Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Myftaraj Antirilindasit në gjuhësi: trashëgimtarët e kauzës së cirilicave në alfabetin shqip (2)

| E hene, 10.01.2011, 08:58 PM |


Antirilindasit në gjuhësi: trashëgimtarët e kauzës së cirilicave në alfabetin shqip (2)

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Se mbi çfarë fryme u ngrit standardi i vitit 1972 këtë e zbulojnë sot firmëtarët e rezolutës së vitit 1972. Ata arritën atëherë deri atje sa t’ i quajnë huazimet kah gjuhët sllavo-cirilike dhe fjalët e prejardhura prej tyre, sipas rregullave të standardit, si pjese integrale e gjuhës shqipe, dhe kjo u pasqyrua dhe në dy fjalorët e gjuhës shqipe të botuar në periudhën komuniste dhe pas saj. Prof. Dr. Jani Thomai, një nga firmëtarët e “Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit”, në një libër të botuar në vitin 2000, me titull “Leksiku dialektor e krahinor në shqipen e sotme”, shkruan për huazimet nga sllavishtja në shqip: 

“Të gjuhës letrare janë bërë tashmë: i begatë, bisedë, bujar, çast, çetë, çudi, dobi, duf, fal, fllad, gozhdë, gërmadhë, godinë, godit, gostit, grabit, grazhd, grusht, gjobë, gjobit, kastravec, kos, kosit, krahinë, lag, lis, lopatë, mërzit, nevojë, oborr, orendi, orvatem, plaçkë, porosi, prag, pushkë, qepallë, rend, rob, stan, strehë, shetit, trup, vazhdë, venitem, vërtit, i vobeg, zakon etj. A. Desnickaja përfshin këtu edhe fjalë ‘të ardhura prej tyre,të formuara tashmë në truallin e shqipes’: bisedoj, bisedim, bujari, bujarisht, i çuditshëm, i dobishëm, falem, të falat, falenderoj, gozhdoj, grabitje, grabitës, krahinor, lagështirë, i lagur, lakmonjës, mërzitje, i mërzitshëm, i nevojshëm, nevojitet, porositje, pushkatoj, robëri, robëroj, sundimtar, sundonjës, strehoj, trupor, trupëroj, vazhdim, vazhdoj, vazhdimisht, vobegësi, zakonisht, i zakonshëm, të cilat kurrësesi nuk mund të përfshihen në shtresën e huazimeve slave”. (Jani Thomai, “Leksiku dialektor e krahinor në shqipen e sotme”, Botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë 2000, f. 38-39)

Por a nuk do ishte më e arsyeshme që të zëvendësoheshin të gjitha këto fjalë sllave me fjalë prej gjuhëve perëndimore, dhe në rradhë të parë anglishtes, që po përhapet shumë ndër shqiptarët? Të dyzet nënshkruesit e apelit të dhjetorit 2010, duke i renditur emrat pas Shaban Demirajt treguan se janë vazhduesit e krahut Anti-Rilindje që mbronte alfabetin mikst. Ata janë antirilindasit. Jo rastësisht ndër të dyzetët është Gaqo Bushaka, shefi i botimeve pranë uzurpatorit grek të Kishës Ortodokse të Pavarur të Shqipërisë. Ata janë antirilindasit, trashëgimtarët e kauzës së cirilicave në alfabetin shqip. Ata nuk e kanë për turp të bëjnë mashtrime nga më të trashat, si atëherë kur thonë:

“flitet shpesh për ndalimin e gegërishtes si një akt politik nga regjimi komunist. Kjo nuk përputhet me faktet. Partia komuniste dhe regjimi komunist interesoheshin në radhë të parë për përhapjen e ideologjisë së tyre me çdo mjet të mundshëm. Ata nuk shqetësoheshin fort nëse krijoheshin vepra letrare a këngë në këtë ose atë dialekt: mjaftonte që ato t’ i thurrnin lavde partisë dhe udhëheqësit të saj, t’ i bënin jehonë asaj çka thoshte partia. Prandaj janë të shumta veprat letrare dhe krijimet edhe në dialektin e Veriut. Ndërprerja e botimeve gegërishte te ne ndodhi pas Konsultës Gjuhësore që organizoi në prill të vitit 1968 Instituti Albanologjik i Prishtinës. Në këtë konsultë u vendos njëzëri që në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi e në vise të tjera shqiptare në Jugosllavi, të përdorej gjuha letrare e Shqipërisë dhe drejtshkrimi i saj, sipas parimit ‘Një komb-një gjuhë letrare kombëtare’. Pas kësaj edhe në Shqipëri, pa ndonjë vendim administrative, praktika e mëparshme e krijimit dhe botimit të letërsisë artistike dhe shkencore në gegërishte u vetëndërpre si një akt solidarizimi vullnetar me Konsultën e Prishtinës. Përdorimi i një forme të njësuar të gjuhës dhe zbatimi sa më i përpiktë i normës letrare u ndien si detyrim qytetar i përgjithshëm. Në kushtet kur veprimtaria botuese ishte vetëm në duart e shtetit, kjo u absolutizua dhe iu mohua krijuesve e drejta e natyrshme për të zgjedhur vetë formën gjuhësore të shprehjes”. (Gazeta “Shekulli, 15 dhjetor 2010, f. 19”)

Këtu qëllimisht përzihen dy gjëra të ndryshme, që janë vendimi për gjuhën standarde, e cila më pas do të përdoret nga administrata dhe shkollat, si dhe lëvrimi i letërsisë apo këngëve në dialektin, apo më saktë në nëndialektet e ndryshme gege. Kur Konsulta gjuhësore e Prishtinës, e vitit 1968 mori vendimin që përmendet më lart, kjo nuk do të thoshte se ajo njohu toskërishten si gjuhë letrare, se ende nuk ishte marrë vendimi në Shqipëri për gjuhën standarde. Në vitin 1968, ashtu siç ishte në fuqi vendimi i Kongresit të Manastirit të vitit 1908 për alfabetin latin, ashtu ishte në fuqi edhe vendimi i Kongresit të Elbasanit të vitit 1909 për gjuhën standarde mikste toskërisht-gegërisht, mbi bazën e së folmes konverguese të Elbasanit. Prandaj Konsulta e Prishtinës e vitit 1968 nuk mund të sillet si argument për të mbrojtur atë që u bë në Tiranë në 1972. Ajo që u bë në Tiranë në 1972 ishte dhunim i një forumi të Rilindjes, çka kishte qenë Kongresi i Elbasanit i vitit 1909 dhe delegatët nga trojet shqiptare në Jugosllavi, të cilët qenë në Kongresin e vitit 1972 në Tiranë, u vunë para faktit të kryer. Praktikisht të gjithë ata më pas kanë shprehur rezerva për atë që u bë në Tiranë në 1972.

Sa për atë që thonë dyzet nënshkruesit e apelit të dhjetorit, se në Shqipëri u hoq dorë nga lëvrimi i gegërishtes në art, si një gjest solidarizimi me konsultën e Prishtinës të vitit 1968, kjo është si ajo që thoshte Enver Hoxha se tufëzimi i bagëtive ishte veprim vullnetar i fshatarëve. Shkrimtarët dhe poetët shqiptarë vendosën të mos shkruajnë më në gegërisht, ashtu siç vendosën më pas fshatarët që të mos mbajnë më pula! Këta dyzet dinozaurë, apo kandidatë për dinozaurë, e kanë ndarë mendjen që të vdesin sharlatanë.

Në të vërtetë, vendimi për dhunimin e gjuhës standarde shqipe, të përcaktuar që në kohën e Rilindjes, ishte një vendim politik i regjimit komunist, dhe jo më kot për ta shprehur atë u zgjodh minoritari grek, Manol Konomi, Ministër i Drejtësisë dhe njëherësh kryetar i Institutit të Shkencave(?!). Në vitin 1947, Kryetari i Institutit të Shkencave, Manol Konomi, duke raportuar para Asamblesë Popullore (parlamentit komunist), foli edhe për çështjen e gjuhës standarde shqipe: “Duhet të jemi të qartë, gjuha letrare, gjuhë e përbashkët kombëtare, duhet të jetë ajo e masave të popullit që përfaqësojnë pjesën më progresive të vendit tonë. Rruga që çeli populli me luftën e tij duhet të jetë edhe rruga që duhet të ndjekë gjuha në zhvillimin e saj. Zhvillimi i gjuhës në një drejtim tjetër ose në drejtim të kundërt nuk është i mundshëm. Ky është kriteri i shëndoshë që duhet të kemi gjithnjë parasysh në punën tonë”. ( Buletini i Institutit të Shkencave, Viti I, 1947, f. 18-19.)

Aluzioni nuk ishte e vështirë të kapej. Pjesa më progresive e popullsisë, ajo e lidhur me luftën (kështu quhej lëvizja komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore) quhej ajo e Toskërisë. Prandaj dhe gjuha standarde duhet të ndryshonte duke u bërë bazë e saj dialekti tosk. Që këtë gjë po e shpallte minoritari grek Manol Konomi, kjo mund të shihet si një homazh që po i bënte Enver Hoxha krahut të alfabetit mikst. Me deklaratën e Konomit krahu i alfabetit mikst merrte revanshin dhe asgjësonte paskajoren nga gjuha shqipe, duke u hakmarrë për eliminimin e cirilicave dhe gërmave greke nga alfabeti shqiptar.

 

kastriotmyftaraj@sot.com.al - Gazeta Sot