Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Dibran Demaku

| E marte, 18.01.2011, 08:45 PM |


Dibran Demaku

 

 

AS MË LË E AS MË MERR

 

As në tokë e as në qiell

as në rreze e as në diell

as më lagë e as më kallë

as më vdes e as më ngjallë

as në ëndërr e as në zhgjënderr

as në shpresë e as në besë

as në këngë e as në vajë

as në buzë as n`flokë të saj

as valë e shqetësuar liqeni

as bisht i lakuar qeni

as zog dielli nëpër planete

as barkë e braktisur nëpër dete

as në dritë e as në terr

as më lë e as më merr

 

 

MALI IM

 

Mali im i mirë

mali im i dëlirë

majat qiellin përpirë

mbetur në errësirë

me diellin në faqe

duke kërkuar paqe

rritur në një emër

i shituar në zemër

në një ëndërr të trisht

pse nxore atë bisht

bishtin për sopatë

more krahthatë

sopata tash të shkattërron

ditë për ditë e natë për natë

t`i dëmton sythat në bulim

eh,more mali im!

 

 

PËRSE

 

Përse si dje si sot

detin e kalojmë me not

e barkën e lëm braktisur

në një ëndërr të stisur

me thonj gërryejmë një mur

gjak pikon mbi gurë

në theqafje shpresa

tash loton dhe besa

Përse si sot e tutje

e mallkojmë një lutje

duke sharë adhurimin

e plagosim gëzimin

 

 

ËSHTË FTOHTË

 

Është ftohtë

ftohtë është

e trupi e zemra

ngrinë

është ftohtë

ftohtë është

e shpirti e ëndrra

është ndez

e hëngërt

kafsha e zezë!

 

 

MESKOHË

 

As fillim as fund

askund

Meskohë

Parakoha

ëndërr e djegur

shpuzë

Prapakoha

gaz i ngrirë

në buzë

 

 

MACJA E ZEZË

 

Pis

pis

pis

moj Macje

me sy të ndezur

gace

në terr të një nate

n`udhëkryq të një lëngate

mos ma nderprej rrugën

se ma sjell vrugën

Pis

pis

pis

Macja e zezë

të verboftë drita

në mëngjez!