| E diele, 09.01.2011, 05:22 PM |
MBI BUZËT E TUA ULET PRILLI
POEZI NGA DASHNOR SELIMI
LINDËS
Fytyra jote kaq qelibare,
çtë bëj,ta kthej në pasqyrë ëndërrimtare?!
Qerpiku yt, si një aisberg,
e marrin zogjtë ulen mbi degë. Flokët e tu,si flatra vallëzore, i marr me vete në ditë shënjtore. E ngrohtë,përherë kjo zemra jote, mbështes dhe dhimbjen nëpër morte. Si tel kitare, gishtat në harkun me hënë, më zgjuajnë nga gjumi e kthehen në këngë. Buzët e tua,aromë trëndafili, vjen mbi to dhe ulet prrilli. Ky zëri yt,si një zë bilbili, po ul dhe zogjtë mbi lule bliri. Hedh hapin tënd,ti si kunadhe, të tjerë më thonë se është sorkadhe. E jam i lumtur,jetoj me shpresë mbi buzët e tua,unë le të vdes...
PËR NJË LOT MË KISHIN FTUAN E nisa për udhë të largët zemrën time. Në Eden ky shpirti im. Mbi buzë dafine rënkon dhimbja e brishtë... Për mall mori me vete flatra ëngjëlli e nëpër driza rrëmbeu një vjollcë të fshehur. Të fshehur ishin dhe zogjtë nëpër jargavanë, të përndezura qershitë mbi degë thërrmojnë sytë e thëllëzave... E nisa për udhë të largët zemrën time. E ndalën tre qeparisa në varrezat e Goricës... ... për një lot e kishin ftuar.
ËNDËRR Syri prush përgjonte hënën tinzare, në qiellin e gushtit, kur drapri i artë kosiste yjet. Vargjet e mia zgjasin duart në oaze të fshehta, buzëlulet me vesë. Në shtegun e natës dridhej lofata e porsaçelur. në sytë e maces. Oh!Ata sytë e ty dua ti flladis me zjarrminë e çastit e dhimbjen tënde ta mbaj mehlem. Në të gdhirë zogjtë do të ulen mbi ata sy.
VATRA ME PRUSH TË SHUAR Këmbët e erës më çuan në vendlindje. Aty buzë vatrës gjeta thënjgjij të shuar. Thënjgjijt mbuluar me thinja i mora në prehrin tim. Lotët e mallit bien si fletë lulekuqe, për t'u çopëzuar në dritën e një qiriri.
SHETITJE MËNJGJESI Era belëhollë përkundej mbi pasqyrat e syve të mij. Lotët e atij fillim-marsi shkundeshin mbi lule bajamesh, si një vesë e porsarënë, që kërkon të shuaj etjen mbi buzët e trëndafilave. Më varej mbi qerpik trupi i fildisht i agimit, tek rrëmbeva yjet në puthjen e mënjgjesit. Nga ballkoni ngrihej dielli. mbi supet e erës tirrej një fjollë mjegulle.
NË QIELLIN MBI QYTET Nata ndezi dritat. Zogjtë të trembur zbritën nga lartësitë duke kërkuar ujë nëpër hone. Për të mbështetur krahët qëndruan në muret e heshtjes. Qëndruan në dritaren time për një çast. Cicërojnë,por ëndrrat e tyre enden në qiellin mbi qytet. Ishte e plagosur kujtesa e tyre nga frika,nga nata me sytë e saj të kobshëm. Një mbrëmje dashurova këtë botë të vogël. Nata mëkatare me sytë e saj mendimet m'i mbuloi.
NË VISET E ËNDRRËS TËNDE Lërmë të hyj në viset e ëndrrës tënde. Ti je si një mështeknë e bardhë, si klithma e vetmuar e pyllit. Unë s'jam bar i tretur në dimër. Digjem si toka,digjem si deti... Në dhomë është vendosur qielli, kanë zbritur dhe yjet,ndërsa hëna më sjell në sy shkëlqimin e pragmënjgjesit. Princ i ditës në u bëfsha trokut të thundrave të kujtesës era dhe zogjt do të mi marrin strehshtëpie. Përse këlthet,lërmë të hyj në viset e ëndrrës tënde. Hija rrëshqet nën këmishë,në heshtje dielli i shpirtit tim. MIKJA E VETMISË Erë, pyje, male, ujra e përrenj, kreshta të thinjura, vite më parë... Një pellg uji vështron pikëllueshëm nga qielli. Hijet vijnë rrotull, këputen pas kokamalesh. Retë e prera për këmishë, për shami dhëndërrie... Ligjërojnë kanarinat në pragmbrëmje sonetin e një piano. Tej në horizont mikja ime e vetme, trëndafili i sapo çelur, HËNA!
RA NJË LOT PULËBARDHE Ra nata në heshtje. Malet shkundën vështrimet mbi një djep të gurtë. Rezet e hënës këputen mbi tastjerën e pentagramit të lotit. Vishet me dhimbje dallgësh të virgjëra. Në dritëyllin e këputur ra një lot pulëbardhe...
POETËT Poetët veshin me një tis mjegulle metaforat,si zogjtë e viseve të largëta veshur me dëborë etane. Shkruajnë me patos për vajzat e bukura, për sytë e tyre si lulet e majit, për buzët që shuajnë etjen në flakët e zjarrit të dimrit, për puthjet që ruajnë ende gjakimin si të jenë kredhur në ujë të akullt, për gjokset e diellta të vjedhura në pejsazhet e stinëve, për duart që u dridhen në thëllimet e shpirtit erotik... Por poezia më të madhe shkojnë dhe e varrosin për dashuritë që një ditë i tradhëtuan për t'u mbytur tërësisht në ëndrrën e errësirës.
U UL HËNA MBI DJEP Heshtje! Kris në kërcell trëndafili i agut. Përkundet një djep, një fëmijë. Qumësht s'kishte gjiri i nënës. Ulet hëna si kurorë. Me qumështin e saj të florinjtë... ...vë fëmijën në gjumë.
ZHYTJA E PARË Lumi Dëshnica ishte çarë si një shegë. Brenda tij notoja si një peshk. Pashë fytyrën time të përzhitur nga syri i diellit e rend me ngutje tek syri i territ. Mes zallit koral një kurorë perandorake thurur me algat në shkëlqimin nga luspat e peshqve. Gërvish gurët me çurkën e ujit në zhytjen e parë... ...pellgu tashmë tharë në kujtesë. HI MBI KUJTESË Ra hiri mbi kujtesën time dhe mbuloj gjithëçka. Në syrin e kuq të vetëtimës zgjohej kambana, si një degë e tharë prej dimri. Ishte kthyer në një tel violine. Një shigjetë këlthet kur malet qajnë, me lot dëbore. Kryqëzohet magjia e përrallës me syrin e mprehtë që s'është më i kaltër. Bie shi.Tek porta e varrezave më ndalin për pak çaste figura njerëzish të kthyera në statuja . Erdhi nëna dhe më përqafoi ...si dikur me lot në sy.
TEHZGJAHU PUNON NËN HËNË Tehzgjahu u bë fije-fije si dallgët e holla të Nilit, siç humb nëpër dete Danubi, Misisipi,Drini, Vjosa... Qilimi është lënë përgjysmë ngatërruar me fole merimangash, të prera me thikë nga mola. Si tufa bari të thatë leshë shpërndarë deri në fërgjitë e hajatit dritëmekur. Trarët si rojet besnikë të viteve bashkohen me dhimbjen e motshme, me fijet e këputura të kohës. Një dritë hëne e bekuar ulet për natë mbi tehzgja dhe e vë të punoj.
DËSHIRA E DIKURSHME Është vyshkur kurora në fytyrën e bukurisë, atje ku frymon dhimbja. Zjarr nga brenda në trupin e vet,në gjak. Odiseu pret Trojën të zhuritet në flakë.
FILXHANI I MORTIT Puliten sytë. Qepallat mbajnë fort mendimet, siç mbaj unë në dorë kafenë e ftohtë. Fërgëllojnë bulzat mbi kajmak aq sa krisën mbi shuplaka. Ah!Ky filxhani i mortit. Më ka mbetur në buzë si akullimë mbi një qilim bari.
NËNA DHE DJEPI Nëna dhe djepi dy ikona që i shoh përherë, si fëmija në prehër të Jezu Krishtit, që më mëkon shenjtëri,përvuajtje. Ai,ai djep që më rriti... Ulem pranë dhe e vështroj. ''Tani ti s'je më foshnjë''-më thotë. Bëj të përlotem,të qaj si dikur, por dielli i shtëpisë më mungon. Nëna më vjen në qepallat e syrit më pëlkund në ninullë.
DY RRUGËZGJIDHJE Ngatërrohet era me trungjet e pemëve. Në laboratorin tim poetik më dëfren liria. Thellë dëshira ime ka dy rrugëzgjidhje... Të jem korb që këndon në dasmë, sesa bilbil në funeral.
Ç'DO TË NDODH NESËR I qetë hedh vështrimin mbrapa. Jeta ime s'ishte bosh edhe pse nëpër palët e trupit tim më zhbirojnë me thonj trishtimi. S'dua të vdes shpejt, jo se kam frikë prej saj, por kjo fjalë më mundon... Ç'do të ndodh nesër?!
VJESHTË U këput një gjethe. Kryqëzohej syri im me pemën, aty ku ishte fshehur zjarri i stinës. Pemët përreth u ngjethën. Peng po mbanin syrin tim. Si erdhi kaq shpejt koha e gjethrënies... Vjeshtë!
NJË JETË TË TËRË Ah,kjo mbrëmja si qerpik i mbyllur në një perde të errët. Në agun e mëngjesit hapet qarku i shpresës. I humbur nëpër maja, e ankthshme ,me sfida, e dridhshme,me urrejtje. Kjo nata me qark të mbyllur. Një jetë të tërë në vuajtje. Zemra ime mat qetësinë.
FLAS ME MURET Ti ike! Peng mbajnë muret zërin tënd. Aty janë fshehur lumenjtë e dritës. Yjëzimet e lagështisë dridhen mbi sytë e mij. Muret dhe zëri yt. Brenda suvasë të çarë një mister i ethshëm.. Magjia e zërit tënd.
PUSI I THARË U tha dhe pusi i fundit. Tashmë ka mbetur lakuriq me një kovë të ndryshkur që vërtitet në zbrazëti për të thyer dhëmbët e gurëve që bluhen nga reumatizma. Merimangat shkruajnë biografinë e fundjetës. Ulur këmbëkryq në parvazin e gurt hija e gjyshes... Tek-tuk ulen zogjtë, por drunjtë e tij janë kalbur. Vetëm kokërrimat e korbit kanë gjetur strehë nën një re të zezë. Ul kovën siç e ulte dikur gjyshja. Pusi i tharë. Hëna e kishte pirë ujin!? Hëna! U përplas në fytyrën time si zjarri që digjet në amshim.
BUKURIA DHE MISTERI Bukuria dhe misteri janë aq pranë si muzgu e nata që bëjnë dashuri. Kur nata fillon të lëshojë yjet nëpër qiell syri i agut pret bukurinë përtej honit të zi. Fillojnë të zbërthehen gur më gur bukuria dhe misteri. Malet përreth gajasen. Kullojnë muzikë dhe harrojnë urinë e dimrit.
FJALA E FUNDIT Loti etjen shuan lëndinave, qielli i shpirtit më fëshfërin, refleksi i përgjakur i një ylli lule malli mbi varrin tim.