| E diele, 16.01.2011, 01:04 PM |
 Vullnet Mato
Vullnet Mato
 
PULËBARDHA EMIGRANTE
 
Ka bukuroshe Tirana
dhe rrethinat me fshatra,  
që të ndezin
fijet e shkrepëses së trurit.
Po pulëbardha emigrante
m’i bëri të mëndafshta
velat e braktisura
të joshjes së burrit.
 
Ndryshe nga çafkat
e shkujdesura të trollit,
kjo pulëbardhë  
fluturimesh të largëta,
që erdhi krahëhapur
nga përtej horizontit,
më mahniti me fuqinë
e përmallimit në flatra.
 
Me tingujt drithërues
të mbledhur nga bota,
me kujtimet ruajtur
nën pendët e gjoksit
dhe me gugitjet e saj
aq të ngrohta,
më magnetizoi trupin,
mendjen ma trullosi.
 
S’jam i pabesë t’i zgjidh
kurorës tërkuzën,
por kam syrin që zbutet
nga një pikë vesë.
Ajo qeshje lozonjare
në cepat e saj të buzës,
me dy rrudhëza nazike
më bën të vdes...