Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nexhmije Çerkezi: Një kohë që flet mbi historinë e Kosovës

| E premte, 07.01.2011, 10:39 PM |


Një kohë që flet mbi historinë e Kosovës

 

Nga Nexhmije Çerkezi

 

Rrëfimet poetike në veprat e Ibrahim Kadriut ndonjëherë të duken si pikturë, me shumë ngjyra, të cilat gërshetohen me nuancat e jetës: të gjalla, të zbehta, e ndonjëherë më të theksuara; të kaltra apo të kuqe, ashtu siç katandisen nga vetë kahet e jetës, nga mjegullinat e kohës shpesh rebeluar, provokuese, që mbase ngufasin autorin dhe vijnë nga një mendje e trazuar, e që formësohet në shpirtin krijues të autorit. Ashtu sikurse në stacion të jetës, ku ndeshim shumë udhëtarë, ashtu edhe në veprat e Ibrahim Kadriut, ndeshim shumë personazhe, apo udhëtarë të jetës, që disa ndalen në një stacion, disa të tjerë vazhdojnë rrugën, apo hyjnë e dalin; e disa të tjerë presin, ashtu sikurse hyjnë e dalin personazhet në veprat e këtij autori, duke lënë një rrëfim pas vetes, të sajuar qoftë nga bota imagjinare, apo nga realiteti. Dhe sikurse rrugëtimi, nëpër këto stacione, që kurrë nuk ndalet, ashtu edhe në këto rrëfime poetike të Ibrahim Kadriut i shohim të stacionuar - herë në një rrëfim, herë në ndonjë rrëfim tjetër. Kështu, personazh pas personazhi, rrëfim pas rrëfimi, ngjarje pas ngjarje... krijohen episode të reja, që vijnë nga katrahurat e jetës, që luhaten sa andej e sa këndej, e që, pas të cilave, shpesh na fshihet një faqe historie. Ato dritare të historisë hapen pikërisht nga ato anë, të Karadakut, nga na vjen edhe vetë autori. Atë ambient autori e paraqet kaq hapur, drejtpërdrejt dhe me atë drejtpërdrejtshmëri ngjall emocion, të ngërthen për vete, të bën të hysh nën lëkurën e personazheve, duke përjetuar atë rrugëtim të gjatë, të sajuar në mënyrë aq të ndjeshme me një çiltërsi, që vjen si horizont i hapur.

 

Ngritja e figurave kombëtare

 

Në një nga veprat e tij të fundit ”Në Vajhall ” (dy vëllimesh) pothuajse janë po të njëjtat ngjyra, por që kësaj here autori ka fiksuar aq drejtpërdrejtë një ngjyrë më të gjallë shqiptare. Autori e sendërton aq mirë personazhin përmes të cilit pasqyrohet rrëfimi, Balo Barku, fëmijë që e kishte të paqartë se çfarë ndodhte në realitet, në mes të turbullirave të asaj kohe, shtrëngatave të pareshtura që vijnë nga regjimi serb. Një kohë që flet mbi historinë e Kosovës, që nga fillimi, që trajton fatin e njerëzve të mbetur në valët e dalldisura, mu si në valët e detit, nga puhizat e erërave që vinin dhe kalonin në shtrëngata, si rrjedhim i maltretimeve të qëllimshme, duke i shpie drejt një rruge të pakthyer, me shpërngulje drejt Anadollit të Turqisë. Pra autori sendërton ngjarjen, episod pas episodi, personazh pas personazhi, duke gërmuar krenarinë e shpirtit shqiptar mbi gjithë ato tortura agresive, që mbizotëruan që nga viti 1945, të përcjellë deri në luftën e fundit të Kosovës.

 

Personazhin e veprës , Ballori i hallës Zylë, autori mbase e radhit në vorbullën e kësaj krenarie shqiptare, që shënon frymën e qëndresës, i cili nuk i shpërfill shpifjet e Daut Çelit, një personazh që autori e ndërton nën hijen e regjimit serb, bashkëpunëtor i shërbimeve të fshehta, që i nxit shqiptarët drejt shpërnguljes. Dhe mbi gjithë këto turbullira, shqetësime, të pasqyruara me nga një copë historie nga secili personazh, autori arrin që ti japë frymë disponimi veprës, duke e shoqëruar atë edhe me bisedat qesharake, që bëheshin në Berberhanen e Zymberit. Pastaj interesante është edhe qasja e portretit të Acë Pijanecit, një personazh që ndonjëherë na duket i çuditshëm, por se na paraqitet shpesh si një personazh atraktiv, ku autori e formon mbi karakterin, i cili edhe pse i dehur vlerëson situatën drejtë mbi shqiptarët, dhe mbase po ta vesh përballë Daut Çelit, e shohim më afër simpatisë së lexuesit.

 

Dhe ajo çfarë është brilante, është ngritja e figurave kombëtare si një katapultë, siç është figura e Skënderbeut kur autori e vë në epiqendër, me rastin e realizimit të një skulpture në orën e vizatimit, nga ana e personazhit Balo Barku, ku vërehet edhe reagimi i Velimir Buliçit, që donte të kuptonte se kush ishte porositësi i asaj skulpture. Një krahasim dinjitoz na bën autori kur e fikson plisin, si një dhuratë shumë të vlerësuar nga ana e Ballorit, ndërkaq që Daut Çeli, shkon deri në atë thellësi të tradhtisë, që të spiunojë edhe në dasmë të Ballorit, një shqiptar që buronte mu nga ai plis, i trashëguar nga babai i vet.

 

Dhe një ngjarje interesante na paraqitet në çastet kur Aleku me Artorin vihen përballë njëri-tjetrit, njëri me uniforme të ushtrisë serbe, dhe tjetri me uniformë të UÇK-së.

 

Dy kahe të konfliktit të ngritur në përballje lufte, që përcillen përmes frymës së dhembshmërisë së dy krijesave aq të pafajshme, të gjetur në mes të këtij misteri.

 

Me një shkathtësi të sigurt autori figurat si Agim Ramadanin, Astrit Palokun dhe masakrën e tij në Qafën e Duhlës, autori na paraqet si një lloj himni i triumfit i dinjitetit shqiptar. Pra, autori vlen të shquhet për mënyrën e paraqitjes së ngjarjeve që ndodhnin në Prekaz, Kleçkë, Krushë, Lubeniq, Poklek, kur flet i revoltuar për hidhërimin që nuk mund ta fsheh kur e veçon Poklekun, sepse aty vranë, shkrimtarin Ymer Elshanin me familje.

 

Që autori si duket na sinjalizon vorbullën e mbrojtjes së krijimtarisë artistike të cilën e ndeshim edhe tek rreshtat kur ngritët shkrimtari Ernest Koliqi, i cilësuar si fashist, nga ana e Velimir Buliçit , i cili me rigorozitet kishte për qellim që tu ndërpriten të gjitha rrugët e avancimit të shqiptarëve, prandaj dhe këto figura i shihte si pengesë drejt qëllimit të tij. Theks të veçantë autori i jep veprës po ashtu kur përmendet libri “Gjarpërinjtë e gjakut” e autorit Adem Demaçi. Në këtë qasje mbase autori përjeton të njëjtin obsesion që ky regjim serb ia prek këto vepra sinjalizuese që janë mbase urë universale mes shqiptarëve. Flet për trysnitë politike mbi popullin shqiptar të Kosovës, dhe flet për mashtrimet shtetërore të bëra me qëllim të largimit të shqiptarëve nga identiteti kombëtar, duke mos u dhenë mundësi shkollimi në gjuhet e tyre, duke ua cunguar historinë dhe duke i shpallur armiqësor figurat historike kombëtare, ku autori përpiqet t’i shlyej këto figura nga ato shenja ironike, që doemos meritojnë të jenë figura të ndriçuara.

 

Me qëndrim pezull mbi kohën

 

S’ka se si mos të përmenden poezitë “Netët e Karadakut, “Diçka po ndodh” “Pastaj harrohet”, “S’mbet kohe për kremte”, “Frymëmarrje në shtjellë ” etj. ku autori gufon, gjallëron, përjeton, duke hap kështu horizonte komunikimi me lexuesin. Me këtë rast, meqë fjala është për vlerësim me të përgjithshëm, do të kisha veçuar një nga poezitë e tij të titulluar “Kushdo që ia mësyn vetmisë sime” ku autori reflekton ngjyrimet e vetmisë, të cilat na duken sa poetike, aq mallëngjyese, sa fantastike, aq shqetësuese që prangosin shpirtin e vetmuar të autorit. Pastaj në këtë frymë hasim vargjet “Kushdo që vjen sonte, Më gjen zgjuar”. Duke u shoqëruar me këto vargje duket se autori qëndron pezull mbi kohën, gjithnjë pas një historie përherë e pranishme në kujtesën e tij:

 

“Kushdo që niset drejt vetmisë sime,

Do ta gjejë të mbështjellë me arna kohe

Zbret në gjunjë dhe i falet vargut

Shpëtim i ardhur në kohë të duhur”

 

Pra, autori lundron në historinë e mbërthyer në arna kohe dhe gjen shpëtim tek vargu, tek e cila gjen fuqinë e tij shpirtërore. Vlen të theksohet edhe poezia e tij “S’mbet kohë për kremte” ku na paraqitet një poezi që flet për një kohë rrëqethëse, autori nuk fsheh mllefin, që shpreh hidhësin e tij, duke kritikuar anët e vrazhda të asaj kohe.

 

“Është vrarë njeriu që e kam njohur, Ishte pranë jetës e jetën gjakonte”

 

Ai e përjeton dhimbjen e popullit të vet dhe, me shkathtësi, i qaset rrëfimit të përcjellë me një ironi që është ngulitur e fiksuar në brendinë shpirtërore të tij:

 

Është vrarë njeriu që e kam njohur,

M’i la shuplakat zbrazur, gishtat shtrirë

S’mbet kohë për kremte nga ajo ditë,

Kur vrasësi s’dinte- ç’domethënë të jetosh.

 

Autorit i ngjallin flakë, ironi, shqetësim, ajo kohë vrasjesh e pakuptimtë dhe në qarqet e pambarim të vdekjes qëllimkeqe; ai ngreh një lloj shpërfillje të asaj kohe të frikshme, ai do të dëgjohet në mes të atyre rreshtave, “Është vrarë njeriu që e kam njohur” ngreh zërin mbi zhurmën që s’dëgjohet, flet mbi kohën që kishte lënë gjurmë gjaku..., por të trajtuar aq mjeshtërisht në formën artistike.

 

Nga kjo që u tha më sipër, përjetuar nga leximi i pjesshëm e veprave të këtij autori, mund të thuhet se veprat e Ibrahim Kadriut na hapen sikurse një bibliotekë me një bagazh të pasur vëllimesh, poezi, prozash e romane. Madje me romanin “Kalorësi i Karadakut” dhe “Në Vajhall” Ibrahim Kadriu radhitet në spektrin e romansierëve më të shquar të Kosovës.

 

Zëri, 23-03-2010