| E merkure, 19.01.2011, 08:58 PM |
Opinioni publik është një tiran i vogël
Nga Miranda HAXHIA
Përtej gjithë zhurmës që të acaron, përtej gjithë mesazheve që duan të përcjellin, regjistrimet e publikuara, debatet televizive për çështjen Prifti -Meta, më kujtuan disa ngjarje pothuaj të parëndësishme, personale dhe pa asnjë vlerë për lexuesin, por që dua t'i rendis për një logjikë, tej cinikes që po mbështjell bisedat dhe marrëdhëniet njerëzore e ato politike. "Opinioni publik është një tiran shumë i dobët në krahasim me mendimin tonë personal. Ajo që e përcakton fatin e një njeriu është opinioni që ai ka për veten e tij", shkruan filozofi dhe shkrimtari amerikan, Henry David Thoreau.
Para disa muajsh, sime bije i vodhën adresën e facebookut, i modifikuan passwordin dhe filluan ta përdorin, duke krijuar një identitet të deformuar në sytë e shoqërisë. Ajo u trondit, jo se i nxorën sekrete, por sepse po krijonin një model tjetër të rremë të identitetit të saj. Facebooku i vjedhur fliste me fjalë të rëndomta, zhargon rrugaçësh.
Kujtoj atë kohë se sa pështjellim solli mes ne të gjithëve kjo ngjarje. Kuptuam se jetonim në një qiell të hapur ku të vjedhin, të përdorin, të shkelin me këmbë duke deformuar gjithë perspektivën.
Pas denoncimeve, doli se e gjitha ndodhi për hakmarrje… nga një femër, e ashtuquajtur… shoqe e saj! Kjo gjurulldi e pati një të mirë, sepse njohu më mirë
ata që e rrethonin.
Rasti i dytë që më vjen në kujtesë është shpërdorimi i një fragmenti romani që përcillnim mes kolegësh për të komunikuar e për të shkëmbyer mendime rreth strukturës, gjuhës, personazheve, muzikalitetit dhe efektit shprehës të tij. Një lloj i tillë komunikimi u lexua si letër dashurie nga persona të tretë e më tej, po kjo copëz romani u përdor si kërcënim!!! Ishte qesharake situata sa edhe sot e kësaj dite i themi njëri tjetrit, ne miqtë e letërsisë - kujdes emailin se nga letërsia nuk bëhet gjithmonë letërsi.
Çfarë do të ndodhte me time bijë nëse nuk do ta besonim kur shpjegonte këtë FB të shpërdoruar nga të tretë? Çfarë do të ndodhet me mua, apo me kolegët e mi, sikur familjet respektive të mos e dinin punën që bëjmë, shkrimtarinë tone e të mos na besonin? Në marrëdhënie familjare, ndërpersonale, ne arritëm dhe i ruajtëm ekuilibret, duke shmangur modestinë, them, falë kulturës dhe mirëkuptimit mes nesh e miqëve tanë.
Por çfarë ndodh nëse je nën një petk akuzash kur si akuzuesi, ashtu edhe i akuzuari janë përfaqësues institucionesh dhe drejtues të lartë, të cilët shoqëria i shikon si model, kërkon të përfitojë nga sjellja e tyre, nga mënyra e komunikimit dhe nga mënyra e kulturuar e shfaqjes dhe demonstrimit të punës së tyre në shërbim të vendit?
Të jesh i gjurmuar, i vëzhguar, është rrisk që e ka secili prej qytetarëve në të gjithë botën për interesa që fillojnë nga më meskinet dhe deri te ato më të rafinuarat; por të jesh person publik, të jesh përfaqësues i një institucioni do të thotë të kesh edhe aftësinë tjetër, që nuk kanë mundësi ta demonstrojnë të thjeshtët, të prezantosh një moral të respektueshëm dhe një etikë të vlerësuar.
Mes akuzuesit dhe të akuzuarit është e gjithë përvoja e vështirë e qeverisjes ku, përpara shqiptarëve u shpalos një modul i ri qeverisjeje, e Djathta bashkë me LSI-në, kjo nuk kishte ndodhur më parë dhe ne kishim mësuar vetëm të shihnim bardh e zi. Akuzat e Priftit më kujtojnë akuzat e Ndokës, fill pasi u hoq si ministër Shëndetësie, aq sa, më krijohet një obsesion se gjithë ministrat që një ditë do hiqen nga posti i tyre, do fillojnë të rrëfejnë atë që e paskëshin ditur, por nuk e thoshin dot, se ishin vet ministra! Apo të gjithë ata që ëndërronin një post të lartë dhe nuk e morën, menjëherë u sulën në krahun
kundërshtar, duke bërë opozitë e duke dhënë leksione për demokracinë dhe korrektësinë politike!
Andreotti, ish kryeministri italian, për dhjetë vjet rresht u akuzua për bashkëpunim më mafian, bash prej mafias italiane. Për ta bërë të besueshëm këtë bashkëpunim, akuza mbështetej në deklaratën e një kryemafiozi se në një darkë, Andreotti ishte puthur e përqafuar me një mafioz të rrezikshëm. Pas një dhjetë vjet shkallësh të ndryshme gjykimi, Andreotti fitoi pafajësinë e plotë nga gjykata e Lartë. Në përfundim të procesit të gjatë gjyqësor, një mik i tij, i afrohet dhe kërkon ta përqafojë në shenjë urimi. "të lutem, mos më përqafo, i thotë Andreotti, sepse me një akuzë të tillë, dhjetë vjet rresht u mor një prokurori e tërë!"
Duke mos rënë në grackën e euforikëve, urrejtësve dhe amplifikatorëve të kësaj sjellje të pamoralshme me përgjime të shëmtuara, unë i besoj gjykatës, i besoj ligjit dhe asaj thënies së njohur se për sa kohë nuk ka një vendim gjykate, askush nuk është i fajshëm! Këtu mbaron gjykimi im si qytetare. Dhe asnjëri prej nesh nuk ka të drejtë të ndërtojë skema romanesh policore për hir të politikës, në shërbim të politikës.
Jemi në prag të zgjedhjeve lokale (po në prag zgjedhjesh në 2009, u shfaq përgjimi ndaj ish ministrit të Kulturës!) e nëse opozita shkon në këto zgjedhje me skema përgjimesh, pa një strategji për të ardhmen e saj, do kemi një fushatë e cila do shndërrohet në arenë të urrejtjes personale dhe pa asnjë skrrupull.
Ndërsa kemi nevojë për të komunikuar, për të prezantuar dhe për të demonstruar vlera, e kur thuhen këto fjalë, pyetja e parë që secili, me apo pa post politik i bën vetes- kush jam unë? Dhe jo - cilin do përgjoj sot. Proverbi i vjetër trojan " U trembem grekërve edhe kur bëjnë dhurata" mu kujtua pas denoncimit të vonuar të çeshtjes Prifti- Meta.
Dashamiresisht, Miranda H.