| E premte, 14.01.2011, 08:56 PM |
REGETIMA POETIKE E NAIME BEQIRAJT
Kur kujtimet e imazheve të jetës, së bashku me dhembjen e bukur të fjalës së farkëtuar në thellësinë e shpirtit të prusht, të shkrirë nga dashuria për poetikën hyjnore dhe romancën e lojës së hënës deri në bardhësitë e fjetura në sytë e këngës së agut dhe mugëtirën e derdhur mbi majat e Alpeve Shqiptare, poetesha Naime Beqiraj, në dritë hëne qëndisë vargjet e argjenduara për të na dhuruar dromcat e një jete duke e sendëzuar në trajta konkrete deri te himnizimet e këngëve tona, për të bukurën e humbur dhe në kërkim të saj…
Nga Remzi Limani
Naime Beqiraj, lindi e profilizuar për t`i kultivuar dhe vargëzuar fjalët e shkruara, të mbushura përplot qëndizma figurash që sintetizojnë bërthamën e betejave nëpër kohë për t`i dhënë kuptim artistik deri në lartësitë më bardhoshe të krijimtarisë poetike. E tërë kjo mrekulli e Naimes në vetvete ngërthen një vëllim të rrallë e të lakmueshëm ku frymon metafora e fjalës e mbështjellë me dashurinë dhe intimen të mbështetur në ndjenja, disponimin e gëzuar, të ngrysur dhe në disponimin e përzier, siç janë ngjyrat e jetës sonë… Në të tri librat me poezi: “Mbi Sparunt” (1990), “Maket Kosove” (2000) dhe “Njomja e fikut” (2009), poetesha mbështetet në një realitet të konkretizuar që e përfill me instiktin e brendshëm, e mvesh me ngjyrime poetike të një spektri të gjërë i cili shpërthen nga dinamika e përditshmërisë, gjallimit dhe forcës së të vërtetës për ta mbijetuar të keqen dhe për t`i përqafuar kujtimet dhe mirësitë e njeriut të saj. Në këtë kuptim, qasjet poetike në veprat e Naime Beqirajt, na japin jo vetëm një poete të spikatur në panoramën kulturore të Kosovës, por edhe më gjerë (është përfshirë në një numër të konsiderueshëm të antologjive të poezisë shqipe si dhe në disa antologji botërore të poezisë), duke u shpërfaqur pra kjo botë me poetikën bashkëkohore, e cila në vetvete përmban edhe frymën narrative me kuptimin e saj lucid, e që në fakt poezitë e saja na vijnë edhe si këngë të bukura ngushëllimi. Në këtë kontekst, kuptimet e imazheve të jetës, së bashku me shprehjen, të farkëtuar në brendinë e shpirtit të prusht, të shkrirë nga dhembja dhe dashuria hujnore së bashku me romancën e lojës së hënës deri në bardhësitë e fjetura në sytë e këngës së agut dhe mugëtirën e derdhur mbi majat e Alpeve Shqiptare, poetesha Naime, në dritë hëne qëndisë vargjet e argjenduara për të na dhuruar dromcat e një jete duke e sëndezuar në trajtë konkrete deri te himnizimet e këngëve tona, për të bukurën e humbur dhe në kërkim të saj…
Edhe nokturno poetike e Naimes, tashmë e arrirë dhe e pjekur si një kokërr fiku; e lakmuar për ëmbëlsitë poetike. dhe lojën e saj të gatuar me fjalë e lot, na bëjnë të kuptojmë etjen e artistes për poezinë, e cila nuk fle pa shkëlqimin e hënës dhe fjalën e namatisur me aromën e nënës, për të na dhuruar ëmbëlsinë e gjumit nën kubenë e qiellit mbi Ilirikum së bashku me vargjet poetike me tërë ngrohtësinë e tyre duke na rrëmbyer me tërë qenien dhe njerzillëkun e saj prej një artisteje dhe njeriu të dashur plot miqësi në të…
Më në fund, mund të themi se shumë poezi të N. Beqirajt u shndërruan në këngë të kënduara nga shumë interpretues të këngës së bukur shqipe të cilat i dëgjojmë me ëndje dhe kënaqësi të veçantë.
Poetja jonë u lind në Pejë (1967), në Prishtinë ka mbaruar Letërsinë Shqipe, ndërkaq studimet e magjistraturës në lëmin e publicistikës shqiptare. Ka punuar publiciste e kulturës në disa mendiume të shkruara shqipe, ndërkaq nga viti 2009 është zgjedhur antare e këshillit Drejtues të RTK-së.