Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mikel Gojani: Imzot Mark Sopi - Përfaqësuesi i denjë i fesë dhe kulturës sonë

| E enjte, 13.01.2011, 09:00 PM |


NË PESËVJETORIN E VDEKJES SË  IPESHKVIT TË IPESHKVISË SË KOSOVËS, IMZOT MARK SOPI  (1938-2006)

 

IMZOT MARK SOPI – PËRFAQËSUES I DENJË I FESË DHE KULTURËS SONË

 

Nga Mikel GOJANI

 

Pikërisht, sot, më 11 janar, po bëhen pesë vjet që kur nën dritën e  veprave të tij kolosale iku në amshim, imzot Mark Sopi, ish- ipeshkëv i Ipeshkvisë së Kosovës,  kjo shëmbëlltyrë e  shquar e kombit tonë.

Me ikjen e tij,  grigja të cilës i priu për shumë vjet, mbeti pa  udhëheqësin e saj  shpirtëror,  shkenca jonë pa një studiues të sensit të mirëfilltë, ndërkaq kombi ynë pa një atdhetar të devotshëm të kauzës kombëtare.

 

Një rrugë e begatë jetësore e baritore

 

Imzot Mark Sopi u lind më 29 shkurt 1938 në Binç të Vitisë, nga  prindërit Mëhilli dhe Maria. I takon një familje me tradita  kombëtare, e cila në të kaluarën  kishte dhënë  martirë të kombit. Në vendlindje kreu  shkollimin fillestar, gjimnazin klasik në seminarin  e Pazinit (Kroaci), ndërkaq  Fakultetin  e filloi në Zagreb, ku i kreu dy vite të filozofisë, pas së cilave ipeshkvi Smiljan F. Çekada e dërgoi  si student të dalluar për të vazhduar në Romë. Studimet i ka përfunduar  me sukses, pas secilave menjëherë  ka magjistruar me temërn “Martirët e Karadakut”.

I prirë  nga ndjenja e maturisë, e  urtësisë dhe e mendimeve të thella, në fillim  si meshtar u agazhua në Ferizaj në detyrën sekretar i ipeshkvit imzot Nikë Prela. Pas gjashtë vjet shërbimi  u transferua në  Zllakuqan, që ishte dioqeza më e madhe në Kosovë, me çrat shërbeu  për afër dy dekada. Në këtë vend  Imzot Sopi erdhi në  kohëra shumë të vështira, kur    këtë lokalitet udhëhiqej një politikë  diskridituese dhe antikombëtare. Menjëherë  Sopin e  sfidojnë rrethanat që të sfidohet me noimenklaturën e atëhershme  komuniste, e cila bënte përpjekje të vazhdueshme që të pengonte  veprimtaritë    binin ndesh me platformën politike e filozofike të partisë komunste. Mirëpo, edhe në këto momente delicate vërehet modestia dhe maturia e tij prej një  intelektuali të formuar, karizmat e  lindura  për drejtësi, për punë dhe seriozitet.

 Edhe në vitet e ’90-ta, kur  kauza  kombëtare kërkonte veprimtarë të devotshën në shërbim të  kombit, këtij zëri iu  përgjigje edhe  imzot Mark Sopi, duke u radhitur njëri nga veprimtarët më të devotshëm në Lëvizjen e pajtimeve të gjaqeve. Ishte kjo koha kur  uniteti i këtij populli kërkohej më tepër se kurdoherë, si parakusht  për daljen nga ato kthetra që kishte mbërthyer këtë popull nga hegjemonia serbe. Nga ai kërkohej që  kjo plagë  shumëshekullore një herë e përgjithmonë të flakët nga ky popull. Pra, Imzot Sopi, gjatë  gjithë veprimtarisë së tij për  popullin  shqiptar përcolli mesazhin përunitet, mirëqenie dhe harmoni, si parakusht për realizimin  e aspiratës  shumëshekullore. Rruga e tij ishte rrugë që i kishin preferuar etërit  e  kombit tonë, si Budi, Buzuku, Bogdani, Gjeçovi, Fishta e shumë e shumë të tjerë, idealeve të të cilëve u mbeti besnik deri në frymën e fundit të tij. Me mbërritjen e frymës së  demokracisë në Shqipëri dhe përmbysjen e  ideologjisë ekstreme komuniste, imzot Sopi  me qëllim për ta ndihmuar atë popull të kadandisur, shkoi në Shqipëri, përkatësisht në Durrës, kur shërbeu për plot  gjashtë vjet, duke  lënë  trashëgiminë e madhe të patriotit të flaktë, të besimtarit të madh, prelatit gojëtar, edukuesit të palodhur e dashamirës, misionarit të zellshëm që për një periudhë 6-vjeçare u bë famulltari më i dashur i Kishës së Durrësit. Shembullit të përkryer të përkushtimit ndaj Zotit, vlerave hyjnore të njeriut të kombit, shembullit frymëzues për drejtësi dhe përparim. Është më të vërtetë madhështore ku qëndronte gjitha ajo energji dhenga e gjente gjithë atë kohë për të gjithaato veprimtari me të cilat merrej.  Ripunoi me dashuri shkrimet e hershme dhe i përfshiu në librin e tij  “Baca Kolë dhe famullitari” pastaj shkroi librin tjetër publicistik “Martirët e Karadakut”,  shkroi refleksionet për librin e profesorit  skocez  Drumond, përktheu letra e enciklika    Papës. Pati përfunduar një libër rreth koncileve. Ai shkroi edhe  shjetra artikuj ne shtypin e kohës, sidomos të Shkodrës. Derisa  veproi në Durrës i dha jetë revistës kulturore “Vegim drite”.  Ai shkroi edhe shumë  shkrime publicistike. Ka shkruar dhe botuar  artikullin “Mall e nderime  Kosove për imzot Lazër Mjedën”.

Për kontributin e madh të dhënë në të gjithë këto veprimtari dhe  shumë punë tjera përkushtuese në  misionin  që i ishte përkushtuar, në vitin 1995 Ati i Shenjtë- Papa Gjon Pali II e emëron  ipeshkëv të Ipeshkvisë së Kosovës me seli në Prizren.  Si Kryebari i Kishës Katolike Shqiptare, Imzot Mark Sopi  qëndroi dhe i shërbeu popullit të tij deri në frymën e tij të fundit.

 

Dr. I. Rugova: Imzot Mark Sopi do të mbetet një burrë i madh që gjithë jetën punoi për fe e për atdhe

 

Edhe dr. Rugova, edhe imzot Mark Sopi, këto dy prona të çmuara të kombit shqiptar, kufirin e jetës e kishin pasur shumë të afërt.  Që të dytë vdekja  i rrëmbeu  për në kohë të afërt. Edhe Imzot Mark Sopin me dr. Ibrahim Rugovën e lidhnin shumë gjera që do t’i rezistonin  kohërave. Ai me tërë qenie përkrahte  politikën  racionale të dr. Rugovës  dhe pikërisht ajo filozofi i shërbente si  frymëzim edhe për punë  dhe veprimtari. Edhe dr. Rugova e çmonte lartë kontributin e  Imzot Sopit për  lirinë e Kosovës.  Respekti që kishte dr. Rugova për imzot Mark Sopin  shihet në telegramin e tij të dërguar me rastin e vdekjes kur ndër të tjera dr.  Rugova shprehet:

 “Ipeshkvi e nderuar,  Me rastin e vdekjes së Imzot Mark Sopit, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Ju lutem pranoni ngushëllimet e mia të thella dhe të popullit të Kosovës.  Në historinë më të re të Kosovës Imzot Mark Sopi do të mbetet një burrë i madh që gjithë jetën punoi për fe e për atdhe. Duke vepruar për forcimin e kishës katolike shqiptare, pra të Ipeshkvisë së Kosovës, që e drejtoi për një dekadë të tërë, u bë njeri i dashur dhe i nderuar për të gjithë popullin e Kosovës. Imzot Mark Sopi gjithmonë ishte me popullin e Tij dhe me Zotin. Kjo i bën njerëzit të jenë të mëdhenj e të nderuar përgjithmonë.

Imzot Mark Sopi me vite të tëra u angazhua për pavarësinë e vendit tonë, Kosovës, duke na dhënë zemër e forcë se ajo do të bëhet së shpejti nga miqtë tanë.

Sot në këto momente të dhembjes, ndihem krenar që pata një mik të tillë, çfarë ishte Imzot Mark Sopi, të cilin gjithnjë e kisha krah të fortë pranë vetes në punët shtetërore në momentet më të vështira e më të mira. I falemi kujtimit të Tij të përjetshëm. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës së lirë”, shprehet në telegramin e tij ngushëllues dr. Ibrahim Rugova.

Edhe dr. Rugova, edhe imzot Mark Sopi, frymëzim jete dhe veprimtarie kishin Bogdanin e Madh. Që të dytë ishin të mishëruar në idealet dhe virtytet e  atij kolosi të madh të kombit. Rruga që u kishte preferuar ai ishte rrugë edhe e tyre të cilës nuk iu shmangen  deri në frymën e fundit të jetës. Si dëshmi e këtij mishërimi përkujtojmë fjalët e imzot  Mark Sopit kur ndër të tjera shprehej: “Bogdani i shkrojti tridhjete tetë raporte Selisë së Shenjtë dhe botës mbi gjendjen  e mjeruar dhe të shtypurtë popullit shqiptar. Edhe neve na befason që në ato kushte dhe në ato rrethana mundi ta shkruajë kryeveprën “Çeta e profetëve”, me ç’rast praktikisht shprehet jo vetëm gjeniu krijues i tij, por, një kohësisht edhe adresari se kujt  ia dërgon Bogdani.  Befasia më e madhe ishte kjo: Bogdani  ishte thellë i mishëruar në popullin. Ai e di se kush është populli. Kishte mundësi edhe të pushojë  në pallatet të Padovës dhetë Evropës, mirëpo  nuk pranon oferta të tilla dhe thotë:”Fati i popullit tim  është fati im”. Sepse, shpellat ku ai fshihej nga pushtuesit,për të kanë qenë pallate, sepse kanë qenë shpella të popullit shqiptar. Prandaj, shprehej Imzot Sopi, edhe unë nuk kam tjetër jetë përpos  popullit dhe me popull. Ky është mishërim i tërësishëm, i cili mund të vlerësohet drejtë. Sikur të heshtinim në  këto rrethana të popullit shqiptar, dotatradhtonim  vetveten në radhë të parë, do t’i  tradhtoja bindjet dhe përcaktimet e mia” shprehej imzot Sopi. 

Imzot Mark Sopi  ishte meshtar dhe atdhetar. Ishte meshtar i zellshëm, i angazhuar në të gjitha frontet e  jetës dhe të veprimit, sidomos në pajtime, në marrëdhënie të mira dhe në bashkëpunim ndërfetar krishtero-mysliman; i kujdesshëm për çdo njeri, veçmas për të varfër e të shkelur.  Imzot Mark Sopi ishte organizator i mirë i grigjës sonë dhe më gjerë; atdhetar i dalluar për mbrojtjen e  Kosovës në çdo hap dhe vend, organizator dhe bashkëpunëtor i mirë i kreut tonë shtetëror, zelltar shpirtëror dhe kulturor për bashkëimin dhe bashkëveprimin  e shqiptarëve, kuptohet, për të mirën e të gjithëve, predikator i palodhshëm dhe guximtar i fjalës së Zotit; nismëtar dhe ndërtues i shumë kishave dhe qendrave pastorale, bëmirës dhe humanist për të gjithë… Me një fjalë, Imzot Mark Sopi  ishte një njeri i  Zotit dhe i Popullit, veprimtar i mirë dhe i rrallë në çdo kohë dhe hapësirë, dëshmitar i fesë  dhe dashurisë së  krishtere, meshtar gjithnjë i frymëzuar për thirrjen meshtarake, veprimtarinë baritore dhe kombëtare.

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Mark Sopi,  ishte i përkushtuar për pavarësinë e Kosovës, dhe për të mirën e njerëzimit dhe të vlerave civilizuese. Shëmbëlltyra e tij rrezatonte dashuri dhe respekt për gjithë popullin shqiptar. Predikonte dashurinë njerëzore, paqen dhe tolerancën.

Angazhimi i tij për pavarësinë e Kosovës dhe konsolidimin e  shtetit të Kosovës shihet edhe në  dëshminë e tij në Kongresin Amerikan më 2005,  ku me ngulm  mbron  shtetin e pavarur të Republikës së Kosovës, po ashtu prezanton edhe tolerancën ndërkonfesionale  të popullatës  shqiptare myslimane dhe asaj katolike në Kosovë.  Fjala e tij me peshë zgjoi interesim të jashtëzakonshëm tek pjesëmarrësit të Kongresit.

Imzot Mark Sopi do të mbahet mend për kontributin madhor që ka dhënë për pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës dhe për virtytet e larta njerëzore e kombëtare.

 

Ideator për ndërtimin e Katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë

 

Iniciativën për t’u ndërtuar një katedrale në Prishtinë, kjo e posainauguar  në fundvitin e kaluar, ishte e  Imzot Mark Sopit. Ndërtimi i kësaj katedrale kishte për qëllim shërbimin  e paqes dhe bashkimin mes shqiptarëve. Kjo Katedrale me përmasa dinjitoze nga ajo ide u shndërrua në një monument të shenjtë që shfaq madhështinë e krishterimit të lashtë shqiptar dhe i jep pamje evropiane kryeqendrës së Republikës së Kosovës.

Në këtë drejtim bashkideator me Imzot Mark Sopin, i kësaj vepre të bukur  ishte edhe ish- Presidenti i atëhershëm të Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, të cilët, po ashtu bashkërisht    26 gusht 2001 bënë bekimin e  gurit themeltar të kësaj katedraleje, e cila sot ka ngre shtat në “zemrën” e Kryeqytetit tonë. 

Imzot Mark Sopi, u shua nga jeta më 11 janar 2006, duke mbetur emër i pashuar në historiografinë e  kishës katolik shqiptare dhe  të kombit shqiptar në përgjithësi.

 

Mikel Gojani, 11/01/2011