Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dy poezi nga Isuf B. Bajrami

| E diele, 09.01.2011, 08:52 PM |


Isuf B. Bajrami

 

 

KUR NGRITET FLAMURI

 

Gjaku ngritet lart

Para nesh të rënët,

Retë bëhen shkëmb

Trëndafilat këngë.

 

Fusha bëhet mal

Mali nuk lëviz

Trupat tanë - shtizë!

 

Lulet bëhen pemë

Balta bëhet gur,

Kështjellë bëhet guri

Kur ngritet - Flamuri!

 

 

ILEGALËT

 

Dikush edhe mund të fshihet, kur e thërret Atdheu

Por, ata ecin nëpër dëborë, nëpër shtigjet e acarta

Me akullin që iu viret prej djersës mbi ballë.

 

I dalin përpara tufanit...

Kapin një pushkë,...dhe një tjetër,

Sikur na i shtrëngojnë duart tona.

 

Rrugët e ngrira të dimrit

I çajnë me dritën e syrit.

 

Fytyrën dhe zemrën ua njoh mirë

N’mes t’zhurmëve që vijnë nga larg,

Si një urë që është e mbushur me njerëz

Zërin e tyre naj kujton çdo mëngjes.