Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Qarri: Zgjedhje të përgjithshme apo të pjesëshme,cila është rrugëdalja

| E premte, 07.01.2011, 10:58 PM |


Zgjedhje të përgjithshme  apo të pjesëshme, cila është rrugëdalja

 

Nga Gani Qarri

 

Ajo që ka ndodhur  në zgjedhjet  12 dhjetorit të vitit të kaluar,i ka qitur një hije të keqe Demokracisë edhe ashtu të brishtë në Kosovë dhe sipas shumë opinioneve, nëse këto zgjedhje pranohen,shumica e deputetëve të Parlamentit të ardhshëm të Kosovës do të jenë deputet të “katapultuar” për mes manipulimit të votave nga partitë konkurrente dhe manipulim votash për kandidatët brenda vet partive politike,për ç`gjë disa nga ta edhe shprehin hapur shqetësimet  e tyre.

 

Është mendim i shumicës së partive politike dhe shumë  votuesve në Kosovë se vetëm mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme,do ta nxirrte vendin nga kaosi i shkaktuar pas votimeve të 12 dhjetorit 2010. Ngase,edhe pas një muaj të kaluar nga mbajtja e këtyre zgjedhjeve  të cilat u përshkuan me  manipulime të shumta e të  llojllojshme, ato tanimë jo vetëm se janë bërë shumë  të diskutueshme, por mund të mos kenë as të ardhme,derisa fundi i këtij procesi zgjedhor  është bërë i paparashikueshëm edhe për vet zyrtarët e dashuruar në pushtet,rezultatet e të cilave  nuk i mundësuan asnjë partie politike, krijimin e institucioneve të vendit, pa koalicione të cilat duken më tepër se të zorshme për të mos thënë edhe të pa mundshme, të paktën për momentin,

 

Duke parë parregullsitë e mëdha dhe manipulimet e shumta të cilat u vërtetuan edhe me rastin e rinumërimit, të votave nga komuna të ndryshme të Kosovës,ato duket të kenë qenë të atyre përmasave sa që zgjedhjet do të përsëriten  edhe në 24 vendvotime në Mitrovicë ,nëse jo edhe në vende tjera, përveç atyre të mëparshmëve,në Skënderaj, Drenas e Deçan të caktuara që të mbahen me 9 Janar 2011.

 

Rinumërimi i 40% të votave, apo të 760 vendvotimeve në vend,dhe anulimi i zgjedhjeve në tri Komuna të Kosovës,nxjerr në pah të vërtetën e hidhur se jo vetëm që janë manipuluar mbi 50% të votave,në gjithë Kosovën por rezultatet e rinumërimit nxorën “befasi” të reja dhe parregullsi  tjera të shumta të gjetura në fletëvotime,të cilat detyrojnë përsëritjen e zgjedhjeve edhe së paku në njëzet e katër vendvotime në Mitrovicë, çka donë të thotë se rritet edhe më tej dyshimi i rregullsisë së këtyre zgjedhjeve dhe  përqindja në shifrat  e manipulimeve!

 

Ndaj me të drejtë lind pyetja e pa tejkalueshme se, vallë,a nuk e rrezikojnë të gjitha  këto procesin zgjedhorë të 12 dhjetorit 2010, në tërësi?!

 

Sepse ,si rezultat i manipulimeve në këto zgjedhje Parlamenti i Kosovës,kësaj radhe do të mbushet me deputet të katapultuar  me dallavere dhe ndërhyrje të dhunshme nga  Komisionerët edhe sot e kësaj dite pa asnjë të dënuar,dhe jo me të zgjedhurit e popullit nga vota e lirë  e atyre që kanë marr pjesë në votime.

 

Edhe pse KQZ  në Qendrën e Numërimit e përfundoi të martën me 4 janar 2011, procesin e filluar më 18 dhjetor, për rinumërimin e dyzet për qind të votave apo të 760 vendvotimeve anë e kënd vendit, rezultatet e këtij rinumërimi mbetën të bëhen të njohura vetëm pas auditimit, dhe rezultatit përfundimtare pas zgjedhjeve të rivotimit në Skenderaj, Drenas, Deçan, si dhe në dy vendvotime në Malishevë e Lipjan me 9 janar 2011,por kur do të përsëriten zgjedhjet në 24 Vendvotimet në Mitrovicë?!

 

Nga shkaku i përmasave të manipulimit me votën e lirë, KQZ u detyrua që ti ndërrojë Komisionerët e zgjedhjeve dhe përsëritja e votimeve në këto Komuna të zhvillohet nën një monitorim të rreptë jo vetëm nga monitorues vendës,por sipas premtimeve të shefit të ICO-së, Pieter Faith ato do të mbikëqyren edhe nga 90 ekipe të vëzhguesve ndërkombëtarë të cilat do të qëndrojnë në qendrat e votimit, nga mëngjesi,deri në mbrëmje.

 

Zgjedhjeve e manipuluara Parlamentare i  dhanë edhe një goditje të rëndë demokracisë së brishtë në Kosovë,ku përveç fakteve tjera të lartpërmendura,u njoftuan edhe 133 raste të paraqitura Prokurorisë, që  kundër keqpërdoruesve të votës të ndërmerren veprime ligjore duke e bërë kështu edhe më të pa qartë perspektivën e vlefshmërisë së këtyre zgjedhjeve.

 

Ndoshta ashtu siç mendojnë edhe shumica e shqiptarëve në vend, zgjedhjeve e pjesshme ,do ishte më mirë të shëndrroheshin në  zgjedhjet të përgjithshme,ngase jo vetëm manipulimet e dukshme por edhe rezultati i tyre,edhe nëse ai pranohet nga të gjithë pjesëmarrësit, kështu siç u “nxor”  nuk i mundëson asnjë subjekti politik formimin e qeverisë dhe marrjen mbi vete të barrës së rënd të përgjegjësisë për udhëheqjen e vendit  dhe vendimeve  për  bisedime me Serbinë.

 

Siç  paralajmërohet do të ketë bisedime edhe për veriun e Kosovës, ku vazhdon anarkia, kontrabanda dhe sulmet kundër shqiptarëve, kurse kohët e fundit,njoftohet për sulme edhe kundër pjestarve të policisë së EULEX-it dhe pjestarve të OSBE-së të cilët sulmohen fizikisht dhe marrin edhe lëndime trupore nëse nuk iu nënshtrohen urdhërave të  kriminelëve të cilët veprojnë hapur në veri të Mitrovicës.

 

Ndaj mos luftimi i krimit të organizuar, kontrabandës,kërcënimeve të hapura dhe sulmeve të shpeshtuara fizike të kriminelëve në këtë pjesë të Kosovës, nga ana e institucioneve përgjegjëse të Vendit dhe EULEX-it mbetet  shumë shqetësues  për shqiptarët.

 

Madje edhe në këtë gjendje,mjerisht jo rrallë ndodhë që  rivalët politik shqiptar të shikohen jo si rival politik në mes veti por gati si “armiq” deri në urrejtje duke humbur  logjikën e të bërit fushatë  zgjedhjesh  në mënyrë  normale e demokratike,dhe kësaj radhe  mjerisht situata u rëndua përtej sharjeve dhe qëndrimeve emocionale, deri në shkallë kërcënimi e dhune sa që po vihet  në pikëpyetje serioziteti i  demokracisë dhe pluralizmit politik e institucional në vend.

 

Edhe nëse pranohen këto zgjedhje kështu si ishin me të metat dhe dobësitë që ato  i përcollën dhe nuk përsëriten zgjedhjet në tërësi,atëherë urojmë që rezultatet e dala nga këto zgjedhjet të mos bëhen mollë sherri në mes partive politike dhe të mos krijohen situata të paqëndrueshme me ç`rast kriza politike dhe institucionale do të prodhonte edhe krizë sociale e cila edhe ashtu nuk ishte as e vogël e as e padukshme,edhe para këtyre  zgjedhjeve

 

Kjo edhe për faktin se Procesi i bisedimeve me Serbinë nuk do të mbahet vetëm sa për të filluar  procesin e negociatave apo vlerësuar qëndrimet e palëve,por ato do të mbahen edhe për të na  rikujtuar edhe një herë më tepër se ëndrra serbe për ndarjen e Kosovës ,jo vetëm se është gjallë por ajo edhe është forcuar  sidomos pas  Situatës së rëndë politike dhe institucionale që u krijua nga prishja e  Koalicionit Qeverisës që rezultoi me  probleme edhe në qeverisjen e vendit.

 

Kosova po vuan nga varfëria e popullit dhe mungesa e zhvillimit ekonomik,papunësia e madhe dhe joperspektiva,nga demokraca e brishtë dhe korrupsion kaq të përfolur, ku gjendja konfuze e krijuar pas zgjedhjeve të manipuluara, e uli edhe më tepër imazhin e vendit,të  këtij vendi ku ndjehet edhe mungesa e  sundimit të ligjit,me politikan të cilët si  përkushtim  të vetëm nuk e kanë mirëqenien e popullit por vendosjen e tyre në pushtet,pa marrë parasysh mënyrën,qoftë ajo edhe e dhimbshme dhe e pa lavdi,nga e cila nuk nderohen as ata vetë.

 

Për fat të keq,Kosovës këto zgjedhje nuk i ofruan daljen nga kriza ku ajo mjerisht është katandisur si vend plotësisht i izoluar,në mënyrë që të mund të fillohej sa më parë me krijimin e institucioneve të forta e të qëndrueshme  të cilat do të mund të zhvillonin luftë serioze kundër korrupsionit  të shumëpërfolur  dhe formave të tjera të keqpërdorimeve të mundshme, do të krijonin stabilitet politik e qëndrueshmëri  institucionale dhe kushte më cilësore për jetën e qytetarëve në vend. Kosova pa institucione të forta,do ta ketë të vështir edhe zhvillimin e bisedimeve me Serbinë,e cila përpiqet që të shfrytëzoi gjendjen e krijuar në Kosovë dhe të përfitoj edhe përkrahjen e BE-së për ndarjen e Kosovës,kur  të kihet parasysh se ne kemi ngecur shumë edhe në procesin e integrimeve  evropiane duke mbetur plotësisht të izoluar si shtet  dhe vrimë e zezë në rajon,ndaj politikbërsit shqiptar, duhet ta kenë parasysh se nëse lëshohen në intriga dhe nuk sigurohet stabiliteti politik i vendit,atëherë vërtetë rrezikohet seriozisht edhe tërësia territoriale e Republikës së Kosovës dhe perspektiva e saj evropiane.

 

Cyrih,07 Janar 2010.