Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pjeter Pepa: Papa Gjon Pali II më porositi që t'i tregoj Europës komunistët shqiptarë

| E diele, 09.01.2011, 05:40 PM |


Nga Gilmana Bushati

 

Në qendër të Katedrales së Shkodrës qëndronin 40 kuti, secila e mbyllur me kordele të kuqe, që simbolizonin praninë shpirtërore dhe arkivore të 40 martirëve të parë të klerit katolik shqiptar. Jeta, vepra dhe vdekja e tyre u shqyrtuan, nga dhjetëra njerëz, të caktuar nga kisha, për tetë vite me radhë për të ardhur në vendimin e fundit, që këto duhet të jenë martirë, që vdiqën me fjalën e Krishtit në gojë dhe me urimin për një Shqipëri të mirë. 40 kutitë udhëtuan një ditë më vonë drejt Vatikanit së bashku me kardinalin Humes, që kishte ardhur në Shqipëri pikërisht për të ndjekur nga afër mbylljen e gjyqit për 40 personalitete të kishës shqiptare. Por për hartimin e këtyre materialeve, përveçse u deshën tetë vite, u desh dhe puna e madhe e njerëzve për të vërtetuar me dëshmi, të dhëna arkivore, dokumentacione dhe materiale, që pikërisht këta janë martirë të rënë gjatë diktaturës së komunizmit dhe që me plot bindje duhet të jenë shenjtorët e ardhshëm. Këta janë pjesë e listës së parë, pasi komunizmi martirizoi të gjithë pjesëtarët e klerit katolik, pa harruar dhe drejtues të tjerë të besimeve të tjera fetare në vend. Për punën e bërë për të mbledhur këto dëshmi, flet një nga anëtarët e komisionit të historisë, Pjetër Pepa. Dëshmia e tij prek të gjithë rrugën e përshkruar për të mbërritur pikërisht te të dhënat historike për 40 personalitetet e para, që u nisën drejt Vatikanit dhe do të presin atje shqyrtimin dhe më pas shpalljen e tyre shenjtorë. 
Zoti Pepa, ju jeni anëtar i komisionit historik për kanonizimin e 40 martirëve të klerit katolik. Pse u ndërmor një nismë e tillë? 
Ajo që ka ndodhur me klerin katolik është një genocid i vërtetë. 250 kanë qenë klerikë nga këta 43 u pushkatuan, 43 vdiqën në burgje, pra rreth 30 për qind janë asgjësuar, 40 për qind janë burgosur, pjesa tjetër është arratisur ose nuk janë lejuar të hyjnë në Shqipëri, pjesa e mbetur u përjashtuan dhe pas 1967 nuk u lejuan të ushtronin besimin e tyre, pra u asgjësuan të 250 klerikët me të gjitha format. 
Me ndryshimet demokratike që kanë ndodhur është e kuptueshme që thirrja për t'i konsideruar ata martirë është bërë nga ne. Martirë janë pikërisht ata që jetuan nën thirrjen "Për fe e Atdhe", dhe janë pushkatuar për bindjet fetare dhe faktin që kanë vdekur me fjalët "Rroftë Krishti Mbret, rroftë Shqipëria", janë martirë ata që thanë se i falin të gjithë ata që i torturua, gjykuan dhe ekzekutuan dhe do t'i falin edhe ata që do i pushkatojnë në të ardhmen dhe thanë në fund "ne po vdesim të pafajshëm". Por kjo dhunë nuk ka ndodhur vetëm te ne, por te gjithë Europa lindore, por me këto ndryshime, ashtu si dhe vendet e tjera, klerit katolik shqiptar filloi t'i kërkonte Vatikanit që edhe ne të kemi martirët tanë të diktaturës komuniste. Ashtu siç kemi në fakt shenjtit dhe martirët e shekullit të I të diktaturës romake si Shën Astin, Shën Donatin etj dhe të shekullit të fundit me Nënë Terezën. 
Pas kërkesës që është bërë në Vatikan, cila ishte përgjigja e tij? 
Pas thirrjes sonë, Vatikani në 2002 në prani të kardinalit Sele, ardhur posaçërisht për këtë çështje bëri hapjen e ceremonisë së procesit të kanonizimit të këtyre martirëve të diktaturës së fundit komuniste. 
Ky është procesi i parë i ndërmarrë për klerin katolik në Shqipëri? 
Jo, Shqipëria e ka njohur edhe më përpara procesin e martirizimit edhe gjatë pushtimit turk, kur për shkak të bindjeve fetare, për shkak të punës së këtij kleri për të përhapur idetë e këtij besimi, përfaqësuesit e tyre janë ngulur në hunj, apo janë varur në sy të të gjithë popullit. Edhe gjatë mbretërimit të Zogut ka vijuar persekutimi i klerit e këtu përmend Dom Gjon Gazullin, i cili u var para gjithë popullit në qendër të Shkodrës, në lagjen Dugajt e Reja. Edhe pse ka vdekur në kohën e Zogut, Dom Gjon Gazulli është përfshirë në kontingjentin e parë prej 40 martirë që i propozohen Vatikanit për t'i shpallur shenjt. 
Pse do të ketë dhe kontingjent tjetër përveç këtyre 40 martirëve të parë? 
Po, ka dhe shumë të tjerë, që do të bëhen pjesë e listës tjetër, pasi një pjesë e këtyre martirëve të kishës nuk janë vendosur në listën e parë. Në listën e parë janë përfshirë, siç përmenda Dom Gjon Gazulli, por nuk është përfshirë i vëllai Dom Nikollë Gazulli, që ka qenë një filozof i madh jo vetëm i klerit dhe i gjithë Shqipërisë, është përfshirë dhe Dom Luigj Paliq, që është vrarë më 1919 nga serbët, pikërisht për bindjet e tij fetare. 
Pra, këta të dy nuk janë viktima të diktaturës komuniste, po të tjerët? 
Me përjashtim të këtyre të dyve, 38 të tjerët i përkasin periudhës së komunizmit. Nga këta 38 veta, 33-34 veta janë klerikë, 4-5 të tjerë janë qytetarë të thjeshtë. Ndër këta dua të përmend martiren nga Mirdita Marie Tucin, që vdiq pas torturave që iu bënë në hetuesinë e Shkodrës. 
Cilat kanë qenë periudhat më kritike për klerin katolik në Shqipëri? 
Dy kanë qenë fazat më kritike të asgjësimit të klerit katolik shqiptar, në gjyqin e parë të Partisë Demokristiane, e cila u konsiderua si organizatë terroriste. Pikërisht këtu e mori goditjen e parë dhe ishte viti 1946 dhe në qendër të sulmit janë pikërisht urdhri i jezuitëve dhe me to u goditën dhe qytetarët e thjeshtë. Përmendim këtu ata martirë që janë pjesë e kësaj liste si profesor Gjelosh Lulashin, seminaristi Mark Çuni. Kjo fazë vijoi pak më vonë edhe me procesin e gjetjes së armëve në kishë. Më 1948 u pushkatuan Imzot Frano Gjini, Patër Çiprian Nika, Dom Nikollë Deda, me pretekstin se i kishin futur ata armët. Por për ironi të fatit, më 1949, u burgosën dhe më pas u pushkatuan dhe njerëzit që i kishin futur vetë armët në kishë, ish-funksionari dhe aspiranti i sigurimit të shtetit Pjerin Kçira me shokë. Goditja e dytë ishte gjatë revolucionit kulturor, model i kopjuar nga kinezët. Këtë herë u pushkatuan Dom Zef Bici, Dom Mark Dushi, u dënuan me burgim të përjetshëm Dom Frano Ilia dhe me radhë. Me këtë rast u godit dhe urdhri tjetër i klerit katolik, françeskanët. Lista e 40 martirëve të parë nuk i përmban këta të fundit, pasi janë shumë. 
Ju janë dashur pra plot tetë vite për të plotësuar dokumentacionin për këto 40 martirë, sa e vështirë ishte? 
Nga 2002 kur u hap ceremonia e kanonizimit e deri më 8 dhjetor 2010, kur u mbyll ky proces, u përfshinë në të komisione të shumta, si ai gjyqësor, historik etj. Të gjithë anëtarët e këtyre komisioneve punuan me këmbëngulje dhe vetëmohim për të nxjerrë dëshmitë gojore, për secilin nga 40 martirët, u mblodhën me qindra faqe materiale të shkruara, dokumente, që të gjithë bashkë do të justifikonin, argumentonin dhe vërtetonin para Vatikanit faktin e martirizimit të tyre vetëm për bindje atdhetare dhe fetare. 
Ju keni qenë anëtar i komisionit historik. Cili ka qenë angazhimi juaj për grumbullimin e këtyre materialeve? 
Para se të angazhohesha me këtë detyrë të rëndësishme, kam hulumtuar më përpara në arkivat e shtetit. Duke shfrytëzuar faktin se isha deputet i Kuvendit Popullor, në 1992-1993 m'u ngarkua detyra që të hulumtojë në arkiva për gjyqin e parë të deputetëve, një ndër ta ishte Shefqet Beja; kam hulumtuar në materialet arkivore për gjyqin ndaj Musine Kokalarit; për gjyqin e dytë të deputetëve, një prej të cilëve ishte Riza Dani. Duke hulumtuar këto materiale arkivore u përballa me këtë pjesë të klerit katolik, ku faktova se të gjithë kishin vdekur duke thirrur "Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Shqipëria". Për këtë më 1995 botova librin "Dosje e diktaturës". Për këtë angazhim timin m'u kërkua të isha anëtar i komisionit historik. Kjo më dha mundësi, që edhe pse jo më deputet, të vazhdoja punën në arkivin e ministrisë së Brendshme, për të zbuluar pikërisht këto të vërteta. Dhe këto të vërteta nuk ishin të tilla vetëm për 40 martirët që kemi propozuar për shenjt, por për pothuaj të gjithë klerin katolik shqiptar në 50 vitet e komunizmit. Librin "Dosje e diktaturës" ia dedikova Nënë Terezës dhe Papa Gjon Palit II. Kur ia dorëzova këtij të fundit librin ai më porositi "ti duhet të vazhdosh të kërkosh e të shkruash sepse Europa ende nuk e di se çfarë ka ndodhur me klerin katolik shqiptar, dhe ne duhet t'ia bëjmë të ditur". Nga kjo porosi e vyer unë iu përkushtova për 10 vite me radhë hulumtimit të këtyre materialeve. 
Pra, ju gjithë materialet që keni hulumtuar për persekutimin e Kishës i keni botuar si libra? 
Po, dhe pas librit "Dosje e diktaturë", botova një libër tjetër, sërish dy vëllimesh "Tragjedia dhe lavdia e klerit katolik shqiptar". Dy vite ma parë ia dorëzova këtë libër Atit të Shenjtë Papa Benediktit të XVI. 
Pas përfundimit të procesit të kanonizimit çfarë pritet zoti Pepa? 
Pas tetë vitesh punë, më 8 dhjetor 2010, në një ceremoni madhështore dhe të dhimbshme gjithashtu u krye procesi i mbylljes së kanonizimit. Me këtë rast, kishte ardhur nga Vatikani një kardinal tjetër. Në këtë ceremoni atij iu dorëzuan të gjitha materialet e grumbulluara si një detyrim i kryer ndaj Vatikanit, për të vijuar më tej me procesin deri në atë ditë që uroj të jetë e shpejtë, pra deri në ditën e shpalljes së tyre zyrtare si martirë, në mënyrë që e gjithë bota të dijë se çfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë diktaturës të gjatë e të dhimbshme të komunizmit. 
Sa zgjat procesi i shqyrtimit të materialeve dhe çfarë shpresoni me këtë rast? 
Po këto materiale duan vite që të shqyrtohen që më pas të merret një vendim. Di që vende të tjera të botës kanë mbi 30 vite, që i kanë bërë kërkesat për shpalljen e klerikëve shenjtorë, 30 vite ose edhe më shumë. Por, shpresojmë që me drejtimin e Vatikanit nga pasardhësi i Papa Gjon Palit të II, ky proces të shpejtohet për Shqipërinë. Nënë Tereza ka thënë: "Ndiz një qiri më mirë se të rrish gjithë kohës duke nëmur errësirën", apo "edhe nëse ajo që ti bën është një pikë uji në oqean bëje, sepse po nuk e bëre, oqeani do të jetë pa atë pikën e ujit tënden". Këto thëniet të Nënë Terezës i përdora për t'iu përgjigjur asaj se çfarë unë shpresoj. Me shpresë që edhe unë ndeza një qiri, hodha dhe një pikë ujë në oqeanin e pafund të dhimbjes shqiptare, ndjej kënaqësi së botova dy vëllime me 1500 faqe, në të cilët pasqyrohet dhimbja dhe drama e Shqipërisë dhe e klerit të saj. Unë s'kam asnjë vlerë e meritë, gjithçka e bukur që gjendet në librat e mi është vlerë e atyre që ditën të jetojnë, të punojnë dhe të vdesin për binomin e shenjtë për të gjithë kombet e kohërat, "Për Fe e Atdhe".

Gazeta Shqiptare, 07/01/2011 - Për ZSH: Gjergj Kabashi