Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kostaq Duka: Vazoja me lule

| E marte, 18.01.2011, 08:57 PM |


Kostaq Duka

 

Nga ditari në shtëpinë e pleqve

 

Vazoja me lule

 

-Skicë-

 

    Ata do të zbrisnin me ashensorë çdo mëngjez aty afër 7-tës. I gjati me shpatulla të gjera  dhe me një fytyrë ku balli ,sytë, hunda, buzët ishin  të plota, madje disi me tepri,  vinte nga kati i shtatë dhe tjetri, i shkurtër, vithe gjerë, e bark të varur, me një fytyrë të rrumbullaktë, ku sytë mezi duken nën syzet me skelet floriri, vinte nga kati i katërt. I gjati mbështetej mbi një bastun elegant ngjyrë ulliri kurse i shkurtëri lëshonte trupin krejt mbi karrigen vetëlëvizëse elektrike. Uleshin në dy kolltukët e gjerë, me anë të harkuara, me një mbështjellje plot lule shumëngjyrëshe me tone të errëta.

    Asnjëherë s'i ndruan vendet. I shkurtëri pranë derës së restorant "Kristali" dhe i gjati në kolltukun në të majtë të tij,që shikon nga dera e madhe e hyrjes në shtëpine e pleqve. Me të mbritur nxitoja t'u sillja kafen. I gjati pëlqente kafen e rregullt amerikane, shqeto, pa sheqer, ndërsa i shkurtëri kafen pa kafeinë të cilës i hidhte gjithnjë kanellë të bluar nga një kutizë e vogël që e mbante me vete në koshin e karriges. Vuante nga diabeti prej një kohë të gjatë. Ai pi kafe "të tredhur" më tha një ditë i gjati, duke ngacmuar të shkurtërin. (Të them të drejtën mezi e kuptova kur ma tha këtë në fillim në anglisht, pastaj kur hyra në brendësi më erdhi pak me vonesë qeshja që e mbajta brenda vetes. )

    Çdo mëngjes veshi më kapte gjithnjë copëza bisedash për gjumin e natës, kohën me borë, diell apo shi, menynë e drekës dhe darkës,  udhëtimin  e planifikuar me autobuz në restorante,  muze a salla teatrosh etj... Herë, herë ulesha dhe unë pranë tyre duke u bërë shoqëri, pa ndërprerë dialogun e tyre.  Përkarshi kolltuqeve të tyre, një tavolinë e bukur katërkëndëshe e punuar  me shije në dru nga duar mjeshtërore, ku çdo të hënë ndërrohej vazoja me buqeta të freskëta lulesh gjithëllojesh. Një ditë (kjo ndodhi gati një vit më parë) m'u shkrep të bëja një foto nëpërmjet kameras së celularit. Ata e vunë re këtë dhe gjithë gaz më përshëndetën. Fotografo, fotografo, më tha i shkurtëri, është një buqetë e bukur ku vendosja e luleve është  bërë me art e shije. Është mjeshtëri më vete kjo. Dhe ver re. Të hënën tjetër do të ketë një tjetër kombinim lulesh, tjetër ndërthurrje e gërshetim të tyre...

   Dhe kështu fotografimi i vazos me lule që ndrrohej çdo të hënë, hyri në "programin" mëngjesor të dy pleqve. Pas fotografimit shkoja pranë tyre dhe u tregoja fotot. Bukur, shumë bukur!-Më thoshnin. Javë pas jave, u krijua  gati një album i plotë me foto të vazove me lule, shikimi i të cilit donte minuta të tëra. Ndonjëherë, kur në vazo kishte tulipanë apo zambakë ende në gonxhe pa u hapur mirë, ata ndërhynin:" Fotografo pas dy ditësh nga e mërkura ose e shtuna kur të hapen krejt petalet ".

   Por këto çaste të bukura mëngjesore nën shoqërimin e muzikës sinfonike, që përhapej në gjithë hollin e madh, një ditë do të ndërpriteshin. I shkurtëri për disa kohë qëndroi në spital, pas operacionit në të dy gjunjët. I gjati me sa duket nga mungesa e shokut preferoi të pijë kafen me shumicën në restorant"Kristali" pas ngrënies së ushqimit të mëngjesit.

    Sa herë vinte ora shtatë, tek  lëvizja nëpër holl sytë i drejtoja nga dy kolltukët e mëdhenj, me mbulesën shumëngjyrëshe që çuditërisht  mbetën bosh sikur ato të ishin  vetëm për ata të dy. Ndërkohë vazoja me lule ndrrohej çdo të hënë. Edhe pse  shumë herë befasohesha nga bukuria  e tufës me lule nuk më bëhej të bëja foton e zakonshme, si më parë.

   Një ditë, pas shërbimit të natës,  m'u desh të qëndroja  pak më gjatë se zakonisht. Ishte koha kur hapeshin dyert për mëngjesin në restorant "Kristali". Grupe, grupe, ku vetëm gra, ku çifte pleqsh e ku vetëm burra në biseda e të qeshura drejtoheshin për në restorant. Kur, papritur, syri më kapi të gjatin që ecte me duart mbështetur pas një karroce. U bëra kurioz të mësoja kush ishte ulur në të dhe përse i gjati përkujdesej. U afrova kur ç'të shoh. I gjati po ai, shpatullgjerë e gjithë shëndet përkujdesej për karrocën ku lëshohej i tërë trupi i të shkurtit, paksa i venitur në fytyrë dhe me tubin e oksigjenit në përdorim. I'u dhashë duart të dyve. I'u kam pritur u thashë. Harroje kafen, më tha i shkurtëri. Mjeku nuk ma lejon më. Por pa dale, tha dhe sytë i drejtoi nga vazoja e luleve. Më ço  aty, i tha të gjatit.

   I gjati shtyu karrocën. I shkurtëri preku petalet e luleve. Fotografoi, më tha, janë të bukura.

 

Janar, 2011