Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fazli Maloku: Letër e hapur familjes Limaj- Banjë e Malishevës

| E enjte, 06.01.2011, 08:59 PM |


Letër e hapur familjes Limaj- Banjë e Malishevës

 

Familje e nderuar Limaj,

 

Ky fillimviti për familjen e juaj ishte i kobshëm dhe filloi me dhëmbje të mëdha duke humbur një dhe duke i pasur dy djemë tjerë të plagosur. Unë dhe familja ime ju shprehim ngushllime nga thellësia e zemrës dhe ndajmë dhëmbjen s'bashku me ju. Sipas gojëdhënave të popullit Nastradini kur ishte rrëzuar nga pema ju thoshte njerëzve : " Le të vijnë me më pa ata që e kanë përjetuar si unë, pra janë rrëzuar nga pema se vetëm ata ma besojnë"! Unë fatkeqi pata fatin e hidhur që në moshën time 7 vjeçare ta përjetoi vëllavrasjen (viti 1955, kur më vranë xhaxhain tim mu në pragun e shtëpisë, duke lënë gruan dhe dy djemë jetimë, të cilët i rriti nëna ime bashkë me ne. Pas luftës së fundit të UÇK-së, na i vranë dy djemë dhe na i plagosen pesë anëtarë të familjes nga mosha 16 vjeç deri tek më plaku mbi 70 vjeç në oborrin e shtëpisë, duke i lënë dy gra të reja me shtatë fëmijë jetimë. Këto plagë shpirtërore na i shkaktuan ashut sikurse edhe juve gjakprishurit, kriminelët e gjakut tonë. Familja ime të cilës i perulëm gjithë jetën time, mblodhi forcën, kthjelloi mendjen duke e shikuar në thellësi problemin dhe asnjëherë nuk u hakmorr por shtriu dorën e pajtimit, pavarësisht se sa peshoi dora e drejtësisë mbi këta kriminelë. Për këto plagë që me shekuj e dekada kullojnë gjak shqiptari na ndihmuan për të gjetur vetën në ditët më të vështira mendjet e ndritura të kombit, patriotët e vërtetë dhe militantët e çeshtjes kombëtare për Çlirim e  e Bashkim kombëtar. Qysh në vitet e gjashtëdhjeta, bacë Adem Demaçi, në romanin e tij të parë " Gjarpërinjtë e Gjakut", në ballinën e tij shkroi : " Jo atyre që janë trima të ngrenë gishtin e krimit, por atyre që janë burra të shtrijnë dorën e pajtimit"! Duke e ripërsëritur edhe në vitin 2008, në librin e tij : " Falë Të Qoftë Gjaku",shkruar nga : Mr.sc.Kadri Mani, njëri ndër vigajtë dhe ndër më të devotshmit për çeshtjes kombëtare shqiptare - Çlirim dhe Bashkim kombëtar. Po ta rikujtojmë me nderë atdhetarin e shquar, mehlemin e zemrës shqiptare, plakun e urtë, profesor Anton Çeta, i cili në kohën e duhur për të mirën e kombit i priu lumit të ajkës së intelektualëve dhe të rinisë shqiptare në Lëvizjen e Pajtimve të Gjaqeve e Ngatrresave ( viti 1990 - 93). Po ta përkujtojmë vetëm tubimin madhështor dhe të dinjitetshëm " Te Verrat e Llukës", ku u tubuan rreth gjysmë milioni shqiptarë të të gjitha moshave, meshkuj e femra nga të gjitha trojet shqiptare, atëherë nuk do ta kemi vështirë ta gjejmë rrugën senë cilin krah do të rreshtohemi. Gjithë këta njerëz vinin jo për ti parë kriminelët që kishin bërë krime tek vëllezërit e vet, në të shumtën e rasteve me shtytje të UDB-së famëkeqe serbo-sllave, por vinin për të parë burra e burrëresha që për interesa madhore të kombit të vet shtrijnë dorën e pajtimit, dhe me këtë rast gëzojnë zemra të miliona shqiptarësh, në një kohë kur gëzimet ishin të rralla për të mos thënë na mungonin fare!

Nuk ka ndodhur qoftë edhe një rast i vetëm që pajtimtarët të ulen në sofrën e familjeve që kishin bërë krime për të ngrënë dy kafshatë bukë, por uleshin në sofrën e atyre burrave dhe burrëreshave të cilit me gjestin e tyre fisnik sheronin plagët e popullit të vetë që ende kullonin gjak. Kjo është shumë domethënëse. Më vemendje këto ditë përcolla shkrime dhe komente të ndryshme për rastin e juaj dhe fatkeqësisht kishte edhe nga ata që hidhnin benzinë në zjarrin tashmë të ndezur!! Të gjitha këto që i shkrova të dashur familjarë - Limaj, shpresoj se sadopak do ta flladitin zemrën e juaj të zhuritur me besim se ju do të keni forcë ta përballoni këtë dhëmbje jo të vogël, dhe të mbeteni të rreshtuar në krah me popullin e juaj ashtu qysh u rreshtuat edhe në ditët më të vështira për jetë a vdekje. Një këshillë për familjarët e gjithë atyre që gjyqësia do të dëshmojë se kanë bërë krimin, " Të distancohen pa hezitim nga kriminelët të sojit të tyre dhe t'i përulën për toke familjes Limaj"!

Përshëndetje nga unë dhe familja ime!

Dalëshi faqebardhë nga kjo gjendje e rëndë që ju ndodhi!

 

Me respekt, Fazli Maloku me familje.

Prishtinë, 6 janar 2011