Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pilo Zyba: Gëzuar Dardani

| E marte, 18.01.2011, 08:57 PM |


PILO ZYBA

 

GËZUAR DARDANI

 

- Poemë 

 

Tërmet, fortunë, zjarr, breshëri,

Dimër i ashpër përmbi fole.

Zogjtë e tu moj Dardani

Po shtegëtojnë nëpër re.

 

Kërkojnë një shteg nëpër stuhi

Kërkojnë një streh pa gjak e lot.

Kërkojnë një dorë, një dashuri,

Që nëpër shekuj se gjetën dot.

 

Shtegtojnë e marrin në krah

Një dhimbje malli dhe lirinë,

Nga lumi i gjakut që kurrë su tha

E nëpër shekuj shkroi historinë.

 

Zog grabitqar një predhë gërrhet

Përmbi një lis, përmbi një votër,

Filizin e jetës i pret

Dhe ëndërrat një ëngjëlli të vogël.

 

Ku shkon ky plak mjekër bardhosh

Si një Korab me borë mbuluar?

Në mjekër të tij mund të lexosh

Një histori në shekuj shkruar.

 

Ku shkon kjo nënë me këtë djep

Me sisën jasht si vetë Rozafa?

Ndërsa fëmijës të pijë i jep

Qumshtin legjendë e lë nga mbrapa.

 

Kjo buzë vajze përse dridhet

Si flete e pemës në stuhi?

Në tragjedi e zjarr po digjet

E saja jetë e dashuri.

 

Po ky fëmijë që sdi ku shkon

I ka të vegjël krahët pupla,

Me veshtirësi po fluturon,

Mos ja vrisni ëndrrat e bukura.

 

Shtegtojnë të mardhur, të munduar,

Në Londër, Berlin e në Romë,

Areodromet  presin  pa i ftuar,

Për ta një zgjidhje, nuk e thonë.

 

Lumënj njerzish derdhen – derdhen

Ku në Shkodër në Berat,

Pa përshëndetur e lanë çerdhen

Duke kërkuar tjetër fat.

 

Lumënj kujtimesh pas i ndjekin

Të qëndrojnë dhe të presin,

Duart zgjasin dot si prekin

Veç me të vdekurit mbesin.

 

Ky pus i bukur mes avllisë

Si sy i bukur nëpër natë,

Rri dhe i lutet perëndisë

Që ti dhurojë tjetër fat.

 

Si përgjigje krisma vetëm

Përmbi pemë avlli dhe jetë,

Për të shurdhuar të vërtetën

Që veç një gjuhë di dhe flet.

 

Ah, kjo shtëpi pa tjegull, djegur,

Me dy dritare sy të çjerrë,

Çfar ka parë ka mbetur e mekur

Një sisë gruaje, një grykë të prerë..

 

Një votër e ngrohtë, një dashuri

Që kurrë nuk ja lanë të qetë,

Në mijra shekuj histori

Nën zjarr, barot dhe helmetë.

 

Nën hi të saj, nën prush dëshirash

Rrinte liria ëndërr e rrallë,

Shpërndante gjithnjë në netë shirash

Flakë Vezuvi thosh: - Jam gjallë!

 

Diku një kokë, diku një këmbë

Shpërndarë në lugina e ara,

Janë një akuzë e rëndë

Për Sllobodan e çfar mban fara.

 

Një tufë shqiponjash nëpër re

Bëjnë herglife me krah e këmbë,

Zgjojnë një mall atje ku fle

Një Dardani një zonjë të rëndë.

 

Fryn një erë përmbi luginë

Krahët e rëndë i shkund një lis,

Mbi të shqiponjat shkojnë e vijnë

Të ulin erën e lirisë.

 

Një djep përkundet përmbi të

Nënë Dardania ninullë këndon,

Ëndrra i thur me t’bukurin zë

Liridon emrin e pagëzon.

 

Shqiponjat çajnë qiej dhe re

Të kthehen zogjtë e shtegëtuar,

N’fole të vjetër me histori të re

Të lirë, vëllezër të bashkuar...

 

Dollinë me fund: - KOSOVË  GËZUAR !