| E marte, 18.01.2011, 08:13 PM |
KRISTAQ TURTULLI
KËNGA E MËRGIMTARIT
Poemth
Mblodha, shita përpara ç’kisha
Dhe ç’gjeta.
Me çerekun e të hollave bleva bileta.
U gërmoqa, mërmërita, shava rënkova,
Vetveten, mëngjeset e akullta,
Pështjellimin, të shkuarën dhe heshta.
Rrugicat e qytetit qëndronin të ngrira,
Shtëpitë fshinin sqetullat si koketa,
Çatitë lëpiheshin nga mjegulla,
Pallatet e vjetra ngjisheshin për ngritur kioska,
Bulevardet roniteshin prej makinave të vjetra,
Pazari përmbytej nga pluhuri dhe balta.
Eca, lëviza, qëndrova, u ktheva.
U rrotullova në vend prapë.
Me shikim të ngulur tek shtëpia që shita.
Kush rënkonte, hovte përpjetë,
Toka, zemra,
Apo qielli i paanë?
Lëviza brinjazi të gjeja një fjalë,
Qyteti qe mbledhur qe bërë hoshafkë,
Fëmijëria këpucëgrisur ishte tkurrur brigjeve,
Era shkulte barin trotuareve.
Rinia e lodhur dhe ëndrra shumë,
Kish mbetur e varur në gozhdën e një vjershë.
Dhe në një libër të thjeshtë,
Kish mbetur e pa tharë një puthje e fshehtë.
Fryma e prindërve e tendosur qëndronte
Si tel violine ndehur në memorie.
Unë u luta të vinin pranë,
Ata më kundronin në heshtje.
Nostalgjia ish mbledhur qe bërë guaskë.
Valixhet e mëdha gërvishtin gurët e dalë.
Fëmijët çapiteshin si një poemë.
Unë u gëlltita, ku mbeti një këngë?
U rrotullova përsëri dhe vështrova
Prapa, çfarë lashë...
Prita me shpresë të vinte dita,
Të shkrinte dëbora dhe dielli të ndriste,
Të ikte errësira dhe të zbriste drita.
Në vendin tim të vogël sa një kopsë.
Përqafuam dëshira për tokën mëmë,
Qëndruam në rreshtin e parë,
Por asgjë...
Tani shpresa më ftonte matanë.
Zërat e thella të breznive më mbanin për këmbe,
Zërat e reja më tërhiqnin për mënge,
Më kumbonin në mëndje.
Zemra e lodhur qëndronte ndehur midis dy skajeve.
Të priste akoma, të besonte, të heshte, të qëndronte,
Apo si të tjerët të ikte?
Shkasin vitet pandierë si gurë tespihe,
Matanë në rrugë e njëjta dajre bie.
Plaku i kërrusur që pi kafe me listë,
Kollitet, gërmuqet, teshtin,
Plakën mban e shtrëngon,
të mos bjerë,
E gjora nënë e drobitur zgjatet, retë e zeza të fshijë
me fshesë,
Pastron dhe hënën e pluhurosur me pecetë.
Të ketë dritë për vajzat dhe djemtë,
Kur të ecin nëpër rrugë dhe pa rrugë,
Eh, nëpër të madhen
dhe të voglën botë!
Me të vetmen divizë,
Të shkojmë zbathur ose këmbë e duar në Evropë.
Politika e madhe përdridhet dhe gumëzhin,
në ethe është.
Zien si kazan.
Fjalë, premtime, përsëri fjalë,
sa shumë fjalë imzot, sa shumë!
Të gjitha thërrmohen treten bëhen hije.
Për dreq njeriu ka shumë xhepa,
Sepse askush nuk mund të ngjiret për badihava.
Më falni, por politika nuk është bakllava.
Ikën një lider shtatlartë me fjalë shumë,
Vjen tjetri rrumbullak me shumë për lumë.
Përsëri kthehet i pari kordhëtari.
I dyti tërhiqet, ishte diplomati.
Ikin dhe shkojnë, vijnë dhe qëndrojnë.
Një godinë lënë, tek një tjetër shkojnë.
U thjeshtëzua seksi,
U bë si bukë me djathë,
I ndershmi, i sinqerti, idealisti,
Mbetën në të thatë.
Xhepat bosh i kanë.
Por shpresa i mban gjallë,
Shpejt a vonë do sjellë lumi xhevarirë.
Ndërkohë,
Vitet shkasin pandierë si tespihe,
Matanë në rrugë e njëjta dajre bie.
Janar 2011