Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Dhima: Kol Tivari ngrihet nga varri

| E marte, 18.01.2011, 06:53 PM |


Kol Tivari ngrihet nga varri

 

Nga Ilir Dhima

 

Kur e pyeta një herë një mikun tim se ku ndryshonte radioja nga televizori, atij nuk iu desh shumë kohë të më përgjigjej “Ndërsa në radio vetëm sa i dëgjon këta politikanët tanë parazitë, në televizor edhe i sheh kur nga goja vjellin marrëzitë dhe babëzitë”. Kështu nisi atë mbrëmja me ‘të biseda, që në një mënyrë tjetër nga ato të përditshmet nxirrte në pah diçka nga mjerimi dhe dëshpërimi i pafundmë i njerëzve të këtij vendi. Njerëzve që, si tërë të tjerëve, një ditë u soset edhe durimi për të pranuar zgjedhën e dikujt, i cili çdo ditë e çdo vit u grabit gjithçka, edhe xhepin aq të cekët, edhe barkun aq të zbrazët, edhe ëndrrën për të ardhmen, edhe shpresën për të nesërmen.

Po, duke u grabitur gjithçka. Madje, me tallje gjithnjë e më pamëshirshme. Aq sa e bëjnë të ngrihet nga varri edhe Kol Tivarin, këtë bejtexhi të njohur nga Shkodra e dikurshme, i cili që këtu e tetëdhjetë vjet të shkuara nxirrte dufin e vet dhe të bashkëkombësve të tij me vargje sarkastike. Vargje vërtet të një forme krejtësisht absurde, por që e bënin tjetrin të qeshte dhimbshëm. Të qeshte jo nga lumturitë e munguara, por nga fatkeqësitë e trazuara, derisa t’i mbushte mendjen vetes që nëse këtë botë e bëri një Zot, nuk do të deshte të isha ai. Mjerisht, kështu po ndodh edhe sot për shumë e shumë familje shqiptare.

Për të përjetuar nga afër dhe plotësisht këtë realitet, me siguri që koha s’do të të dilte. Por, shko një herë në qytetin e vjetër veriperëndimor dhe në fshatrat përreth, atje ku viti i kaluar nisi dhe u mbyll veçse me përmbytje, ndërsa ky i tashmi shfaqi në dritë të diellit asgjënë që paska mbetur atje. Pikërisht këto ditë nuk do t’u zije besë veshëve po të dëgjoje në radio çfarë thoshte zonja Jozefinë gjatë vizitave të saj me varkë nëpër Shkodrën loce.

Por, kur në ekranin e vogël u shfaq kjo padrone e re e këtij vendi, duke nxjerrë nga lëvizja e buzëve ca llafe përmalluese në sfondin e përmbytjeve, atëherë i vihet stopi edhe fantazisë më të shfrenuar “Sot, Shkodra më duket më e bukur se kurrë, me stilin e vet venecian...”. Të gjithë mbajtën frymën, për t’ia lënë radhën Kol Tivarit, që ngrihet e ia pret “Moj balen, moj shtazë shpijake/që n’oborr han kollomoq/a e ke pa flutrën bajrake/me nëndetse nëpër Ndroq?”.

Tani që atje ujërat janë zmbrapsur dhe s’i japin mundësi të vozitë gondola e kësaj ‘burrneshe’ proverbiale në injorancën dhe kapardisjen, në vrazhdësinë dhe pafytyrësinë e vet, me sa duket u tretën edhe romantizmat nostalgjitë. U tretën jo sepse atë e preu barku ku do të gjenden paratë për t’i kompensuar ata fatkeqë sipas ‘skemës së digave’. Jo, jo, tani diçka tjetër e mundon, që edhe gjumin s’ia afron. Tani diçka tjetër i intereson, që edhe ditën, edhe natën i belbëzon nga shpirti i saj që po vajton: “Ku do të shkojë tani ai Bërishë, se prapë duhet me iu ngjit nga pas”, “Lere mor atë Ilir Metën, se s’kam pse me i ba shoqni, se pa qira kam plot shpi”.

Ja pra, cila është drama e një gruaje të tillë, e cila e kërkoi lehtë lumturinë, duke u njësuar me një taraf grabitësish dhunues të këtij populli, pa menduar që e nesërmja shumë shpejt do t’i ndëshkojë. Sigurisht, nuk është e vetmja, që në këto çaste e ka të vështirë ta gjejë ngazëllimin te vetja. Por, mund të gjejë së paku ngushëllim te fakti, se ndoshta do t’i shpëtojë fatit që do ta ndjekë një tjetër madamë të politikës së tyre, e cila në hije mblidhte prej kohësh pa mbarim për xhepin e familjes së ngushtë ‘taksat’ e të punësuarve prej saj dhe të favorizuar prej të shoqit ‘socialisto – integrues’, çka e bashkoi si mishi thoin me një klikë, së cilës së shpejti do t’i vihet dërma. Ajo, Kryekuvendorja me pozicion të deformuar, mbase do t’i bëjë vetes ca gajret edhe nëse fati i saj do t’i rrëshqasë atij të një tjetër madame të oborrit, e cila gjithmonë me dorë të parë ka ndarë që nga qershia tortën e pushtetit.

Gjithçka që ka ndodhur nga grabitja e gjithçkaje të këtij vendi dhe populli, tani ka filluar të tregojë qartë se, çka jemi, pra personaliteti në kuptim të gjerë tok me boshllëqet apo kundërshtitë në moralin, inteligjencën dhe edukatën, pra edhe të mirat që janë mbledhur nga zgjatja e duarve mbi çdo gjë që s’na takon, së bashku kanë të njëjtën karakteristikë: ndikimi i tyre mbi lumturinë ose fatkeqësinë e atij që i uzurpon ato të mira materiale, një ditë do të jetë më i rëndësishëm dhe më vendimtar se sa ndikimi që ushtrohet prej këndvështrimit të shtrembër nga na kanë parë deri tani ca syleshë: të pushtetshëm, të fuqishëm, të përjetshëm. Por, jo më kot është thënë nga mendje të ndritura, se dallimi midis cilësive të vërteta personale dhe atyre që rrjedhin nga pozita shoqërore e grabitur dhe e përkohshme është i ngjashëm me ndryshimin e një njeriu të vockël të jetës reale nga mbreti i madh i një pjese teatrale.

Dhe, të tillët, kur një ditë toka që i kanë rënduar nis t’u tundet e shkasë nëpër këmbë, nuk arrijnë dot të kontrollojnë as veten. Ata ende vazhdojnë të diktojnë dhe të predikojnë për të tjerët, ende vazhdojnë t’i kërcënojnë dhe mallkojnë ata. Aq sa në opinionin e tyre të rrëgjuar, mendja u shkon se do ta lënë këtë botë po aq gënjeshtare dhe të mashtruar sa ç’e kishin gjetur duke më së miri të shtruar. Ama dihet mirë që edhe mund të nomatisësh a të verbosh për ca kohë një njeri, mund edhe t’u ulësh kokën shumë të tjerëve si ai, por s’mund të ndodhë kjo përjetësisht, kur kuptimi dhe gëzimi i jetës u është dhuruar të gjithëve, si edhe individualisht.

Prandaj ishte edhe akoma edhe më e padurueshme se sa vet hajdutëritë skandaloze dhe të dënueshme moralisht, politikisht e penalisht të pushtetarëve tanë, që ish - zëvendëskryeministri Meta, duke i kumtuar në televizor publikut të revoltuar, se do ta linte vullnetarisht imunitetin parlamentar për t’u hetuar, njëherazi fryu gjoksin e deklaronte që dorëheqjen nga posti zyrtar do ta jepte vetëm më 2013, kur i mbaronte mandati(?!). Kjo sjellje marrëzore nuk mundi ta linte të qetë as poetin e vjetër dhe modern nga Shkodra, për të buçitur vargjet “Unë me pushkë morra Parrucën/kur ka hip bullica n’fik/n’gjethe t’plepit të dhjefsha këpucën/paske qenë tamam ashik”. Se çfarë ndodhi vetëm pak orë pas shqiptimit të deklaratës delirante dhe degustuese të Ilir Metës, tashmë dihet nga të gjithë. Por, se ku do të shkasë “këpuca e dhj...” e tij: drejt Rinasit apo drejt hyrjes së një rruge anësore të Unazës së Tiranës, këtë ende nuk na e ka thënë Kol Tivari.

Nejse, fundja le ta lemë të ndjerin bejtexhi t’i prehen eshtrat nën epitafet e tij dhe t’i kujtojmë Kryeministrit ende në detyrë, se nuk gënjehet më askush, që ato lajthi, shegë, arra dhe kumbulla mund të harlisen në moçalet e veta të pafundme; nuk mund të mashtrohet më njeri, se me këtë qeverisje të vet do të ketë paqe nën ata ullinj që i ‘mbjell’ veçse gjuha e tij. Prandaj, mbase është më mirë që këto ditë të zgjedhë edhe ai, vullnetarisht apo detyrimisht, një ndër dy rrugët që mbeten të hapura për bashkëpunëtorin e vet të ngushtë.

 

Gazeta Shqiptare - Për ZSH: Gjergj Kabashi