Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhelal Zejneli: Enciklopedia – nekrolog i Maqedonisë

| E shtune, 15.01.2011, 08:57 PM |


ENCIKLOPEDIA – NEKROLOG I MAQEDONISË

 

Nga Xhelal Zejneli

xhelalzejneli@hotmail.com

 

Në shkurt të vitit 1990 Kryesia e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, i besoi Degës së shkencave të historisë të organizojë një cikël ligjëratash mbi serbët dhe shqiptarët në shekullin XX, si pjesë e serisë, të filluar në maj dhe në qershor të vitit 1986 me temën “Ilirët dhe shqiptarët” që vazhdoi në nëntor të vitit1987 me ciklin e ligjëratave mbi serbët dhe shqiptarët në shekullin XIX dhe XX. Ligjëratat u mbajtën në ndërtesën e ASSHA (SANU) në Beograd, e cila ndodhet në Rr. “Knez Mihajlova ” Nr. 35. Nga këto cikle ligjëratash të akademikëve serbë, SANU  botoi tre libra me nga 450 faqe: “Iliri i Albanci”, Beograd, 1987; “Srbi i Albanci u XIX i po?etkom XX veka”, Beograd, 1988; dhe “Srbi i Albanci u XX veku”, Beograd, 1991, 457 faqe. Këta tre libra u botuan në dy gjuhë: në serbisht me alfabetin cirilik dhe në anglisht. Në ta, jo vetëm që vihet në dyshim prejardhja ilire e shqiptarëve, jo vetëm kontestohet një gjë e tillë, por edhe mohohet. Mohohet edhe autoktonia e shqiptarëve në Ballkan dhe sidomos autoktonia e shqiptarëve në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit. Në këta libra mohohet rrjedhimisht edhe gjuha shqipe si bijë e ilirishtes. Në librin “Iliri i Albanci” (Ilirët dhe shqiptarët) mohohet edhe qenia kombëtare shqiptare, d.m.th. kombësia shqiptare. Në të, thuhet se shqiptarët janë produkt i përzierjes së mbetjeve të disa grupeve etnike. Dhe kjo përzierje paskësh ndodhur, assesi në lashtësi por në mesjetë, d.m.th. para ca shekujsh. Duke mohuar prejardhjen ilire dhe autoktoninë e shqiptarëve, pseudoshkenca serbe ka pasur për synim të justifikojë politikën ekspansioniste ndaj territoreve shqiptare, daljen në det dhe pushtimin e Kosovës. Në vitin 1985 akademikët serbë hartuan një projekt i cili, në janar të vitit 1986 doli si botim anonim, i njohur si Memorandumi i SANU-s. Më vonë ky memorandum do të cilësohet si nekrolog i Jugosllavisë. Më 1937, në Klubin Kulturor Serb në Beograd, akademiku serb Vasa Çubriloviq, prezantoi elaboratin famëkeq “Iseljavanje Arnauta” (Shpërngulja e shqiptarëve). Më 1913, akademiku Vladan Gjorgjeviq botoi në Beograd librin famëkeq “Arnauti i Velike sile” (Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha). Libri u përhap në kancelaritë evropiane të kohës. Autori bën dehumanizimin e shqiptarëve, duke i paraqitur si njerëz me bisht që flejnë nëpër degët e drunjve, keqbërës … Kjo ideologji antishqiptare zë fill me Na?ertanijen (Projektin) e Ilija Garashaninit, të botuar në Beograd më 1844. Një institucion tjetër serb, po aq antishqiptar është edhe Lidhja e Shkrimtarëve të Serbisë, Beograd, Rr. “Francuska” Nr. 7. Fatkeqësisht, Evropa sot, nuk e ndëshkon Serbinë për këtë destruksion irracional.

 Akademia Maqedonase e Shkencave dhe e Arteve (AMSHA-MANU) nuk është veçse një nënprodhim i Akademisë Serbe (SANU). Duke qenë e tillë, rrjedhimisht edhe projektet e saj janë thellësisht antishqiptare. Ky institucion kulturor dhe shkencor, më i larti i këtij vendi, në vitin 2001 doli me propozimin për ndarjen e Maqedonisë. Sipas të ashtuquajturve akademikë maqedonas, s’ka Maqedoni me shqiptarë të barabartë. Mund të ketë Maqedoni vetëm me shqiptarë të nënshtruar. Ky është një koncept retrograd dhe anakronik që bie ndesh me realitetin dhe me tendencën historike. Këta pseudo-akademikë nuk e ndanin Maqedoninë sipas parimit etnik. Me ndarjen që propozonin ata, rreth një e treta e popullatës shqiptare mbetej nën administrimin maqedonas. Thelbi i ideologjisë së MANU-s është: “Shqiptarët në Maqedoni nuk janë popull autokton por ardhacak. Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur prej viseve qendrore dhe veriore të Shqipërisë, gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, pas përfundimit të procesit të islamizimit të tyre. Shqiptarët, duke qenë keqbërës, janë vendosur në këto hapësira, duke ushtruar dhunë ndaj popullsisë vendase maqedonase duke i detyruar ata, të shpërngulen prej vatrave të veta…” Historiani maqedonas Jovan Trifunoski, i lindur më 1914 në fshatin Vrutok afër Gostivarit, është autor i librit “Albansko stanovništvo u Makedoniji” Beograd, 1988. Libri ka 182 faqe. Ky pseudohistorian maqedonas, më 1950 mbrojti tezën e doktoraturës para një komisioni të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve në Beograd. Sipas këtij autori, shqiptarët në disa vise të Maqedoninë paskëshin ardhur nga Shqipëria, e pikërisht nga fundi i shekullit XVIII dhe gjatë gjysmës së parë të shekullit XIX (1780-1840). Qëndrimet e sipërthëna të kuazi-akademikëve maqedonas përputhen pikë për pike me qëndrimet e pseudo-akademikëve serbë. Qëllim tjetër i kuazi-akademikëve maqedonas është që, duke mohuar çdo vlerë historike të shqiptarëve të këtyre trojeve, të bëjnë çhistorizimin e tyre. Synimet e MANU-s flasin për pretendime territoriale të maqedonasve ndaj trojeve shqiptare në Maqedoni. Sipas këtyre pretendimeve, shqiptarët në Maqedoni janë qiraxhinj. Si të tillë, ata janë njëfarë minoriteti apo pakice, të cilës duhet dhënë ca të drejta qytetare – sa për të mbajtur frymën. Këta pseudo-akademikë e mohojnë rolin e shqiptarëve në të gjitha periudhat historike. Mohojnë edhe prejardhjen e figurave kolosale të kombit shqiptar: të Gjergj Kastriotit, të Nënë Terezës… Një ndër enciklopeditë më të besueshme në botë është “Enciklopedia e përgjithshme” e Oksfordit. Në të, për Nënë Terezën shkruan: “Tereza, Nënë (emri i lindjes Agnes Gonxhe Bojaxhiu)…Murgeshë dhe misionare katolike, e lindur në Maqedoninë e sotme nga prindër shqiptarë”, Enciklopedia e përgjithshme, Oxford, botimi shqip, Tiranë, 2006, f. 1241. Ja se ç’shkruan Larousse: “Teresa (Agnes Gonxha Bojaxhiu, dit Mère) religieuse indienne d’origine albanaise”, Le Petit Larousse, Paris, 1995, f. 1708. Një tjetër enciklopedi shkruan: “Terezija, Majka, pravo ime Gonxhe Bojaxhiu, redovni?ko ime Majka Terezija ili Tereza, misionarka; roðena u Skoplju. Po narodnosti Albanka”. (Op?a Enciklopedija Jugoslavenskog Leksikografskog Zavoda, Zagreb, 1982, libri 8, f. 183). Për tërë botën Nënë Tereza është shqiptare, për sllavo-maqedonasit – jo.

 Akademia Maqedonase (MANU) mëton të ndërtojë ideologjinë nacionaliste maqedonase. Nga kjo ideologji buron edhe politika nacionaliste e shtetit. Me fjalë të tjera, ideologjia nacionaliste antishqiptare e këtij institucioni të lartë kulturor dhe shkencor përputhet me politikën nacionaliste antishqiptare të shtetit. Domethënë, shqiptarët në Maqedoni ballafaqohen me një politikë antishqiptare shtetërore. Është sistemi ai që i diskriminon shqiptarët. Antishqiptarizmi në Maqedoni është politikë e shtetit. Shqiptarët nuk duhet të befasohen nga një ideologji dhe nga një politikë e këtillë antishqiptare. Kjo ideologji antishqiptare e maqedonasve është vazhdim i ideologjisë antishqiptare garashaniniste dhe shën-stefaniste, kominterniste dhe serbokomuniste, e ndërtuar prej Garashaninit, Jovan Cvijiqit dhe Vladan Gjorgjeviqit, e vazhduar prej Çubriloviqit dhe e përcjellë prej akademikut serb me shkollë të mesme bujqësore – Dobrica Qosiqit. Ideologji kjo e ngritur në politikë shtetërore dhe e zbatuar nga karagjorgjeviqët, nga Pashiqi, nga Rankoviqi deri te zjarrvënësi i Gadishullit – S. Milosheviqi dhe dishepujt e tij Shesheli, Koshtunica, Vuk Drashkoviqi dhe B. Tadiqi, të gjithë këta, krerë të së ashtuquajturës çështje kombëtare serbe, kësaj murtaje të zezë të Ballkanit. Thelbi i çështjes qëndron në sa vijon: Maqedonasit synojnë të ndërtojnë ideologji kombëtare. Por ky synim i tyre është i vonuar për më shumë se një shekull. Kjo vonesë shekullore ndikon pashmangshëm që ideologjia kombëtare e tyre të shndërrohet në një ideologji nacionaliste të zvetënuar që është në kolizion me tendencën historike. Shekull i kombeve ka qenë shekulli XIX. Shekulli XXI është shekull i integrimeve. Nuk rishkruhet historia e Ballkanit kur t’u kujtohet pseudo-historianëve të MANU-s. Këto përpëlitje të ideologëve të rrejshëm maqedonas janë dëshmi e padiskutueshme e krizës së identitetit të popullit maqedonas. Maqedonasit, duke mos ditur se ç’janë, bullgarë apo serbë, natyrshëm përjetojnë krizë identiteti. Sipas historianëve të rrejshëm të tyre, maqedonasit mund të ekzistojnë si komb vetëm po qe se identifikohen me maqedonasit antikë. Ndryshe, nuk paskësh, as komb maqedonas, as Maqedoni.

Kjo politikë e VMRO-së dhe e Gruevskit, proceset e rajonit i kthen prapa. Kjo politikë nacionaliste e vonuar ngjall nacionalizmin e popujve të tjerë të Gadishullit, pra çel kutinë e Pandorës. Rajoni, pas një periudhe njëzetvjeçare të tranzicionit, hyri në fazën e stabilizimit dhe të integrimit. Politika e Gruevskit është destabilizuese dhe luftënxitëse. Kjo politikë përputhet me përpikëri me atë të Tadiqit dhe të Koshtunicës. Tani në rajon lindin dy qendra destabilizuese: Beogradi dhe Shkupi. Të jesh me Tadiqin dhe me Koshtunicën do të thotë të jesh kundër NATO-së dhe BE-së.

Këtu në Maqedoni nuk bëhet fjalë për enciklopedinë e Blazhe Ristevskit. Kështu sepse, politika antishqiptare në këtë vend është zbatuar edhe pa u botuar ajo, që nga viti 1912. Këtu nuk është çjerrë kurrfarë maske, ngase diskriminimi i shqiptarëve ka qenë transparent dhe permanent. Deri më sot, Maqedonia ishte në mosmarrëveshje me Bullgarinë – për gjuhën; me Serbinë – për kishën; me Greqinë – për emrin. Sot maqedonasit kanë çelur një front të ri – atë me shqiptarët. Domethënë maqedonasit, pa pikën e arsyes, as të argumentit, janë në konflikt me të gjithë fqinjët e tyre. Rast i rrallë në histori. Kjo shpie në izolimin e këtij populli dhe të këtij vendi. Kjo i largon akoma më shumë nga Perëndimi dhe nga euro-atlantizmi. Duke mohuar faktorin shqiptar në Maqedoni, maqedonasit bien në konflikt, si  me shqiptarët në këtë vend, ashtu edhe me kombin shqiptar në Ballkan. Dhe çfarë paradoksi?! Një popull pa identitet vë në dyshim autoktoninë dhe historinë e popullit më të lashtë të Gadishullit! Shqiptarët në rajon, për dallim nga boshti ortodoks antimaqedonas Sofje-Athinë-Beograd, janë të vetmit që e njohin popullin maqedonas. Qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tirana dhe Prishtina, që nga ndarja e Maqedonisë prej ish-RSFJ-së, prore kanë ndjekur politikë konstruktive ndaj saj. Dhe kjo enciklopedi e MANU-s është shpërblim për konstruktivitetin shqiptar. Shqiptarët në Maqedoni si dhe kombi shqiptar në Ballkan duhet ta rishqyrtojnë qëndrimin e tyre ndaj maqedonasve. Faktori politik shqiptar në Maqedoni duhet ta rishikojë pozicionin e vet politik. In ultima linea, teoria antike e pseudoshkencës maqedonase, është në kundërshti të drejtpërdrejtë me interesat vitale të shqiptarëve në Maqedoni dhe të kombit shqiptar në Ballkan. Teoria antike e Gruevskit paraqet pretendim territorial të drejtpërdrejtë ndaj trojeve etnike shqiptare këtu në Maqedoni dhe më gjerë. Politika e Gruevskit rrënon dhe degradon faktorin politik shqiptar në Maqedoni; diskrediton politikën konstruktive dhe atë të fqinjësisë së mirë të Tiranës dhe të Prishtinës; komprometon rëndë politikën e Uashingtonit dhe të BE-së.

U bëhet pyetje Uashingtonit dhe Brukselit: Ç'u bë me investimet e tyre 20-vjeçare në ndërtimin e shoqërisë multietnike dhe në kapërcimin e paragjykimeve dhe të stereotipeve në këtë vend? Për çfarë multietniciteti mund të flitet sot e tutje? Dhe për çfarë tolerance ndëretnike?

Politika antishqiptare e Gruevskit dhe e VMRO-së, që nga viti 2006 e deri më sot, ka ardhur duke u shkallëzuar. Dhe pritej të përfundonte kësisoj. Rrjedhimisht, përgjegjësi për enciklopedinë maqedonase duhet të mbajë edhe faktori politik shqiptar. Një hap i tmerrshëm i qeverisë së Gruevskit ishte edhe dekreti jotransparent i para ca muajve, që nxënësit shqiptarë, maqedonishten ta mësojnë që nga klasa e parë fillore. Ky vendim u miratua nga një qeveri në të cilën bëjnë pjesë edhe ministrat shqiptarë. Shtrohet pyetja: Si kanë mundur ministrat shqiptarë ta lejojnë një gjë të tillë?! Këta, ose s'janë përfillur fare, ose s'kanë qenë të njoftuar, ose e kanë miratuar vendimin. Politika e Gruevskit ia vë në dijeni faktorit politik shqiptar se politika nuk është një punë, të cilës mund t'i dalin zot injorantët e mësuar, konformistët, oportunistët dhe karrieristët; se politika kombëtare nuk është biznes, komercializëm, mercenarizëm dhe llaç e beton për të ngritur – për përfitime personale – ndërtesa shumëkatëshe. Faktori politik shqiptar duhet t’i largojë nga radhët e vet kuajt e Trojës. Vice versa, dështimi politik është i pashmangshëm. Partitë shqiptare nuk duhet të harrojnë se në këto troje ka njerëz të cilët kauzës kombëtare ia kanë kushtuar një jetë të tërë.

Projekti i MANU-s të përkujton vitet ’80 të qindvjeçarit XX, kur boshti famëkeq Shkup-Beograd-Titograd ushtronte gjenocid mbi popullin shqiptar në Serbosllavi. Shqiptarët nuk duhet të preokupohen shumë me nacionalizmin maqedonas. Maqedonasve duhet t’u bëhet me dije se pa shqiptarët s’ka Maqedoni. Maqedonasit nuk janë për bashkëjetesë me shqiptarët, nuk tregojnë kurrfarë tolerance ndaj tyre dhe ushqehen me  paragjykime e stereotipe. Shqiptarët ndërkaq, thonë se janë të përcaktuar për bashkëjetesë dhe për ruajtjen e tërësisë së këtij vendi. Pra, Maqedoninë dhe stabilitetin e saj, e ruajnë shqiptarët, për të qenë të diskriminuar në të. Ç’farë absurditeti! Këtë s’e bën asnjë popull në botë. Që prej vitit 2006 Gruevski ka vepruar intensivisht për t’i degraduar shqiptarët. Qëllimi i tij është ta rrënojë, ta diskreditojë dhe ta komprometojë faktorin politik shqiptar, të ndërtojë shtet unitar, centralist e monoetnik maqedonas dhe që, njëherë e përgjithmonë, t’i shndërrojë shqiptarët në pakicë të papërfillur. Idenë serbomadhe të akademikëve serbë u përpoq ta jetësonte S. Milosheviqi. Nuk ia doli. Si rrjedhojë, Jugosllavia, kjo kreaturë e AVNOJ-it, u zhbë. Rrugës së tij ecën me përpikëri edhe Gruevski.

Enciklopedia shtetërore është projekt zyrtar i shtetit. Një projekt i tillë manifeston filozofinë politike të shtetit. Enciklopedia maqedonase me përmbajtje antishqiptare, manifeston në thelb politikën antishqiptare të shtetit maqedonas. Po s'qe kështu, atëherë Gruevski dhe kabineti i tij duhet të distancohen prej një projekti të tillë, ta dënojnë atë dhe ta nxjerrin nga përdorimi. Nga ky krijim famëkeq duhet të distancohen njëzëri edhe ministrat shqiptarë. Autorët e këtij projekti duhet të denigrohen nga vetë opinioni maqedonas. Ndryshe, s'mund të ketë Maqedoni dyetnike. Në shtetet dyetnike projekteve të këtilla u kushtohet rëndësi parësore, në mënyrë që të mos rrënohen marrëdhëniet ndëretnike. Në rastin konkret “dijetarët” maqedonas, të ndihmuar edhe nga dy a tre mercenarë shqiptarë, e kanë shpërfillur plotësisht faktorin shqiptar, duke rrezikuar kësisoj perspektivën e këtij vendi. Pas Memorandumit të SANU-s (1986) u suprimua autonomia e Kosovës. Por u zhbë edhe Jugosllavia. Edhe enciklopedia maqedonase synon të mohojë luftën e 2001-shit dhe Marrëveshjen e Ohrit, t’i defaktorizojë shqiptarët dhe t'i shndërrojë në pakicë të parëndësishme. Kjo mund të ketë për pasojë fundin e Maqedonisë. Me mjetet e shqiptarëve financohen projekte antishqiptare. Ky është rast unik në historinë e botës.

Kishte të tillë që thonin: “Dyert e Akademisë Maqedonase janë të mbyllura për shqiptarët…”! Pyetja mund të shtrohet edhe kësisoj: “Ç’u duhet shqiptarëve të kenë në një akademi të tillë dy a tre akademikë shqiptarë që nuk përfillen fare”?! Vetëm për ndonjë honorar?! Shqiptarët duhet të ndërtojnë politikën kombëtare vetanake si dhe institucionet e veta kulturore dhe shkencore. Po të prisnim arsimim nga universiteti maqedonas i Shkupit, kurrë s’do të themeloheshin, as USHT-ja, as UEJL-ja. Ndaj politikës diskriminuese, restriktive, represive dhe opresive të Gruevskit duhet të reagojnë edhe Tirana me Prishtinën, njashtu siç reagon Beogradi ndaj serbëve jashtë Serbisë. Edhe e ashtuquajtura politikë konstruktive e ka një kufi, përtej të cilit nuk shkohet. Faktori politik shqiptar duhet të dijë se deri ku shtrihen kufijtë e politikës paqësore, konstruktive dhe stabilizuese. Ndryshe, tejkalimi i këtyre kufijve, për hir të interesave koniunkturale, paraqet tradhti të lartë. Ndaj ideologjisë së vonuar të Akademisë maqedonase duhet të reagojnë institucionet më të larta shkencore të Shqipërisë dhe të Kosovës. Blazhe Ristevski duhet ta dijë se nuk hartohet enciklopedi duke punësuar në redaksinë e saj dy a tre shqiptarë jokompetentë. Ka kaluar koha e shqiptarëve të ndershëm, e rahman morinave dhe e mercenarëve.

Shoqëria shqiptare duhet të dijë se liria nuk fitohet me dasma, me ahengje dhe me fanatizëm fetar. Shqiptarët në Maqedoni duan të bëhen më myslimanë se arabët. Sundimtarët ndaj të sunduarve gjithmonë kanë zbatuar dy lloj politikash: Divide et impera (Përçaj dhe sundo) dhe Panem et circusens (Bukë dhe argëtim). Uashingtoni, BE-ja dhe Gruevski duhet të dinë një gjë: Mos-hyrja e shqiptarëve në qeveri e vë në dyshim ekzistimin e shtetit maqedonas.