| E enjte, 06.01.2011, 08:58 PM |
Lutu edhe ti për viktimat e dhunës serbe në Kosovë!
Nga Mihai Antonescu
Vetëm një këngë mund ta imitoj pasi që e lexova librin e Sanije Gashit “Tmerret e luftës në Kosovë”*, një këngë duke u avulluar në syrin e mbetur pa lotë, nën peshën e gjithë atyre pamjeve të përgjakshme të arritura në trojet e gjuhës rumune për ta kuptuar njerkëzimin e asaj kohe të trishtë. Fije të shkëputura nga memorja e femrave kosovare, flatra të pamundura duke rënë të cfilitura përmbi kohën dhe hirin e saj. Si qe e mundur një gjë e tillë? Ku ishte shpirti i i atyre njerëzve jonjerëz që vepronin si kafshë, të përkulur mbi peshën e armëve për vrasje fëmijësh që vdisnin me mahnitjen e pafajësisë së shtypur në shëmbëlltyrën e tyre të njomë? Ku pat vajtur Zoti i botës shqiptare kur plumbat kafshonin lulet e qershisë që posa rrumbullakësoheshin në muguj nga trupi i një populli të dashuruar në qiell e fontana? Sa herë Sanije Gashin, autoren e këtij libri, nuk e ka kapluar trishtimi duke dëgjuar dëshmitë e viktimave shqiptare që kishin përjetuar tmerrin e një lufte të përgjakshme? Sa herë, fjalët e atyre që rrëfeheshin për viktimat e mbrojtjes së vatrës dhe familjes, nuk e kanë nxitur mos ta harrojë ardhmërinë duke e registruar të shkuarën?
Një histori e lindur nga dëshmitë e grave. Një lindje e vështirë të cilën nuk e ka dashur askush dhe askurrë, madje ndoshta as gratë e vrastarëve serbë. Një natë e pafund mbi podiumin e shtruar me lule dhe gjak kosovar, ndërmjet dy mileniumeve të hajnisë. Si mund të shikosh në pasqyrën e atyre pamjeve të tmerrshme pa e humbur mëndjen, ti që s’i ke përjetuar as për së gjalli? Çfarë force të jashtëzakonshme mban në gjirin e saj kjo grua kosovare që din më në fund ta shndërrojë vajin në buzëqeshje, dhe të flladisë mbi kullosën e varreve dritën e jetëve tjera të shkëputura, duke e hapur në mbarim të shqetsimeve një rrugë të re? Lexoj dhe terratisem. Murmuroj një këngë pa fjalë, njësoj sikur përmes trupit më përshkon një shpatë e zhveshur duke ma kërkuar me këmbëngulje frymëmarrjen e fundit. Mua më rivijnë, thuajse të gjitha orgjitë e këtij shekulli të rradhitura me qëndresë në faqt e librit, derisa njëmijë duar ende të gjalla, ende të çiltra nëpër tymin e shpërthimeve më tregojnë me gisht duke më pyetur: ku ishe ti vallë?
Ku isha o Zot, kur ata të një gjaku e të një kombi me mua, degdiseshin të korrur nga fqinjët e tyre? Por sot, ato, femrat kosovare, jo këngën time e dëgjojnë, por atë të luftëtarëve të shpënë në rrënjët e dheut, për të kuptuar atje një nisje të re të botës. Të jetës. I vetmi dëshmitar i keqardhjes sime të vonuar, Sanije Gashi, më shikon me dhembshuri në paskopertinën e kësaj vepre rrëfimesh të tronditshme evangjeliste, duke më thënë lutu edhe ti për viktimat e dhunës serbe në Kosovë! Vetëm për ne, tani dhe këtu, historia qan pa lotë, e kryqëzuar mbi shkallët e një podiumi që po kalbet mes mileniumeve, me një emër shenjtërie dhe aspirate të madhe, duke ia lulëzuar qiellin gojës së Kosovës që gjëmon nga dhembjet e saj: Kosovë! Kosovë! Kosovë! (Titulli i reçensionin në origjinal: Podium ndërmjet mileniumeve, kushtuar librit të Sanije Gashit, Ororile r?zboiului din Kosova (Tmerret e luftës në Kosovë), Botim i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë dhe redaksisë së revistës Shqiptari, përkthyer nga Ana/Sherban Tabaku, Bukuresht 2010). Reçensionin e përktheu nga rumanishtja: Baki Ymeri.