| E shtune, 08.01.2011, 08:30 PM |
Vullnet Mato
Plasa dhe gati
sa nuk u çava më dysh,
fqinjës te trotuari
t’i tregoja nga dritarja,
ditën e takimin, orën,
vendin, ku e qysh,
pa ditur se poshtë katit
na përgjonte ziliqarja.
degë mbushur me zogj,
shushurinte forma gjethesh
si mijëra zemra.
Dhe fjalët e pazëshme
mund të shkonin kot,
nga lartësia e kateve
me shkallë të shtrembra.
Këputa fletën dyshe
nga blloku i xhepit,
dhe zbraza ndjenjat
si në ethe i ngutur.
E hodha të palosur
mes degëve të plepit,
t’i binte te këmbët
si gjethe e këputur.
Por ndodhi
nga prapësitë më tersja.
Era çoi gjethen time
te degët në skiç.
Tezja e saj kapi zogun
si macja me kthetra
dhe u tregoi të tërëve
të fshehtën lakuriq...
Kjo na bindi të dyve
si për dreq,
se nga të fshehtat
që mbahen tepër mbuluar,
dashuria shpesh
ka shansin më të keq,
të mos mbetet asnjëherë
bukuroshe e maskuar...