| E diele, 16.01.2011, 08:58 PM |
Dashuria kombëtare ndaj Drenicës
Nga Gani Qarri
Që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës shprehjet "Patriotizëm" dhe "Atdhedashuri",gati se nuk përdoren fare,cilësi këto të çmuara kombëtare me të cilat më së shpeshti në trojet tona,stolisej Drenica. Njerëzve sikur iu duket se ato tashmë e kanë kryer funksionin e tyre dhe padrejtësisht, në heshtje dhe disi si pa hetueshëm janë nxjerr tërësisht nga fjalori i shprehjeve tona të përditshme. Populli ynë ndoshta edhe nga gjendja e ngarkuar me probleme nga më të ndryshmet që e përcjellin vendin tonë dhe përfoljes së problemeve me zgjedhjet e fundit,herë –herë sikur ka tendenca që çdo fajësi t`ia mëveshë një rajoni të vetëm, Drenicës. Kosova,nuk është e ndarë në zona e rajone,ajo është një zonë e vetme zgjedhore.
Edhe pse shqiptarët gjithkund dhe posaçërisht ne në Kosovë,kemi pasur gjithmonë Dashuri të veçantë dhe të sinqertë deri në dhembje për Drenicën,si vend i shpresës së përhershme për lirin që na mungonte,ku pothuaj çdo kryengritje kundër pushtuesve,ishte bijë e Drenicës dhe mëmë e kishte atë,kohët e fundit,besoj pa të drejtë iu kanë var mbi qafë,si të huajt ashtu edhe disa nga shqiptarët, në Vend.
Unë do uroja me gjithë zemër në mënyrën më të sinqertë dhe vëllazërore,që procesi maratonë i zgjedhjeve të përfundoi sa më parë që të jetë e mundur, mirë dhe me sa më pak probleme,i qetë, i rregullt dhe i pranueshëm për të gjithë dhe ky proces i mundimshëm të mos stërzgjatet nga qyteti në qytet, deri në pafundësi.
Secili shqiptar, në shprehjet e tij,duhet të bëj përpjekje maksimale që në asnjë moment të mos bëhen dallime krahinore,për asnjë pjesë të vendit e as për Drenicën,të cilën e kemi dashur dhe përkrahur në të gjitha kohët dhe rrethanat,edhe atëherë kur zhvillohej lufta,qoftë në mënyrë spontane apo edhe të organizuar, si në diasporën shqiptare,ashtu edhe në vend,në të gjitha rrugët e Kosovës nëpër shkolla e fakultete,nëpër fshatra dhe qytete,në punë e ndërmarrje,gjithandej, kur edhe para tytave të armikut,brohoritej me zë, përkrahja;"DRENICË JEMI ME TY"!!!
Edhe para lufte ashtu si edhe gjatë luftës,populli shqiptar i të gjitha pjesëve të vendit e ka dashur dhe ndihmuar Drenicën për aq sa ka mundur dhe me sakrifica të përbashkëta kemi arritur deri në këto ditë që i gëzojmë sot së bashku në Kosovën e lirë!
Drenica si asnjë pjesë tjetër e vendit,ka qenë dhe mbetet e involvuar thellë në zemrat e çdo shqiptari,për shpirtin e saj luftarak,iniciativat kryengritëse ,heronjtë dhe luftëtarët trima e liridashës dhe qëndresat e njohura historike nëpër të gjitha kohët.
Ajo me patriotizmin e sajë të veçantë e ka merituar dashurinë dhe përkrahjen tonë ndaj edhe me të drejtë e duam e kemi dashur, përkrahur dhe ndihmuar atë si edhe të gjithë liridashësit e Kosovës, që nga vuajtjet e përbashkëta,përpjekjet dhe qëndrimet nëpër kohë,fjetja dhe ushqimi të cilat i kemi ndarë në mënyrë të barabartë dhe vëllazërore me atdhetarët e Drenicës,dhe të gjithë atdhetarët e devotshëm edhe nga pjesët e tjera shqiptare,për ç`gjë edhe ndjehemi shumë krenar sot dhe në të gjitha kohët.
Patriotët Drenicas gjithmonë janë pranuar me mirëseardhje dhe dashamirësi vëllazërore nëpër familjet dhe shtëpitë tona,janë ndihmuar e përkrahur,pritur dhe përcjellur,me dashurinë më të sinqertë njerëzore,edhe për rolin e dalluar patriotiko- Hyjnorë të Drenicës që shkëlqente si ylli polar në tunelin e gjatë të robërisë shekullore, pa ndërpre asnjëherë dhe për asnjë çast,deri në agun e shtrenjtë të lirisë së arritur,për të cilën u “shkrinë” shumë qirinj kombëtar nga Drenica heroike, ndaj edhe sot ajo nuk meriton akuzime as nga Vendorët e as nga ndërkombëtarët.
Edhe kur flitet për manipulimet e votave,është shumë e pa drejt që tërë fajësinë t’ia mveshim Drenicës, manipulimet kanë ndodhur gjithkund dhe nuk duhet parë fajtore vetëm Drenica, ngase ky fenomen është gjithëshqiptar, dhe këtë e kemi mësuar nga përvoja me zgjedhjet e mbajtura gjithandej ku jetojnë shqiptarët, ndaj do të ishte mirë të mos përdoren fjalë fyese e as shkrime me tendenca të denigrimeve krahinore,kundër cilës do pjesë të vendit,e as kundër Drenicës, ngase ajo këtë nuk e meriton.
Askush nuk është e as nuk duhet të jetë kundër Drenicës, ashtu si nuk duhet të jetë as kundër pjesëve tjera të vendit. Kosova edhe ashtu është vetëm një zonë zgjedhore,dhe është tepër e vogël për tu ndarë në baza krahinore, ndaj ne nuk duhet të shkojmë kah ndarjet por nga afrimi dhe në drejtim të bashkimit kombëtar.
Shqiptarët patriot dhe të arsyeshëm duan bashkim dhe për asnjë çmim nuk kërkojnë ndarje,ata vetëm dëshirojnë zgjedhje të rregullta e të lira dhe të pranueshme për të gjithë në vendin tyre,ku do ishte kënaqësi e veçantë,që edhe në zgjedhje të shkëlqej Drenica dhe Kosova në përgjithësi,për tu bërë shembull i mirë edhe për rajonin!, në mënyrë që nesër mos të ketë arsye për përsëritjen e shembujve jo të mirë,me demonstrata dhe mospranim të rezultateve në Kosovë!
Ne mërgimtarët ndoshta edhe nga arsyeja e largësisë,ku ne gjendemi me Atdheun, dhe ndryshimi i gjendjeve atje dhe këtu,ku ne jetojmë,na bën paksa më të ndjeshëm, kur zhvillohen ngjarje të rëndësishme në vend të cilat janë me ndikim për fatin e Atdheut tonë,për të cilin kemi dëshirë të dëgjojmë vetëm gjëra të mira,dhe jo ngjarje që ia prishin imazhin Vendit,ndaj ne dëshirojmë të dëshmohet Dashuri nga shqiptarët, si për Drenicën ashtu edhe për Kosovën e Shqipërinë ,Iliridën e Çamërinë,dhe të gjitha trojet etnike shqiptare kudo qofshin ato.
“Koha” e kohërave të vjetra
Gjendjen e rënduar në Kosovë, e ngarkojnë shpesh herë artificialisht dhe në mënyrë të qëllimshme jo vetëm ato që fliten nga disa njerëz,por ato që shihen e lexohet edhe në ndonjë nga mediat,të cilat e ngarkojnë situatën edhe ashtu të rënduar,duke shtrembëruar të vërtetën,e cila për asnjë çast nuk duhet të përmbaj,ofendime krahinore, çfarëdo qofshin ato,madje edhe atëherë kur flitet e shkruhet me tone kritike ndaj mënyrës së zhvillimit të zgjedhjeve për të cilat,assesi nuk mundë të fajësohet vetëm një rajon.
Për fat të keq,mu kjo ndodhë,madje jo rrallë dhe jo vetëm në komentet e “komentuesve anonim” në “kohën” e kohërave jo fort të vjetra e cila edhe gjatë pushtimit të Kosovës,me lejen e pushtuesit punonte e “lirë” dhe e “pavarur” siç di ajo, dhe tani,jo vetëm se përdoren si “PSEUDONIME” Emra dhe mbiemra njerëzish të pa përzier në aferat e tyre destruktive , për fyerje nga më të rëndat ndaj Drenicës dhe disa funksionarëve të PDK-s ,dhe atë në mënyrë të shpeshtuar siç është rasti edhe me mbiemrin tim - Qarri! Ku edhe pas reagimit ,shefja e thinjur,deklaron se nuk mund ti kontrollojnë komentuesit!!! Për të vazhduar edhe më tej me të njëjtin avaz...duke mos lejuar asnjë nga komentet e mia ,me emër e mbiemër,qëndrim ky i cili shpreh ndërgjegjen e tyre, jo korrekte.
Por këtu nuk mund të flitet vetëm për komentues anonim,këtu duhet theksuar edhe qëndrimet e çuditshme të ndonjërit nga gazetarët me “renome” profesionale,të cilët dikur nën regjimin pushtues serb,si të burgosur që ishin,populli shqiptar ndjente dhembje për ta, dhe angazhohej sinqerisht për lirimin e tyre,pa e ditur se ata paskan qenë në trajnim special,që pas dëbimit të Serbisë, “nxënësit” e trajnuar prej saj, ta luftojnë kombin e tyre shqiptar,siç vepron Halil Matoshi tani.
Tendencave të kamufluara të faljes së Kosovës,padiktueshëm në mënyrë të lehtë dhe të rafinuar - Serbisë, tëhuajsimit dhe denigrimit të vendit,në emër të shprehjes së lirë,qoftë Drenicës, Kosovës apo edhe pjesëve tjera të trojeve tona, dhe tema me përmbajtje të tilla tendencioze na bie shpesh herë të lexojmë edhe nga gazetar të tjerë me “renome profesionale” në shkrimet e të cilëve Kosova gjithmonë paraqitet si pjesë "e ndarë" e Serbisë, si njëra nga dy krahinat e Serbisë, si krahina jugore e Serbisë,e marifete të tjera,pa u cekur pothuajse asnjë herë përkatësia e vërtetë e banorëve të vendit tonë të cilëve edhe u takon Kosova,e as karakteri i saj shtetërorë si vend më vete, por gjithmonë si një "peng" i ndarë përdhunshëm ,që asnjë herë nuk iu paska takuar njerëzve që jetojnë në te,por gjithmonë vetëm e vetëm, Serbisë.
Unë shumë herë kur hasja në artikuj të shkruar për Kosovën nga autor shqiptarë në gazetat zvicerane, më bëhej shumë qejfi,për tu dëshpëruar më pastaj tërësisht,kur arrija në pjesën ku Kosova përshkruhej jo si Kosovë e popullit që ka jetuar që nga kohët e lashta dhe jeton edhe sot në te, të cilit edhe i takon Kosova,por gjithmonë ajo përdhunohet pa të drejtë duke u quajtur si pjesë e “ndarë” e Serbisë, si njëra nga dy krahinat e Serbisë, si krahina jugore e Serbisë e kështu me radhë.
Dhe jo vetëm në gazetat zvicerane ,por edhe në gazetën "Koha" (e serbisë),i njëjti autor na paska shkruar ,përveç tjerash dhe atë me brengosje të thellë dhe paksa të tepruar për “kërcënimet” e paqena të shqiptarëve ndaj Dick Martit?! përderisa ai asnjëherë, nuk i trajtoi edhe ndjesitë e shqiptarëve,nga sulmet e pa merituara të Dick Martit ndaj kombit tonë në tërësi.
Por përkundër të gjitha atakeve të kujtdo qofshin dhe përpjekjeve të dëshpëruara titiste,Dashurin ndaj Atdheut dhe Drenicës përpjekjet e tilla nuk mund të na e heqin e as zvogëlojnë,ngase atë nuk na e sollën “dhuratë” babadimrat made in YU të sponsoruar nga surrojt, por atë e gjetëm vetë ne,në mënyrë spontane në vendin tonë, në Drenicën e Dardanisë antike! Atdhedashuria është Origjinale,njerëzore dhe e sinqertë e cila ka mbirë nga rrënjët më kombëtare të vendit dhe është prodhim vendor, lindur e rritur dhe ushqyer në Kosovën e shumëvuajtur nëpër kohë gjatë gjithë historisë sonë kombëtare.
Shqiptarët besoj se do ti kthehen vetvetes dhe do të dinë ti mbrojnë vlerat e tyre kombëtare si nga shpirtshiturit titist të vendit,të cilët shkruajnë shqip si arsyetim dhe mundësi për të vepruar shkinisht, nga qëndrimet armiqësor dhe destabilizuese të fqinjëve hileqar, të cilët pas ikjes së turpshme lanë bakteriet e tyre infektuese në Kosovë, dhe poashtu edhe nga akuzat kriminalizuese të Dick Martit i cili apostrofon Drenicën në mënyrë të veçantë deri në urrejtje dhe akuzon shqiptarët në përgjithësi.
Akuza në të cilat dyshon edhe vet artikuluesi i tyre
Sado që akuzat e pa baza, të Dick Martit janë të rënda e të pështira deri në urrejtje, ndaj shqiptarëve,dhe të gjithë shqiptarët anekënd botës tashmë,janë të bindur se ai është antishqiptar i përbetuar, këtë madje edhe nga përvoja e keqe me akuzat e tij të pa bazuara, përmes të cilave përpiqet ti kriminalizoj shqiptarët dhe luftën e tyre të shenjët për liri, një fakt rrallë është përmendur, për të mos thënë fare se Dick Marti nuk akuzon vetëm shqiptarët por ai akuzon edhe hebrenjtë,për bashkëpunim në tregti me organe njerëzore dhe thënë më konkretisht, ai akuzon palën shqiptare si shitëse kurse palën hebreje si blerëse të organeve.
Për veç hidhërimit të shqiptarëve ndaj akuzave të dyshimta të Dick Martit,të cilat edhe pse tri herë më parë të hetuara,ato mbetën çdo herë të dyshimta dhe të padëshmuara,sepse nuk u gjetën fakte për to dhe mbetën ashtu siç ishin të pa argumentuara,tanimë nuk është për tu çuditur ngase kohët e fundit në vërtetësinë e këtyre akuzave të dyshimta,kanë nisur të dyshojnë edhe vetë parlamentarët zviceran, të cilët në një seancë dëgjimore që do të organizohet explicit për këtë çështje,ata duan të njoftohen përsëafërmi nëse vërtetë Dick Marti,posedon fakte për Akuzat e tij të rënda kundër kombit tonë dhe ati hebrenj.
Ndaj besoj se me të drejtë,në takimin që pati Kryeministri i Shqipërisë Zoti Sali Berisha me Kryetarin në detyrë,të Kosovës Zotin Jakup Krasniqi,deklaroj se Dick Marti është anti shqiptar dhe racist e anti hebrenj,i cili edhe përkundër mungesës së fakteve për akuzat e ngritura,në të cilat ai edhe vet dyshon,ngase ato asnjë herë e as në hetimet e kaluara nuk janë argumentuar,megjithatë ai në mënyrë të qëllimshme, Shqiptarët i paraqet si shitës, kurse hebrenjtë si blerës të organeve njerëzore.
Ndaj shqiptarët duhet të reagojnë të bashkuar dhe me një koordinim të mirë edhe me Izraelin duke nisur aksionin menjëherë dhe në mënyrë të organizuar, që nga 15 janari,mu në ditën ndërkombëtare të drejtësisë, për hir edhe të të drejtave tona kombëtare dhe njerëzore, të cilat si të çdo kombi tjetër,edhe ato duhet të jenë të mbrojtura dhe të respektuara ashtu siç garantohen për secilin popull në botë nga Karta e Kombeve të bashkuara.
Duhet shfrytëzuar koha dhe mundësit që ofron momenti,për veprim të bashkërenditur dhe të koordinuar edhe me hebrenjtë,për mbrojtje sa më efektive nga akuzat e pa argumentuara, ngase askush nuk mund ti mbroj shqiptarët më mirë se ata vet-veten e tyre,nëse nga ana shqiptare reagohet në koordinim edhe me Izraelin i cili ka përvojë dhe aftësi për gjithçka ,e në mënyrë të veçantë,për mbrojtje nga akuza të tilla të pa argumentuara,nga të cilat shumë kohë kanë vuajtur edhe hebrenjtë.
Sepse ky kombinim i paramenduar si edhe vet akuzat e ngritura,janë të qëllimshme,dhe tendencioze deri në skajshmëri,kundër dy popujve më të përvuajtur në Evropë dhe Botë,siç ishin Hebrenjtë dikur dhe shqiptarët në vazhdimësi që moti e deri më sot,ku Dick Marti për mes këtyre akuzave përpiqet të bëj njollosjen kombëtare dhe njerëzore të të dy popujve tanë,si tregtues të organeve njerëzore,njërin si shitësin kurse tjetrin si blerësin e tyre.
Ndaj me urgjencë duhet shfrytëzuar rasti nga shqiptarët duke kërkuar jo vetëm mendimin por edhe bashkëpunimin e shtetit izraelit, si dy popuj të akuzuar pa të drejtë,për kundërvënie të përbashkët,akuzuesve si Dick Marti dhe ndërsyesve të tyre,të cilët tentojnë të njollosin vend e pa vend hebrenjtë dhe shqiptarët e në veçanti “grupin e Drenicës” vendit të lindjes së frymëzimeve patriotike dhe burimit të pashtershëm të energjisë kryengritëse kombëtare,kundër cilitdo okupator gjatë gjithë historisë së vjetër dhe të re.
Cyrih, 14 Janar 2011.