, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit kërkon nga zoti Prifti "Zbatim të plotë të urdhrit të ministrit të Ekonomisë për rikthimin e shumës në fjalë kompanisë". 
Pse nuk e pagoi Prifti? 
Ai më kërkoi "nën dorë" 100 milionë, për të lëshuar firmën e tij. Këtë e dinë tetë dëshmitarë, duke filluar nga titullari aktual, Nasip Naço. Më pas, e "uli pazarin" në 50 milionë. 
A iu dhanë paratë kompanisë? 
Në nëntor 2010, ministri Meta urdhëroi zhbllokimin dhe kthimin shoqërisë në fjalë të shumës së plotë.

Gazeta Shqiptare, 20/01/2011