| E hene, 10.01.2011, 08:56 PM |
Plehrat, le të dhjesë secili në nevojtoren e vet
Nga XHOVALIN DELIA*
Një letër për Kadarenë, por jo vetëm për të por për gjithë ata të cilëve u ka ende peshë fjala në Shqipëri.
Në shekullin e XXI -të, në botën postmoderne, tingëllon paradoksale, por plehrat që na kërcënojnë janë çmimi më i shtrenjtë që Shqipëria ka paguar ndonjëherë për lirinë në historinë e saj.
Tragjedia e pushtimit nga plehrat është më e madhe se ajo e 7 Prillit të 1939 -ës, pasi pas një lufte të përgjakshme u çliruam një ditë, ndërsa nga plehrat do të pushtohemi përjetësisht në rrugë paqësore e demokratike, firmosur me dorën tonë. I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të reagojnë kundrejt kësaj mynxyre më të zezë së ajo e këmishëzinjve!
Mos u gënjeni nga fytyrat hipokrite që shtrëngojnë duart e zbardhin dhëmbët. Kemi pritur me lule 7 Prillin e zi mos bëni të njëjtën gjë për plehrat me ngjyra! Le të dhjesë secili në nevojtoren e vet; shqiptarët në të veten e italianët në të tyren. Mburren zotërinjtë evropianë për lirinë që na falen, fryhen qeveritarët tanë si kaposhë në pleh për vizat; jo nuk na kanë falur liri, përkundrazi, po na e shesin, bile më shtrenjtë se kurrë, me plehra! Zoti na ruajt nga kjo skllavëri!
Para se të qaja hallin me Savianon, "Shën Gjergjin" e Italisë, e pashë të udhës t'i shkruaj dy fjalë Kadaresë, "profetit" të Shqipërisë. Aty ku na ke lënë, në udhëkryq, jemi akoma o profeti ynë. Atëherë, ndryshe nga legjendat me Bajlozë, nuk patëm frikë nga deti, përkundrazi, të uritur e të zhveshur por me shpresë, prisnim në breg "mrekullitë" e demokracisë Perëndimore. Sot, kur në horizont, nga ai "Perëndimi i bukur, i shenjtë, qytetar dhe i pastër", na shfaqen plehrat e Italisë dhe BE-së, kemi frikë.
Atëherë, nuk na the asgjë, ike i rrëmbyer nga ëndrra e lirisë: ne morëm detin me këmbë e ti avionin për në Paris. Po sot, që je i lirë dhe i nxënë, pse nuk na thua: ç'po ndodh në Evropë e në Shqipëri? Këto janë vërtetë rregullat e demokracisë apo plehrat e Italisë? Nuk të kërkoj të drejtën e shkelur e as besimin
e humbur në Evropë e demokraci, veç urtësi e pakëz dritë nga Torra Eifel të na kthesh.
Ju thoni se; " ... çdo popull, sidomos populli shqiptar, është shumë i ndjeshëm ndaj ndjenjës së drejtësisë, ...( I. Kadare - shekulli 22. 12. 2010) Na thuaj profeti ynë; ç'na ndanë nga drejtësia, nga rregulli e nga ligjet e bashkëjetesës qytetare? Nuk dimë, nuk duam apo nuk na lënë?
Me të drejtë ju thoni se; "... Ne kemi bërë vërtetë luftë kundër asaj që quhet mëshirë kristiane, por kemi harruar që këto ndjenja janë ndjenja njerëzore që janë mbi fe...(I. Kadare - shekulli - 22. 12. 2010).
Mjerimi ka vetëm zhele dhe nuk do mëshirë por drejtësi. Po a mund të pretendojmë drejtësi qytetare, e aq më pak mëshirë kristiane nga një sistem i padrejtë, i pa fe, madje i korruptuar fizikisht, moralisht e politikisht? Alternativa e padrejtësisë nuk është predikimi i mëshirës e as mëshira, por denoncimi i shkakut, në mënyrë që, shkaktarëve të pamëshirë e të pafytyrë t'iu tundet kolltuku nën bythë e viktima "populli sovran", të zgjohet e të njohë padrejtësinë.
"...Ka një kërkim ndjese, një pardon." (I. Kadare - Shekulli 22. 12. 2010). Le të rrëfehemi e të kërkojmë ndjesë ne të parët. Le të reflektojmë! Por që të reflektosh do të thotë të jesh në paqe me veten dhe me çka të rrethon.
Ju thoni se; "... Të gjitha këto janë përjashtuar nga jeta jonë. I kemi përjashtuar dhe nuk i kultivojmë". (I: Kadarè Shekulli, 22. 12. 2010).
A nuk jemi edhe ne ish kopshtarë të bahçes ku kultivuam "njeriun e ri" që sot, herë me kravatë rozë e here me blu, na fshikullon me kamxhikun e demokracisë? Që nënshtrohet me një flakaresh e shitet për dy pare?
Apo fajtorë janë gjithmonë e vetëm komunistët e vdekur? Po ne të gjallët, çfarë bënim atëherë e ç'po bëjmë sot? Atëherë mbollëm atë çka jemi duke ngrënë, e sot jemi duke mbjell atë çka të tjerët do të korrin nesër. Jemi të sigurt për farën e zgjedhur, o kopshtar i mirë? Zgjohuni o shqiptarë nga liturgjia e përjetshme!
Ju thoni me delikatesë; "... ligji i zgjedhjeve, mendoj që është një nga ligjet e rëndësishme që do të luajë rol. Unë nuk jam specialist dhe nuk jam marrë ndonjëherë me këtë gjë, por e them si parim si të thuash".(I. Kadarè, Shekulli - 22.12.2010)
Nuk është e domosdoshmërisht të jesh "specialist" për të treguar ku të dhëmb. Mjafton të jesh i ndershëm me veten e për të mirën tënde. Le ta vëmë gishtin në plagë, tek fillesa e mbrapshtë, aty ku komprometohet demokracia, përzgjedhja e stafit që do të marrë përgjegjësinë e qeverisjes e të administrimit të jetës publike; Pse përfaqësuesit e popullit sovran, në vend që të zgjidhen direkt nga sovrani popull, vazhdojnë të zgjidhen nga krerët e partive, me marifete "dushku e shkoze"?
Sepse i shërben popullit e vendit e demokracisë apo interesave të krerëve të partive për të personalizuar partitë, politikën dhe institucionet? Një produkt i këtyre marifeteve, nuk ka se si të jetë qeveri legjitime, e si e tillë për të mbijetuar, një qeveri e tillë, është e detyruar të sundojë politikën e brendshme, çka do të thotë të shtypë opozitën, e ti nënshtrohet politikës së jashtme, qoftë kjo edhe e padrejtë: dhunon të drejtën e qytetarëve të vet, pranon përbuzjen e dhunimin e zotërinjtë Perëndimorë ndaj bashkëqytetarëve emigrant, hapin dyer e penxhere për çdo lloj plehrash e "investimesh", edhe pse janë në dëm të njerëzve e të vendit, madje është gati të sakrifikojë edhe pjesë nga toka e deti i vendthit tonë të cunguar, mjaftë që të mbajnë pushtetin. Në emër të kujt?
20 vjet amulli post-komuniste. Një vit e gjysmë spektatorë të këtij teatri banal politik shqiptar; me një parlament pa opozitë, gjysmagjel, të paralizuar në agoni që mbijeton me serumet e ndërkombëtarëve, përralla me viza dhe me Evropë. Gjynah për shqiptarët e turp për qeveritarët! Liria ka gjithmonë një çmim, ne e kemi paguar shtrenjtë e kurrë nuk e kemi gëzuar. Sot matrapazët tanë qeveritarë kanë gjetur pazar me leverdi; për çdo shqiptar të "lirë" me vizë, plehra të klasit të parë MADE IN ITALY.
Në djall vaftë çmimi Nobel, na thuaj, profeti ynë ku është e padrejta ku është qytetaria? Nëse nuk na e thua dot, na mëso si ta njohim të drejtën. Zaten, bash për këtë, shkrimtari konsiderohet gjysmëperëndi, jo thjeshtë se di të shkruaj mbi letër, por sepse vizioni i tij shikon përtej letrës, sepse për misionin e tij është gati të bëhet fli.
*Piktor, regjisor, shkrimtar. Jeton në Firence
**************************************
Projekti italian: Ku do ngrihen impiantet për plehrat në Shqipëri
Sipas projektit S.C.O.R.I.A., (volumi i dytë e hartuar nga Agjencia Rajonale për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Ambientit (ARPA), me qendër në Pulia, Itali), Shqipërisë i duhen shumë impiante për trajtimin e mbeturinave urbane, industriale, të rrezikshme apo të parrezikshme.
Në kapitullin për gjendjen në Shqipëri dhe projektet e ardhshme, jepet një listë e gjatë. Aty flitet për një grup qytetesh që do shërbejnë si zona për ndërtimin e vend-përpunimit të plehrave dhe për një grup tjetër ku do ndërtohen impiante për trajtimin e plehrave.
Në planet e parashikuara për vitin 2011 janë 8 ndërmarrje të mëdha për ndërtimin e vend-përpunimit të plehrave në qytetet shqiptare. Në listë (pra si vend-përpunimi plehrash) janë qytetet e Vlorës, Elbasanit, Beratit e Gjirokastrës me vlerë totale prej 15 miliardë lekësh. Sipas projektit qeveria shqiptare nuk i ka këto fonde dhe "u duhet patjetër ndihma e huaj". (këtu përmendet në parantezë ndihma e dhënë nga projekti i BE-së CARDS për të financuar projektet e punëve publike të ndërmarra nga Ministria e Ambientit dhe Ministria e Punëve Publike në Shqipëri).
Ndërkohë Maliqi, Vlora (sërish) dhe Shkodra, do kenë impiante për trajtimin e plehrave. Sipas hartuesve të projektit një grup i huaj ka financuar hartimin e një studimi fizibiliteti për ndërtimin e një impianti gjigand plehrash në Maliq të Korçës. Në projektin italian që Shekulli posedon, thuhet se ky impiant i trajtimit të plehrave në Maliq do ketë kapacitet 1.5 milionë metër kub dhe me densitet të ngarkesave kompakte prej 0.9 ton/m³, dhe një cikël jetëgjatësie prej 20 vitesh. Do të jetë në një sipërfaqe prej 13 hektarësh, 10 nga të cilat për ndarjen e plehrave. Sipas italianëve të projektit të sipërcituar "një impiant i tillë do të kënaqte kërkesat e tërë rajonit". Përveç këtyre parashikohet një impiant tjetër në Shkodër, si dhe një në Vlorë.
Shekulli njoftoi dje egzistencën e një materiali voluminoz mbi Shqipërinë të hartuar nga Agjencia Rajonale për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Ambientit (ARPA), me qendër në rajonin e Pulias në Itali, e cila është angazhuar në hartimin e një projekti që ka për qëllim "aktivizimin në një hapësirë të përbashkët italo-shqiptare për përgatitjen e instrumentave njohës, metodologjinë dhe veprimin mbi fenomenin e plehrave, edhe të lidhur me trafiqet ilegale ndërkufitare".
Projekti quhet SCORIA. Drejtor i përgjithshëm është Prof. Giorgio Assennato, ndërsa përgjegjës i projektit është avokat Vittorio Triggiani. Volumi i dytë i projektit me 345 faqe i bën një autopsi gjendjes së plehrave në Shqipëri. Në faqen 282 të projektit vjen seksioni i trajtimit të mbetjeve urbane, ku bëhet një vlerësim i situatës dhe ka objektiva që shtrihen nga vitet 2006-2020, çka do të thotë që për italianët tashmë, sjellja e plehrave në Shqipëri është një punë e kryer dhe afatgjatë.
Sipas të dhënave të publikuara në këtë projekt, pjesë nga i cili Shekulli do botojë edhe në ditët në vijim, në territorin e Shqipërisë prodhohen rreth 1 milion e 232 mijë tonelata mbeturina në vit, nga të cilat 722 mijë tonelata janë mbeturina urbane, ndërsa 510 mijë tonelata mbeturinash industriale.
Kryeministri i Shqiperise
S.Berisha duke folur gjate nje mbledhje qeverie sulmoi ashpër të gjithë ata që janë shprehur kundër importit të mbetjeve. "Ata përfaqësojnë anarkistët, marksistët -leninistët, ata nuk kanë të ardhme. Janë armiq të vërtetë të mjedisit, përbëjnë armiqtë më të rrezikshëm të mjedisit, ushqehen me paratë e mafias, për të dëmtuar kokurencën e ndershme të biznesmenëve në Shqipëri" - tha ai. Sipas S.Berishës, "vendimi është unik në llojin e tij, sa i përket garancive dhe shoqatat mjedisore, sipas tij, "kanë reguar pozitivisht, kane shprehur vlerësim dhe falenderim për qeverinë".
Trafiku ka nisur
Akoma pa u miratuar ligji i qeverisë që lejon importin e plehrave, ky import nisi. Nga funksionarët italianë të doganës në Bari u kap një sasi mbetjesh që ishte nisur drejt Shqipërisë me qëllim riciklimi. Materiali në fjalë që po tentohej të eksportohej në mënyrë të jashtëligjshme në Shqipëri përbëhej nga mbi 90 lavatriçe, dhe rreth 70 frigoriferë e dhjetra pajisje të tjera elektroshtepiake të dala jashtë përdorimit. Lajmi është botuar në faqet online të gazetave italiane të cilat sqarojnë se mbetjet u gjetën brenda një kamioni të mbuluar me tendë. Transportatuesi është arrestuar nga autoritetet e drejtësisë si dhe është sekuestruar ngarkesa.
Kreu i Opozites
Një ditë pas miratimit të vendimit nga ana e qeverisë kreu i PS-së Edi Rama e cilësoi një vendim jotransparent dhe të rrezikshëm dhe premtoi që do ta zhbëjë sapo të vijë në pushtet. Ndërkohë deputeti Besnik Bare ka shfaqur frikën se me anë të këtij importi të lejuar do të përfundojnë në Shqipëri mbetje toksike, gjë që përbën një shqetësim real për shoqërinë. "Mbetjet toksike dhe të rrezikshme mund të hyjnë lirshëm në vendin tonë, kjo falë edhe vendimit të fundit të qeverisë për importin e mbetjeve e plehrave nga jashtë. Shqipëria ka një mungesë kapacitetesh për monitorimin dhe vlerësimin e këtyre mbetjeve, nga pikëpamja kimike, biologjike e fizike, pasi institucionet e specializuar pothuajse janë shkatërruar nga vetë Berisha", tha ai
Projekti Nano
Në vitin 2004, nën drejtimin e Fatos Nanos, u miratua një marrëveshje me kompaninë italiane "Albania beg" për vendosjen e një impianti plehrash në Tiranë dhe u ljejua importimi i plehrave nga Italia në Shqipëri. Një marrëveshje që shkaktoi shumë reagime dhe protesta para kryeministrisë. Marrëveshja parashikonte imortimin e plehrave nga Roma për në Sharrë të Tiranës dhe marëveshja në atë kohë u firmos nga tre ministra të qeverisë shqiptare (dy prej tyre i mohuan firmat më vonë) dhe pati dhe mbështetje politike nga përfaqësia diplomatike italiane në Tiranë. Debati mes qeverisë dhe kundërshtarëve të këtij projekti zgjati disa muaj dhe si përfundim nuk u lejua. Botuesi i gazetës Shekulli, organizatori kryesor i protestave, u padit në Tiranë dhe Romë nga pala italiane, mes replikash me tone të forta ku u përfshinë ambasadori italian në Tiranë, zv.prokurori Antimafia, senatorët e Legambiente etj
***
Trafiku i plehrave nuk është një fjalë në erë. Është një punë studimore, ku janë angazhuar ministri, specialistë, njerëz me tituj shkencorë dhe financime të shumta që vijnë nga burime shtetërore, agjenci kërkimore-shkencore apo OJF ambientaliste.
Një studim i tillë për trafikun ndërajonal të mbeturinave urbane dhe te materialeve te riciklueshme apo te rrezikshme per ambientin dhe shëndetin e njerëzve.
Agjencia Rajonale për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Ambientit (ARPA), me qendër në rajonin e Pulias në Itali vitet e fundit është angazhuar në hartimin e një projekti që ka për qëllim aktivizimin në një hapësirë të përbashkët italo-shqiptare për përgatitjen e instrumentave njohës, metodologjinë dhe veprimin mbi fenomenin e plehrave, edhe të lidhur me trafiqet ilegale ndërkufitare, të quajtur SCORIA, ku drejtor i përgjithshëm është Prof.
Giorgio Assennato, ndërsa përgjegjës i projektit është avokat Vittorio Triggiani. Sipas projektit parashikohet edhe bashkëpunimi, përveç organizmave të tjera shtetërore mes dy vende, edhe të forcave të Guardia di Finanza-s. Volumi i dytë i projektit me 345 faqe i bën një autopsi gjendjes së plehrave në Shqipëri.
Në faqen 282 të projektit vjen seksioni i trajtimit të mbetjeve urbane, ku bëhet një vlerësim i situatës, objektivat për vitet (2006-2020), optimizimi i ciklit të mbeturinave, për zvogëlimin e rrezikut ambiental dhe të shëndetit.
Sipas të dhënave të publikuara në projekt në territorin e Shqipërisë prodhohen rreth 1 milion e 232 mijë tonelata mbeturina në vit, nga të cilat 722 mijë tonelata janë mbeturina urbane, ndërsa 510 mijë tonelata mbeturinash industriale. Në studim thuhet ajo që është e vërtetë në Shqipëri, se ndërsa vijon rritja e masës së mbeturinave urbane, nuk ka ende një sistem modern të mbledhjes, transportit dhe trajtimit të mbeturinave. Sipas studimit, fondet e përcaktuar në buxhetin e shtetit për periudhën 2008-2010, nuk i japin përgjigje trajtimit të plehrave në Shqipëri.
Në fund të studimit të kryer nga italianët, botohet i plotë dhe i përkthyer në italisht ligji shqiptar për plehrat. Si për koiçidencë jepet dekreti nr.99 i 18 shkurtit 2005 për aprovimin e katalogut Shqiptar të Plehrave, që në fund është firmosur nga ish-kryeministri Fatos Nano dhe ish-ministri i Mjedisit, Et'hem Ruka, që të dy mbrojtës të marrëveshjes për importimin e plehrave nga Italia në vitin 2004.
************************************************
Plehrat e Napolit, në Shqipëri
Shqipëria hap dyert për plehrat e Napolit, merr me vete edhe "Sacra Corona Unita".. Kështu e titullon një shkrim të saj AMI (Agenzia Multimediale Italiana). Agjencia raporton se Shqipëria do marrë plehrat e Europës, përfshi dhe ato të Napolit. Gazeta e quan një mrekulli për Napolin.
Bashkë me plehrat, Shqipëria do marrë edhe mafiozët e "Sacra Coirona Unita", shkruan kjo agjenci, duke supozuar se pas mafies së plehrave qëndron kjo organizatë. Një prej drejtuesve të saj u arrestua para disa kohësh në Shqipëri. Disa gazeta raportuan për lidhje të tij me Ministren e Integrimit.Me poshte, shkrimi i AMI dhe nje reagim i Ministrise se Bujqesise ne Tirane
Qeveria shqiptare e Kryeministrit Berisha, e sfiduar nga gjysma e parlamentit që nuk mblidhet, hapet ndaj riciklimit të mbeturinave të vendeve fqinje. Mrekullia e San Gennaros, në 'salsë adriatike'.
Shqipëria u hap dyert mbeturinave të Europës, përfshirë Napolin. Sipas qeverisë së Tiranës: "Vendi ynë nuk arrin të furnizohet me lëndë të parë për industrinë tonë të riciklimit, prandaj edhe jemi të detyruar të importojmë mbeturina dhe t'i riciklojmë në vend".
Qeveria e Tiranës parashikon hyrjen, pa asnjë detyrim doganor, të 50 tipave të mbeturinave që do të përfundojnë sipas saj si lëndë e parë në industrinë shqiptare të sapolindur të riciklimit. Lajmi meriton vëmendje. Kini kujdes!
«Nuk do të importojmë lëndë të parë të dëmshme, radioaktive apo të paricikliueshme», - ka siguruar Ministria e Ambientit në Tiranë.
Por ja që, ndërkohë, në portin e Barit, është sekuestruar tashmë një ngarkesë e parë prej 69 frigoriferësh dhe 92 lavatriçesh të vjetra, të drejtuara drejt brigjeve shqiptare. I gjithë malli i riciklueshëm, pavarësisht se përmban substanca të rrezikshme.
Shqipëria nuk ka një legjislacion dhe standard europian në këtë fushë. "Ndoshta është kjo arsyeja se pse vendet e pasura kanë ndërmend të sjellin tek ne mbeturinat e tyre, - thonë ambjentalistët shqiptarë.
Me sa duket, pas vendeve afrikane, edhe Shqipërisë i bie fati të bëhet "kazan mbeturinash i vendeve të pasura".
Shqipëria është njëri nga vendet më të ndotura të Europës.
Dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut e një problemi që prek Shqipërinë nga më shumë se 20 vjet. Mbeturinat mblidhen pa kriter në periferitë dhe menaxhimi i tyre në brendësi të qyteteve është shumë i keq.
Në bazë të statistikave të Organizmave Ambientaliste Ndërkombëtare, ky problem e bën Shqipërinë një nga vendet më të ndotura të Europës. Përfaqësuesi i një shoqate kombëtare të kësaj fushe, ka deklaruar për mediat shqiptare se «në Shqipëri nuk ekzistojnë as strukturat e nevojshme dhe as infrastrukturat për të klasifikuar mbeturinat për riciklim».
«Kjo është një lëvizje politike që do të sjellë përfitime ekonomike vetëm për një grup të ngushtë personash, që do të merren me riciklimin», - thotë ai. Dhe, pa dyshim, nga kjo do të përfitojnë vendet që po kalojnë emergjenca në këtë sektor, siç është Italia.
Në fakt, nuk është rastësi që Shqipëria u hap dyert mbeturinave europiane pikërisht tani. Në një nga takimet e tij të kohëve të fundit, kryeministri shqiptar ka folur për këtë çështje me homologun italian, Silvio Berluskoni.
Çështja ambientaliste
Duket se qeveria shqiptare aktuale nuk e ka shumë për zemër çështjen e ambientit. Të shumta janë projektet me rrezik të lartë për ambientin: furnizimi me rërë shqiptare për brigjet e Leçes, projekt për ndërtimin e një impianti heliocentrik në parkun kombëtar të Karaburunit - energjia e të cilit do t'i shkonte e gjitha Italisë - projektet për centrale të ndryshme hidroenergjetike dhe të një centrali me karbon në ndërtim në afërsi të Durrësit, si dhe ambiciet nukleare italo-shqiptare që do ta bënin Shqipërinë "një superfuqi të vogël energjetike", sipas Berishës së tyre.
Impiantet e reja të riciklimit?
Por, historia e mbeturinave të importuara nuk është e re në Shqipëri. Që në vitet '90 një ish-funksionar ka deklaruar se ishte në dijeni të sasive të ndryshme të mallrave ushqimore të skaduara dhe të duhanit që importoheshin dhe groposeshin në territorin shqiptar.
Aktualisht, në Shqipëri, industria e riciklimit është një risi e viteve të fundit, por disa shoqëri, tashmë, janë pajisur me lejet përkatëse për të ndërtuar impiante riciklimi, me pjesëmarrjen e bashkëpunëtorëve dhe familjarëve të ish-ministrit të Energjetikës, si aksionerë të një shoqërie italiane që duhet të ndërtojë një impiant përpunimi të mbeturinave për të prodhuar, sipas tyre energji elektrike.
Mblidhen mbeturinat në periferi
Në Shqipëri, riciklimi i mbeturinave mbetet sporadik dhe shpeshherë mbledhja e tyre bëhet në periferitë e qyteteve, ku popullsia rome dhe të varfrit zhyten, (në kuptimin e mirëfilltë të fjalës), për të nxjerrë që andej materialet e pakta që mund të riciklohen, siç janë kënaçet dhe objektet metalike.
Ata që nxorën në dritë emergjencën e mbeturinave shqiptare ishin fqinjët kroatë. Një sasi mbeturinash të llojeve të ndryshme me etiketa shqiptare ka mbërritur në brigjet e tyre.
Një Shqipëri lajmi nuk ka habitur asnjë njeri, ndërkohë që mediat kanë shfaqur në ekranet kombëtare gjendjen e lumenjve dhe që liqeneve të përdorura gjerësisht si grumbullues për mbeturina urbane, por edhe për ato organike dhe toksike spitalore.
Reagimi nga qeveria shqiptare
"Shekulli" ka kërkuar dje një prononcim zyrtar lidhur me çështjet që janë rrahur këto ditë në opinionin publik dhe që rishfaqen në artikuj të ditëve të fundit edhe në median italiane. Në emër të qeverisë, ka ardhur një reagim nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, të cilën po e botojmë më poshtë, të plotë.
Të bën përshtypje që përdoren të njëjtat terma që përdoreshin në vitin 2004 nga ish-kryeministri Nano dhe ish-ambasadori italian (një mbrojtës i flaktë i marrëveshjes Nano-Beketi).
Asokohe z. Nano dhe përfaqësuesi i qeverisë italiane në Tiranë i quajtën Shekullin dhe gjithë kundërshtarët e tjerë të shumtë të projektit për import plehrash (përfshirë ish-opozitën e Berishës) si "përfaqësues të mafies ndërkombëtare" dhe "ekomafies". E njëjta gjuhë përdoret nga qeveria e sotme, dikur opozitë kundërshtuese e flaktë e importit të plehrave. Ja teksti i reagimit që ka mbërritur me e-mail në redaksinë e Shekullit:
"...Në emër të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Z Genc Ruli dua t'ju sqaroj se nuk ekziston ndonjë çështje plehrash apo import plehrash. Gjithçka është një sajesë nga ana e opozitës dhe mafia ndërkombëtare.
Legjislacioni i miratuar së fundmi, i keqinteprteuar me qëllim, vetëm disiplinon në mënyrë strikte importin ose jo të mbetjeve urbane. Lajme të tilla si ky që ju sot citoni, fatkeqësisht nxiten dhe serviren nga zëra të brendshëm, që i shërbejnë mafies së organizuar, që merret me industrinë e paligjshme të plehrave në vendet rrotull.
Prandaj, lajme të tilla i vijnë për shtat gjuhës dhe taktikave që ndjek kjo mafie. Së fundi, zoti Ruli, në asnjë nga funksionet e tij qeveritare, qoftë në krye të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, qoftë në krye të asaj të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, nuk ka pasur të drejtë ligjore për të licencuar aktivitete të ricklimit apo të përpunimit të plehrave..."