Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fadil Lushi: Sulltani, imami, prifti dhe Ilir Meta

| E enjte, 20.01.2011, 08:59 PM |


SULLTANI, IMAMI, PRIFTI  DHE  ILIR  META

 

Nga Fadil LUSHI

 

Për ta konfiguruar paksa këtë shkrim gazete, më duhet t’i referohem një historie anadollake për njëfarë imami. Njohësit e mirë të historisë së sulltanëve të Perandorisë Osmane japin një ndodhi që lidhet ngushtë me jetën e sulltan Hamitit. Thonë se sulltan Hamiti në oborrin e tij perandorak kishte angazhuar një imam me detyrën që çdo të premte, pas namazit të xhumasë, t’i ligjërojë për çështje të fesë. Këtë imam, që ishte i privilegjuar i oborrit të sulltanit, imamët tjerë të kasabasë së tij e kishin shumë inat. Kështu, një ditë para se të vinte ai në sarajin e sulltanit, një koleg i tij e kishte lutur që bashkërisht të drekojnë. Ky sherrxhi e kishte porositur prej përpara kuzhinierin e një mejhaneje që gjellës së shokut imam të sulltanit t’i hidhte sa më shumë hudhër. Pasi kishin ngrënë drekë, imami merr udhën për në oborrin e sulltanit. Meqë kishte hetuar se gojës së tij i vinte era hudhër, kësaj radhe kishte ndenjur larg sulltanit që ky i fundit të mos sikletoset nga era e gojës së tij. Por edhe sulltani këtë gjë e kishte vërejtur, megjithatë nuk i kishte dhënë rëndësi. Pas kësaj xhumaje, imami hileqar i kishte dërguar selam sulltanit se imami i tij kishte nxjerrë llaf në çarshi kinse gojës së sulltanit i ardhka erë e keqe dhe për këtë ai paska ndenjur larg tij. Kur imami paska shkuar të premten tjetër t’i ligjërojë sulltanit dhe pasi i paska kryer obligimet, sulltani i qenka drejtuar imamit të tij me këto fjalë: “Imam efendi, në dy muajt e ardhshëm unë nuk do jem prezent në oborr dhe për këtë t’i do të jesh i liruar nga obligimet. Gjatë kësaj kohe ti do të vizitosh hapësirat e perandorisë me shpenzimet e oborrit”. Pastaj sulltani i jep ca para dhe dy zarfe, ku kishte ca urdhëresa. Në të parën shkruante se ky njeri është imami i Sulltanit dhe ndaj tij duhet pasur respekt të veçantë, ndërkaq në zarfin e dytë, të cilën imami duhej ta dorëzonte në kasabanë e fundit të udhëtimit të tij, pos tjerash shkruante: “Vareni këtë njeri, sepse ai e ka fyer sulltanin!?”

            Duke qenë shumë i ndershëm, imamit nuk i duket e udhës t’i bëjë shpenzime plotësuese sulltanit, prandaj me zemërgjerësi këto dy zarfe ia ofron kolegut të tij (që kishte qëllime djallëzore) duke i thënë se ai nuk kishte dëshirë të bënte një udhëtim të tillë. Imami që donte t’i bëjë sherr kolegut dhe që donte t’i zinte vendin në oborr e sulltanit, mori udhën (pa kthim) dhe kur arriti në kasabanë e fundit dorëzoi zarfin e dytë. Ndërkohë që nizamët e sulltanit po përgatiteshin ta vrisnin, ai u thotë: Unë nuk jam imami i sulltanit, është ai tjetri që ma dha zarfin! Mirëpo nizamët i besuan urdhëresës që ishte në zarfin e sulltanit.

Me qëllim që të mos vihej re se ka refuzuar urdhrin e sulltanit, imami u detyrua të mbyllet për dy muaj në shtëpinë e tij. Pasi kaluan dy  muaj dhe kolegu i tij nuk u duk atypari, një ditë ai vendosi të kthehej në sarajin e sulltanit. Kur e pa sulltani imamin e tij, u shqetësua shumë dhe me nerva të tendosur kërkoi shpjegime plotësuese prej vezirit se pse imami i tij nuk ishte likuiduar. S’do mend se këto shpjegime i bëri imami, duke ia treguar sulltanit të vërtetën për drekën dhe ushqimin me shumë hudhër dhe për ato dy zarfe që ia kishte dhënë “mikut” të tij të djallëzuar.

Afërmendsh se historia e këtij treshi personazhesh i takon Perandorisë Osmane të dikurshme. Po ja që një histori e ngjashme treshi do ngjajë në ditë të sodit edhe në hapësirat e perandorisë politike të Sali bej Berishës, me bashkëprotagonistët e tij Ilir Meta dhe Dritan Prifti!? Rrjedhimisht dhe logjikisht Sulltan Hamiti duhet të jetë doktori, imami i tij duhet të jetë (Dritan) Prifti, ndërkaq imami ziliqar Ilir Meta?

    Socialistët, gjegjësisht kundërshtarët e Sali bej Berishës, nxorën e thanë se ai (dhe të tjerë të tillë si ai) gjatë gjithë ndërtimit të karrierës së politikëbërjes së tij është mbështetur në takatin intelektual, politik dhe korruptues të tij. Në mungesë të arsyes dhe të ndërgjegjes, ai do të kopjojë teket dhe huqet e “Bonapartit muhamedan”, do të përshtatë psikologjinë e një lidershipi që dhunon dhe përdhos demokracinë shqiptare me zare të vjetruara, respektivisht me zaret e ideatorit të diktaturës shqiptare, mandej do të adoptojë logjikën e sehirxhiut dhe sherrxhiut që, në instancë të fundit, do të aktrojë një politikan të moderuar dhe demokrat. Ai do t’u ngelë borxhli demokratëve, komunistëve, biznesmenëve, fukarenjve, jetimëve, myslimanëve, të krishterëve e të tjerëve. Aq shumë do të  katandiset, sa që do të thotë se unë mbaj mbi shpatulla gjithë dertet dhe sikletet e shqiptarëve të pasluftës. Thjesht, kjo politikëbërje e tij nga analistët shqiptarë do të regjistrohet si një e kaluar e zbehtë, e çoroditur, e shtrembëruar, toptan e korruptuar, apo edhe një politikëbërje që vegjeton në pashallëkun e korrupsionit dhe inateve histerike të tij.

      Me fjalë të tjera, Sali Berisha duke ndërtuar politikëbërjen s’do mend se   “ballafaqohet” me një sërë problemesh. Të veçanta do të jenë dorëheqjet “e porositura dhe shkarkimet e kurdisura politike”, edhe atë duke filluar që nga viti 2005 për të përfunduar më 2011. Prej 21 shkarkimesh (ca prej tyre edhe dorëheqje), dy do të jenë më karakteristike dhe që lidhen ngushtë me dy video të publikuara nga “Fiks Fare” të televizionit Top Channel, ku protagonistë kryesorë ishin Ylli Pango, ministër i Kulturës dhe një zonjushë që bënte “gazetari investigative”, e cila kishte vajtur në banesën e ministrit për të “gjetur punë”. Shkarkimi i fundit ka të bëjë me videon e po të njëjtit televizion, por kësaj radhe dedikuar ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Priftit, dhe Ilir Metës, të veshur me kostumin e zëvendëskryeministrit të qeverisë shqiptare. Dorëheqjen e këtij të fundit gojëkëqijt do ta konceptojnë si “një dorëheqje kontradiktore, romantike, ironike dhe folklorike” dhe paksa e kurdisur dhe e urdhëruar nga ana e doktorit, ndonëse Ilir Meta dorëheqjen e tij të parevokueshme do ta thurë me fjalët “Dhashë dorëheqjen pasi nuk mund të konsideroj se lënia e imunitetit është e mjaftueshme për t’u përballur me drejtësinë, por është shumë e rëndësishme lënia e detyrave qeveritare për të shkuar në prokurori si qytetar i lirë”. Edhe përkundër kësaj, njohësit e mirë të rrethanave politike, për Metën thonë se është i vetmi politikan shqiptar, i cili edhe pas çdo dorëheqje të tij gjithmonë i është kthyer triumfalisht politikës dhe institucioneve kushtetuese me të vetmin qëllim që të “humanizojë dhe të emancipojë standardet demokratike të politikës shqiptare”!??

     Disa analistë të tjerë, do të thonë madje se kjo dorëheqje e zëvendëskryeministrit, është fillim i shembjes së urës politike Berisha-Meta, shembje e piramidës së ndërtuar nga politikanë problematikë, shembje e qeverisë problematike, e qeverisë “Berisha”!?..., një qeveri me 100 gjymtime dhe me një parathënie që nuk ka njeri (shqiptar) që e redakton dot, pa lëre më edhe sulltan Hamiti.

     Ç’është e vërteta, jo më kot kryeministri Sali bej Berisha me shumë rehati do t’i pranojë e do t’i miratojë dorëheqjet e “ministrave të tij” pa marrë parasysh se ato janë produkt të aferave seksuale a pjellë e aferave korruptuese.

     Tekefundit këtë katrahurë në relacionin Dritan Prifti-Ilir Meta, padyshim se do ta kapitalizojë Partia Socialiste në krye me Edvin Kristaq Ramën. Parashtrohet pyetja sa do të jetë e përgatitur opozita e Edvinit që t’i sfidojë zgjedhjet vendore dhe kushtimisht zgjedhjet e parakohshme. Se kush kujt ia hëngri kokën, se kush kujt ia futi, se kush kishte të drejtë në videon e “Fiks Fares” të Filip Çakullit, këtë duhet ta thonë vetë lexuesit e nderuar. Prej meje mos kërkoni ta bëj këtë se më mungon takati analitik dhe filozofia e sulltan Hamitit!?