| E hene, 10.01.2011, 08:19 PM |
KRISTAQ TURTULLI
Rrugëtimi i parë
Rrugëtimi im i parë
Në mikrobotë,
Ndodhi në pragun e pashkruar në fletë,
Aty ku kryqëzoheshin rrymat e dëshirave,
Aty ku drithëroheshin petalet e luleve,
Aty ku zienin valët e pasioneve,
Aty ku përplaseshin dallgët e kundërta të mendimeve,
Aty ku derdheshin me mllef shikimet tinëzare,
Në gurgullimin burimeve të nëndheshme të të pathënave.
Aty ku buzëqeshja u tha prej erërave,
Nuk mundi të ndehej skajeve.
Telat e kitarës u këputën,
U prenë prej meteorëve të rremë.
Aty, ku ishin të kërleshura
Morritë e rëndomta,
Të pazgjidhura të rastësive.
Aty, ku brengat,
Shqetësimet,
Gëzimet,
Janë të pranishme çdo sekondë.
Aty ku dielli kërkon të përkëdhelet, të shkelë syrin
Dhe të derdhë rezet e ngrohta.
Aty, në parvazin e ëndrrës fluide,
Kish qëndruar pëllumbi i bardhë.
Por u godit kur mori fluturimin
Prej një dore vrasëse.
Aty ku më e vogël se një bulës vese
Pikoi mbi një fletë gjetheje...
Rrugëtimi im i pandierë,
Në çerek botë
Ndodhi
Kur përqark ish hedhur kuverta e trashë,
E vazhdonte të binte borë,
Bënte ngricë,
dhe ftohtë.
Kishin zbritur nga veriu arinjtë e bardhë.
Aty ku qyteti gërmuqej si plak kockëdalë.
Mërdhinte, rrufiste çaj të ngrohtë,
Duke u kollitur rëndë,
Mbi supe ngrinte
Pelerinën e grirë të plogështisë,
Të shqyer prej teheve të mprehta të shekujve.
Malet nuk mbanin më si dikur kryet përpjetë,
Lëviznin kryet me ngathtësi, qenë bërë qerosë,
Rrufetë shkreptinin orë dhe minutë
Dhe përzhitnin kodra, skërka, monopate.
Gurët e rrugicave u bënë ujqër të hirtë,
Turreshin të ndërkryer drejt mjegullës,
Njëri tjetrin kafshonin përmes ulërimave.
Hëna si nuselale shkiste shelgjeve
Donte të bënte lodra bajate.
Mos përgjigja e hollonte,
E bënte kosore,
Me urrejtje të priste
Të kaltrat mëngjese.
Përplaseshin dyer e dritare me ankth e frikë.
Rrugëtimi im i pandierë
Në gjysmë botë
Ndodhi.
Kur mendimet e sinqerta të babës,
Donin të shtronin rrugë të pastra,
Por nuk mund ti shprehte.
Mendimet e zymta
Prisnin kryq e tërthor horizonte.
Shtegtonte brigjeve të gjelbra kënga e tij e shpresës,
Por ende qenë të mbuluara me ferra dhe driza.
Ndaj ecte ai pa fjalë,
duke mbartur mbi shpinë,
Një copë qiell pa ngjyrë,
Në sy detin me valë,
Në fytyrë mëngjeset e shartuara
Me gërmuqje mbrëmje.
Ai ecte,
Të gjente dhe shpinte prej topitjes
Zërat e largëta të breznive.
Aty ku vëllezërit e mi të dobët,
Çapiteshin,
Me bluzat e holla mbështjellë,
Të punuar me shtije me merakun dhe dertin e nënës.
Ata dridheshin, kishin të ftohtë.
Ndriçimi i zbehtë i pellgjeve i ftonte, i joshte,
I hutonte,
Të shkelnin mbi ujore,
Dhe të shkruanin të përbaltur hieroglifë,
Aty ishin përzierë të gjitha hijet e së keqes.
Sa shumë gropa kishte.
Tutje në lokalet e natës,
Dëgjohej, blini bajame me kripë.
Diku pas një gryke kuiste ujkonja plakë...
Aty ku motrat e brishta,
Me ëndrra të çiltra
Dhe fustane të holla, basme,
Me gishtërinj të bardhë, delikatë
Vizatonin në dritare fluturza luleshqerre.
Hu, hu, hu hukatnin duart me ngrira me frymë.
Macja e kuqe
E Doruntinës topalle,
Mjaullinte zëçjerrë.
Ishte harruar jashtë në të ftohtë.
Tak, tak hape dhe macja ka nevojë për një strehë.
Qentë kockë e lëkurë të rrugicave,
Kafshojnë të ligështuar qoshet e shtëpive.
Nuk kanë ç’të hanë.
I mbyllën dyqanin kasapit Mele.
Rrugëtimi i pandierë në botë
Ndodhi,
Kur dridhshëm zgjata gishtërinjtë të prekja pragun e fjalës,
Xhamat e dritare u veshën
me avullin
Dhe frymën e nenës.
Thoshin se pranvera do vinte,
Qielli do kthjellohej dhe do mbushej me yje,
Por akoma kishte re, re, re,
Mjegull dhe erë të ftohtë.
Ndërkohë kuajt viteve, dekadave.
Prej padurimit shkrofëtinin,
Të mprehur qëndronin
Gati për nisje.
Lart, në kupë të qiellit,
Tik taku i orës së madhe buçet,
Varur në çengelin e memories...
KRISTAQ TURTULLI
Toronto janar 2011