| E enjte, 20.01.2011, 08:59 PM |
Dita e Çakallit
Nga Lavdrim Lita
“Dita e çakallit” është titulli i romani të njohur të shkrimtarit britanik, Frederick Forsyth, i botuar në vitin 1971; në Shqipëri shkrimtari Ismail Kadare sapo kishte përfunduar të paharrueshmen “Kronikë në gur”. Kur e kam lexuar mësova se në këtë libër flitej për një vrasës profesionist që i ishte dhënë detyra për të vrarë presidentin e madh francez, Zharl De Gol. Me dashje ose padashje ky roman, më pas, është përkufizuar nga kritika si një nga veprat më të arrira të spiunazhit.
Përtej gjykimeve të kritikës, Frederick Forsyth rrëfen saktësisht sesa e lehtë është të kesh dokumente false, në Angli. Duke qarkulluar nëpër varreza e vogla të shpërndara nëpër Britani, çakalli merr të dhënat e fëmijëve të vdekur për shkaqe natyrore dhe arrin të zhvasë certifikatat civile të vdekurve, në famullitë. Pastaj çonte dokumentacionin zyrave të gjendjes civile, për të marrë një kartë identiteti, me motivacionin se e kishte humbur. Kjo gjendje civile në vitet, 60-70, nuk bënte asnjë kontroll për certifikatat e vdekjes, prandaj jepte karta identiteti për çdo njeri që dërgonte një kërkesë. Kjo metodë përdorej edhe nga qeveria Britanike për të krijuar identitete false të agjentëve të saj sekret. Ky zbulim ngriti çështjen në kupë të qiellit.
Përtej këtij digresioni letrar, Ata përfitojnë të mira materiale nga fatkeqësitë e të tjerëve. Janë çakejtë e medies shqiptare. Zakonisht gjuajnë të vetmuar, herë dyshe kurse në raste të veçanta si një tufë e tërbuar, veçanërisht për të gjuajtur një pre të madhe. Ka në qarkullim shumë specie të ndryshme: çakej, hiena, sorrat, qyqet, kandrrat. Por të gjithë kanë veti morfologjike të ngjashme. Në medie dihet se ka çakej të majtë, të djathtë dhe mercenarë që i paguhet prurësit më të parë. Ndodhi që si sot një javë më parë rrethuan prenë e gabuar (Kryeministrin Berisha) duke e futur në mes, sepse dikush i kishte montuar e redaktuar një video për të thënë se kryeministri Berisha, “doktori është dakord!”. Pas daljes së videos, me çimkë, se materiali filmik është ca i modifikuar. Këtë e konfirmon fakti se një pjesë e videos është trukuar me qëllim politik, për të implikuar kryeministrin Berisha, në bisedë hidrocentralesh kur po flitej për drejtorin e KESH, Muharrem Stojku.
Padyshim publikimi i një lajmi të tillë kishte si synim krijimin e trilluar të një tjetër rasti për të baltosur qeverinë. Me çdo kusht kërkojnë të nxijnë qeverinë me akuza false, pa prova, të pavërtetuara e paverifikuara askund. Pastaj të japin dhe leksione sesi bëhet gazetaria.
Është Edi Rama që përdor medie të caktuar për të sulmuar qeverinë me çimka e shantazhe morale. Pa dyshim, regjisori i këtyre operacioneve “character assassination”, i vrasjeve virtuale të reputacionit e një figure publike. Praktika e manipulimit të opinionin publik për qëllime elektorale është pjesë e strategjisë së Ramës për të ardhur në pushtet.
Arroganca e tejskajshme për të pasur monopolin e së vërtetës i ka çuar medien afër Ramës të përligjë teorinë e spondës, që i bën në çdo rast Partisë Socialiste duke e furnizuar me kauza morale kundërthënëse. Raporti mono-maniakal i Ramës me mediat është një raport i paprecedentë, bile shumë i rrezikshëm, jo vetëm për mediet të cilat i kontrollon deri në detaje (edhe titujt e aperturës dërgohen me sms), por edhe për daljen në pah të natyrës së tij censuruese e autoritariste.