| E merkure, 05.01.2011, 03:30 PM |
(Shpella e Katundasit flet që nga prehistoria) |
Sami Starova
, Shekulli
Mijëvjeçarët dhe shekujt shpalosen njëri pas tjetrit duke na sjellë mesazhe që nga thellësitë e tyre. Ato vijnë tek ne nëpërmjet objekteve arkeologjike që marrin gojë e flasin. Objekte më të hershme gjenden neper vendbanime shpellore.
Ekzistenca e tyre favorizohet nga formacionet shkëmbore, të cilët përbëhen prej shtresave gëlqerore (karbonate) ku veprimtaritë karstike kanë një aktivitet të madh.
Kjo dukuri shpaloset më së miri në skajin verior të Beratit ku janë zbuluar shumë shpella.
Ndër to spikat shpella e Katundasit, e cila ndodhet 20 km në veri të Beratit.
Kjo shpellë e ndodhur pranë kanionit të Sinecit në lartësinë 405 m paraqet vlera të veçanta. Gjatësia e saj horizontale aktualisht 54 m e me lartësi deri me 6 m të befason nga një bukuri mahnitëse.
Ne sipërfaqen e brendshme të saj, e cila është rreth 350 m2, ka mjedise interesante si dhoma, paradhoma, sallonin qendror e shumë galeri e labirinte. Në këtë mjedis të bollshëm, me dy hyrje, ku e dyta është më kryesorja, e cila ndahet në dy degëzime, dhe me një dritare ku qarkullon ajri, kanë banuar para disa mijëvjeçarësh të parët tanë.
Në këtë shpellë interesante u bënë punime arkeologjike të udhëhequra nga Ati i arkeologjisë moderne shqiptare, Muzafer Korkuti.
Gërmimet u përqendruan në qendër të saj, ku dolën horizonte të shumta banimi që shkojnë deri në thellësinë 3.40 m.
Gjurmët më të hershme i gjejmë sigurisht në shtresën më fundore të shpellës. Materiali i gjetur kryesisht si qeramikë e gurë datohet në neolitin e hershëm, që fillon 6000 vjet (p.Kr).
Qeramika e neolitit të hershem është punuar trashë, dominon barbotinja që është me sprucim të lartë. Gjithashtu, neolitit të hershëm i përket qeramika me sfond të kuq e pikturuar me ngjyrë të bardhë.
Në të u gjetën enë me fund unazor. Në materialet prej guri të neolitit të hershem janë disa ashkla në formë gërryesesh apo thikash.
Në shtresën fundore, ku doli neoliti i hershëm, gjetëm dhe vatrën e zjarrit të vendosur në qendër të shpellës.
Në neolitin e mesëm që datohet mijëvjeçari V-IV( p.Kr) qeramika është kryesisht e zezë ose gri në të zezë. Teknika e punimit të saj është ajo e incizimit (d.m.th., vijëzimi i poçerisë përpara pjekjes). Me interes janë enët me fund të lartë, e sidomos ritonet (enë me katër këmbë).
Materiali arkeologjik i neolitit të mesëm të kësaj shpelle ka pika takimi me atë të Dinavesit të Korçës dhe të Cakranit të Fierit. Neoloti i vonë, i cili i përket mijëvjeçarit IV-III (p.Kr) është më i plotë dhe flet shumë. Interesante është qeramika tipike e kësaj shpelle, që na paraqitet me sfond ngjyrë okër i kuqërremtë, ndërsa pikturimi është bërë në kafe të errët.
Gjetja e kësaj qeramike në shpellë flet dhe për lidhjen e kësaj treve me pellgun e Korçës. Në neolitin e vonë me shumicë janë gjetur thika dhe gërryese të retushuara, disa vegla prej kockë në formë lopatash dhe gjylperi. Shumë interesante është gjetja e lopatave tip kallëp këpucë, ajo në formë gjuhe dhe dalte guri.
Epoka e bakrit që vjen pas neolitit datohet nga viti 2600-2100( p.Kr). Kjo epokë është paraqitur shumë e qartë. Qeramika e saj paraqitet me tone të errëta si gri e zezë ose e zezë e ilustruar shumë mirë.
Me shumicë u gjenden dhe fragmentet e qeramikës me thimtha ose dalje, që i përkasin kryesisht bakrit të vonë. Materiali i epokës së bakrit të kësaj shpelle ka pika takimi me atë të Maliqit AB, të shpellës së trenit të Korçës dhe shpellës së Benjës në Përmet etj.
Më shumë rendësi është fakti se pas materialit të epokës së bakrit kalojmë në epokën e bronzit që datohet 2100-1200 (p.Kr). Këto fakte ndër të tjera flasin dhe për vazhdimësinë e kulturës pellazgo (parailire) - ilire. Në bronzin e hershëm 2100-2800( p.Kr) krahas veglave prej bronzi të sapoprodhuara dominojnë ato prej guri të cilat janë me rezistente.
Gjithashtu dhe në bronzin e mesëm që përkon me vitet 1800-1500 (p.Kr) dominante vazhdojnë të jenë veglat prej guri e në veçanti çekanë e sëpata. Në bronzin e vonë 1500-1200 (p.Kr) qeramika është punuar më mirë. Ngjyra e qeramikës është okër dhe pikturimi kafe e errët.
Vegjët në bronzin e vonë dalin mbi buzët e enës. Qeramika devollite, që u gjet këtu është klasike dhe ka ngjyrë të kuqërremtë e mbushur me trekëndësha të vijëzuar me kafe të errët. Ky material i epokës së bronzit të kësaj shpelle ka ngjashmëri me atë të vendbanimeve të tjera prehistorike të vendit si me Maliqin, Trenin, Benjen, Nezirin e Gajtanin.
Epoka e hekurit (shek. XI-V p.Kr.) është përfaqësuar nga qeramika e pikturuar e stilit devollit dhe objekte zbukurimi prej bronzi, të njohura nga shumë pika të vendit tonë.
Antikiteti e në veçanti ai i vonë, doli shumë i qartë. Krahas enëve të përdorimit të përditshëm që dallohen për një teknikë të lartë punimi e pikturimi, u gjeten dhe disa enë masive si pitosa dhe amfora që përdoreshin për mbajtjen e ushqimeve. Jeta në shpellë ka vazhduar edhe gjatë mesjetës.
Zbulimet në këtë shpellë që gjendet në pjesën kodrinore të Ultësirës Perëndimore të Shqipërisë, janë dëshmi të reja të arkeologjisë sonë për popullsinë autoktone parailire-ilire-arbërore.
- Të parët tanë e bënë detyrën. Ata kaluan nëpër mijëvjeçare e shekuj duke krijuar e lënë trashëgiminë kulturore autoktone.
Mesazhet e tyre janë jehona që vijnë nga thellësitë e këtyre shpellave për të oshëtitur nëpër breza. Ato flasin shumë. Unë po citoj pak: "KËTU KEMI QENË E KËTU DO TË JEMI DERI NË PËRJETËSI..."