| E shtune, 22.01.2011, 04:26 PM |
Një Shqipëri në vaktin e zi
Nga Enver Robelli
Vetëm gjakderdhja është më keq: fjalimi i fundit i kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha në parlamentin e Tiranës shënon nivelin më të neveritshëm të debatit publik. Është rrezik që kjo zgjebe të përhapet edhe në Kosovë dhe pastaj gjendja të bëhet medet për milet e dovlet!
1. Berisha i qetësuar.
Kur e intervistova Sali Berishën në nëntor të vitit të kaluar në selinë e tij në Tiranë ai dukej plotësisht i relaksuar, i çlodhur, energjik, por me humor. Sapo ishte marrë vendimi që shqiptarëve t’u hiqeshin vizat për vendet e Schengenit. Tirana ishte stolisur me tabela që tregonin distancën me qytete të largëta si Oslo dhe Madridi. Një ëndërr po bëhej realitet, në radhë të parë për ata shqiptarë që kanë mjaft para për të udhëtuar. Por, heqja e vizave ka një efekt të mirë psikologjik për të gjithë shqiptarët, sepse ata s’e shohim më veten si dele të zeza të Evropës; si zhuganë të dënuar të jetojnë në izolim. Jo pak njerëz në Shqipëri e kanë ndier veten kështu në dy deceniet e fundit. Berisha rezervoi gati 40 minuta për bisedë, madje disa herë lejoi ta ndërprisja, gjë që s’është fort zakon i tij kur flet me gazetarë ose me kundërshtarë politikë. Kryeministri foli për shumë tema, për lirinë e lëvizjes, që, sipas tij, ishte ndër dhuratat më të bukura që kishin marrë shqiptarët ndonjëherë nga Evropa, për zhvillimin ekonomik, për rritjen e rrogave dhe pensioneve, për qasjen e shqiptarëve në internet, për ardhjen e qindra-mijëra turistëve në Shqipëri. “Paramendojeni”, tha Berisha, “para 20 vjetësh atyre pak turistëve që vinin në vendin tonë sapo zbrisnin në aeroport një berber i partisë ua qethte flokët e gjata”.
Kryeministri shqiptar ishte fund e krye realist edhe kur foli për pozitën e shqiptarëve në rajon. Tha se nuk mund të ketë ndryshim të kufijve, se Shqipëria përherë duhet ta respektojë vendimin e kosovarëve që të kenë shtetin e tyre dhe – një ditë! – kombi shqiptar do të bashkohet në kuadër të integrimeve evropiane, atëherë kur kufijtë do të humbin rëndësinë e tyre.
Njëkohësisht Berisha e porositi presidentin serb Boris Tadiq se çdo përpjekje për ndarjen e Kosovës nuk e zgjidh çështjen shqiptare në Ballkan, por tek atëherë kjo çështjet hapet në të gjitha frontet. Intervista u botua në një gazetë në Gjermani dhe në një tjetër në Zvicër, pastaj u citua nga agjencitë dhe nga mediat në Ballkan. U largova nga Shqipëria me shpresën se heqja e vizave, anëtarësimi në NATO dhe integrimi i ngadalshëm në Bashkimin Evropian do të krijonin një klimë të favorshme që, më në fund, të qetësohen gjakrat edhe në dialogun e brendshëm politik mes Partisë Demokratike të Sali Berishës dhe Partisë Socialiste të Edi Ramës, dy këndesave më agresivë të skenës politike shqiptare.
2. Berisha i hallakatur.
Por, debati dhe zhurma gjatë seancës së parlamentit shqiptar të hënën në mbrëmje e rrëzoi egërsisht iluzionin tim për një Shqipëri që dalëngadalë po hyn në rrugën e debatit të civilizuar. ‘Skena politike e Shqipërisë shpesh kundërmon një duhmë kënete, e cila i bën shumë politikanë evropianë t’i mbyllin hundët.’ Kështu shkrova në faqet e kësaj gazete javën e kaluar. S’e prisja që politikanët e Tiranës me fjalorin e tyre, me gjestet e tyre, me britmat e tyre do ta vulosnin kaq shpejt këtë mendim timin. Kuptohet se Berisha gjendet në një situatë të rëndë politike. Një ministër i qeverisë së tij (Dritan Prifti) ka incizuar ministrin tjetër (Ilir Meta) duke bërë pazare për tenderë dhe punë të tjera të paligjshme. Në vend që kjo çështje t’i lihej drejtësisë, ajo ka filluar të politizohet e personalizohet skajshmërisht. Të hënën në mbrëmje ky debat i pështirë arriti kulmin. Kryeministri Berisha e bëri fajtore opozitën socialiste për skandalin e videos. Gjuha që përdori ai ishte e frikshme, e ndotur, plot vrer e helm. Kush e ka dëgjuar s’ka se si të mos ndihet i trishtuar nga ky fjalor. Berisha u përpoq ta skicojë Edi Ramën si përbindësh të pamoralshëm, duke futur hundët thellë në familjen e oponentit të tij politik dhe duke shpërndarë akuza që publiku e ka të pamundshme t’i verifikojë, ndonëse për debatin politik edhe ashtu janë irelevante. Ishte makabre kur Berisha tha se babai i Edi Ramës ka shkuar me nusen e djalit të tij dhe e ka lënë shtatzënë. Ishte një thikë retorike pas shpine kur Berisha përmendte disa fotografi nudo të Edi Ramës dhe një gruaje tjetër në plazh. Çdokush mund të ketë mendimin e tij privat për jetën private të Ramës, por a është më e moralshme përpjekja për plaçkitjen e shtetit, siç bëri Ilir Meta, apo fotoja lakuriq në plazh e një hedonisti të vetëshpallur? Në vend që pas këtij shpërthimi të Berishës opozita socialiste të braktiste parlamentin, shumë deputetë iu afruan foltores si një tufë fëmijësh të paedukuar dhe filluan një pingpong sharjesh. Madje në një moment, kur Berisha iu tha socialistëve “merrni edhe gratë dhe motrat dhe zhvishuni lakuriq këtu”, deputeti socialist Arben Çuko, ish-ushtarak, e humbi kontrollin dhe ia përplasi kryeministrit këtë fjali: “Të q… robtë”. Në historinë e parlamentarizmit shqiptar do të mbesin të shënuara edhe këto fjalë, të cilat të hënën në mbrëmje dolën nga goja e Sali Berishës në adresë së socialistëve: “Legena, larva blloku, mjeranë, budallenj, klane droge” etj. Vetëm gjakderdhja është më e rëndë se këto fjalë. Por, edhe gjakderdhje ka njohur parlamenti në Tiranë. Në shtator të vitit 1997 deputeti Azem Hajdari u godit me disa plumba nga deputeti socialist Gafurr Mazreku. Politika shqiptare ka kaluar nëpër tmerre të pashembullta si pasojë e mungesës së tolerancës dhe teprisë së primitivizmit. Në Shqipërinë londineze, nga viti 1915 deri në vitin 2009, janë vrarë mbi 30 politikanë, mes tyre kryeministra, ministra, prefektë e deputetë. Mjafton këtu të përmendim disa emra më të njohur: Nexhati Libohova, Preng Bibë Doda, Abdyl Ypi, Esat Toptani, Avni Rustemi, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Zija Dibra, Isuf Dibra, Ceno Kryeziu, Mark Kapidani, Hasan Prishtina, Qazim Koculi, Idhomeno Kosturi, Lefter Kosova, Nako Spiru, Mustafa Xhani, Fejzo Dervishi, Alush Lleshanaku, Omer Nishani, Sali Ormëni, Mehmet Shehu, Haxhi Hajdari, Azem Hajdari.
3. Berisha dhe majmuni.
S’ka mbetur gati asnjë shqiptar pa dhënë mendimin e tij për raportin e Dick Martyt mbi dyshimet mbi krimet e disa eksponentëve të UÇK-së. Pjesa më e madhe e këtyre njerëzve lënë përshtypjen se nuk e kanë lexuar fare raportin, por flasin me hamendje, sepse kështu duan t’i hyjnë në hatër ndonjë lideri politik apo të tregojnë muskujt kuazipatriotikë. Këtu, për fat të keq, s’bën përjashtim as Sali Berisha. Ai synon të tregojë para opinionit gjoja epërsinë e tij intelektuale dhe fundoset në batak. Fillimisht e quajti raportin e Dick Martyt racist, rrenacak, antishqiptar, të ngjashëm me romanet e Franz Kafkës etj. Të gjitha këto do të harroheshin, sepse janë kapardisje tipike të politikanëve ballkanikë, të cilët kur nuk kanë argumente qesin shkelma të sertë retorikë. Të hënën në mbrëmje Sali Berisha lëre që shkeli çdo rregull etik e moral të debatit publik duke e përbaltur familjarisht Edi Ramën. Të hënën në mbrëmje Berisha e akuzoi Ramën se qëndron edhe pas raportit të Dick Martyt, kur deklaroi: “Gjeti tek-tuk ndonjë racist antishqiptar të tipit Dick Marty, e mobilizoi të çirrej si racist në Parlamentin Evropian, paçka se shqiptarët kishin qytete që llamburitnin dhe ndriçonin në Ballkan dhe në Evropë, ai kacavarej si majmun në pyjet e vendit të tij”.
Krahasimi i Martyt me majmunin është një rrëshqitje e tmerrshme mendore, që nuk do t’i ndihmojë as Shqipërisë, as Kosovës, e më së paku Berishës. Hej, këtë po e thotë kryeministri i një vendi që është anëtar i NATO-s! Në këtë mes duhet veçuar edhe rolin skajshmërisht të dëmshëm që në seancën e parlamentit të hënën në mbrëmje luajti Jozefina Topalli. Si kryetare e kuvendit ajo është dashur t’ia marrë fjalën Berishës dhe secilit deputet që kalon kufijtë e debatit parlamentar.
Topalli s’e bëri këtë, por u bë pjesë e lojës bizare: derisa Berisha fyente, ajo zgërdhihej, fliste përçart dhe duartrokiste. Dëgjueshmëria ndaj liderit, qoftë ai edhe Sali Berisha, ka një kufi. Ky kufi është moslejimi i tij të marrë peng parlamentin dhe ta shndërrojë atë në torishtë me bajga gjuhësore. Kjo është Shqipëria në vaktin e saj të zi.
4. Zhvlerësimi i vokabularit.
Një ndër pasojat e debatit të egër politik dhe publik në Shqipëri është degjenerimi total gjuhësor. Zhvlerësimi i vokabularit. Humbja e kuptimit dhe peshës së fjalës. Ky kreativitet absurd i sharjeve që manifestohet në Shqipëri të kujton romanin “1984” të George Orwellit, ku autori inskenon tmerrin e një shteti totalitar, i cili zhvillon madje edhe një gjuhë të veçantë: Gjuhërenë (Newspeak): “Lufta është paqe, liria është skllavëri, injoranca është fuqi”. Në Shqipëri është pothuaj normale kur politikani ia thotë një politikani tjetër një fjalë jonormale. I thotë vrasës dhe tingëllon sikur të ishte humanist. I thotë bandit dhe tingëllon sikur të ishte bamirës. I thotë kriminel dhe tingëllon sikur të ishte i urtë dhe i pasherr. I thotë shkelës i ligjit dhe tingëllon sikur të ishte mbrojtës i ligjit. Apo ndoshta pikërisht e kundërta e kuptimit del të jetë më e saktë!
Duket se ky është dëmi më i madh që i bëjnë Sali Berisha, Edi Rama dhe politikanët e tjerë Shqipërisë. Helmimi i gjuhës ndikon në egërsimin e debatit publik dhe mund të çojë në eskalim të situatës politike, siç ka ndodhur në të kaluarën jo të largët.
Është evidente që Edi Rama në mungesë të ideve për një politikë bindëse opozitare gjithë energjinë e tij e harxhon duke kontestuar rezultatin zgjedhor, sado legjitim të jetë ky kontestim, por, megjithatë, do duhej të kishte edhe tema të tjera. Ashiqare i shqetësuar se mund të humbë zgjedhjet për kryetar të Bashkisë së Tiranës në fillim të majit ose se mund t’i dalë në shesh ndonjë aferë korruptive, sepse as Rama nuk është imun ndaj këtij fenomeni shkatërrues, kryetari i Partisë Socialiste përpiqet të instrumentalizojë pabesisht mllefin e mbështetësve të tij kur thotë se “populli mund të kërkojë rrugë të tjera për rrëzimin e qeverisë”. Kjo është thirrje për puç kinse popullor, sepse Rama s’i referohet vetëm përkrahësve të tij, por gjithë popullit, edhe pse kjo për një politikan partiak është e palejueshme. Bile një kohë Rama fliste për “popullin opozitar”, duke bërë kështu një ndarje qesharake mes shoqërisë shqiptare. Dordolecë të tjerë politikë sikur Skender Gjinushi, të stërvitur që në vitin 1997 me shkatërrimin e shtetit, u bëjnë thirrje shqiptarëve që për heqjen e Berishës nga pushtetit të marrin si shembull Tunizinë e ditëve të fundit. Pas anarkisë gjuhësore, vjen thirrja për anarki e gjakderdhje. Është e padobishme që politikanëve të tillë t’u bëhet thirrje për sjellje racionale. Por, është më se e nevojshme që sjelljet e tyre të mbesin të dokumentuara për gjeneratat që vijnë.
5. Një shikim nga Kosova.
Kur i dëgjon e i sheh gjithë këto ndotësi në ambientin politik të Shqipërisë, treva politike e Kosovës të duket parajsë. Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, dy liderët me mbështetjen më të madhe popullore, duken qengja. Për shkak të pranisë ndërkombëtare në Kosovë është zhvilluar njëfarë kulture pak më e matur politike se në Shqipëri. Është e paimagjinueshme që Mustafa t’i thotë Thaçit kriminel apo Thaçi t’i thotë Mustafës bandit. Në vend që kjo kulturë e matjes së fjalëve të zhvillohej në Kosovë edhe më tutje, për fat të keq ekzistojnë përpjekje që të importohet vokabulari i Tiranës dhe i tiranisë në diskursin publik. Pra, në Kosovë ka përpjekje për ndotjen e debatit sipas modelit të televizioneve të Shqipërisë, ku moderatori (vetë)reduktohet në rolin e matadorit dhe synon të ndalë pa sukses ortekun e shpifjeve mes politikanëve. Në këtë kuadër në Prishtinë hyjnë edhe tekstet e disa ish-gazetarëve të shndërruar në politikanë, të cilët me shprehje e mendime krejtësisht të zbehta dhe urrejtëse e sulmojnë Isa Mustafën se qenkësh komunist, rrjedhimisht i dëmshëm për sistemin politik të Kosovës. Kjo qasje i bën vetë komunist-ngrënësit e rinj qesharakë, përfshirë edhe krahasimet e tyre fluturuese dhe pa asnjë dije historike. Ky është po ai nivel i ulët sikur para disa vitesh, kur gazeta që e shpallnin veten mbështetëse të Lidhjes Demokratike të Kosovës propagandonin mbi tokë dhe nën tokë se Hashim Thaçi s’paskësh bërë gjë tjetër në Zürich përveç se paskësh vjedhur, siç thuhej, “farmerka” (xhinse). Një nivel të tillë e patën demonstruar edhe disa militantë të LDK-së në ceremoninë e shënimit të 20-vjetorit të partisë së tyre, kur i fishkëllenin Hashim Thaçit, i cili ishte i ftuar si mysafir. Kosova nuk duhet të kontaminohet me llafe primitive në stilin “Thaçi – vjedhës farmerkash” e “Mustafa komunist”. Edhe ata kaubojtë pa kuaj që flasin në emër të luftëtarëve për çlirimin e Kosovës dhe mendjehumbur thonë se Albin Kurti qenkësh “spiun i Serbisë” do ishte mirë që nëse kanë dëshmi, qofshin ato edhe të fabrikuara, t’i deponojnë në prokurori e të mos merren me trillime të inspiruara nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe nga ideologjia vrastare staliniste. Të mjerë janë ata që mendojnë se kanë monopol në matjen e patriotizmit të secilit në peshoren e tyre të alltënit.
Ky kandar është ndryshkur. Hidheni në bërllok!