| E enjte, 13.01.2011, 08:57 PM |
Shqipëria sot duhet të kërkojë të drejtat e çamëve, ashtu si kërkon Greqia të drejtat e minoritetit të saj
Nga Faik Krasniqi
Eshtë momenti më i mirë që Shqipëria t'i tregojë dhëmbët Greqisë. Kurrë më parë Shqipëria nuk ka patur kaq shumë mbështetje nga diplomacia ndërkombëtare, sidomos nga SHBA, që është si themi dhe lideri botëror. Shqipëria po përkrahet nga SHBA në çdo iniciativë të sajën dhe kjo u duk qartë në anëtarësimin në NATO. Ishte insistimi i SHBA që Shqipëria u votua unanimisht në NATO.
Shqipëria sot duhet të kërkojë të drejtat e çamëve, ashtu si kërkon Greqia të drejtat e minoritetit të saj. Shqipëria duhet të veprojë në bazë të ligjeve të marrëdhënieve ndërkombëtare. Përveç institucionit të të drejtave të njeriut, i cili përcakton që minoritetet duhen respektuar dhe u duhet dhënë vendi i merituar në shoqëri, ekzistojnë dhe disa ligje të tjera të marrëdhënieve ndërkombëtare, siç është psh "Pariteti" mes dy vendeve.
Greqia nuk po e zbaton aspak këtë ligj ndërkombëtar me Shqipërinë. Atëherë përse ne duhet të respektojmë çdo kërkesë të tyre? Gjithashtu historianët tanë kanë fakte të patjetërsueshme që mund t'i tregojnë në çdo institucion ndërkombëtar për dhunën e ushtruar nga shteti grek ndaj popullsisë Shqiptare gjatë viteve '40-50'. Atëherë, ashtu si Grekët kërkojnë të drejtat e tyre ashtu duhet të kërkojmë edhe ne të drejtat tona, aq më tepër që sot kemi dhe mbështetje mjaft të gjerë ndërkombëtare.