Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arsim Halili: Vargje të ngrohta për fëmijë

| E merkure, 05.01.2011, 08:35 PM |


VARGJE  TË NGROHTA  PËR FËMIJË

 

Nga Arsim Halili

 

Ndonëse  i një moshe të pjekur, ai nuk ka tentuar që para lexuesve të paraqitet apo të eksploroj  vetëm volum artistik. Poezia te Agimi lindi herët, gjithsesi ai me artin e tij krijues trokiti  te lexuesi i saj përmes revistave të kohës. Agimi  vjen para lexueseve të vegjël me një buqetë poetike e titulluar me një antitezë gjinore “ Gjysh të kam shoqe”, dhe çka e ka shtyrë autorin të vë  këtë titull do të shohim gjatë kronologjisë që do t’i bëjmë kësaj vepre. Vepra e Agim  Gashit  vështruar nga këndvështrimi  teorik, mund të shihet në këto rrafshe: atdhetar, edukativ,përkushtimor, satirik, por që të gjitha këto çojnë në një emërues të përbashkët  Dashuria për fëmijët. Përmbledhja poetike” Gjysh të kam shoqe”, ekskluzivisht dedikohet moshave shkollore

Ndonëse  shikuar si tema edhe janë trajtuar e do të trajtohen në vazhdimësi nga poetet  tjerë, mund të themi poeti  vjen me bagazh krijues,  i cili lexuesin që në poezitë e para e bënë të përjetoj,  atë që e shkruan autori. I gjithë vokabulari i tij  krijues mbështet në Dashurinë për  atdheun qoftë në aspektin përgjithësues, qoftë edhe atë përkushtimor në këtë segment  në fokus të veçantë  është krye heroi ynë Adem Jashari. Kurorëzimi i idealit shekullor gjithsesi është pikë referente edhe në muzën e autorit, këtë më së miri e  shohim përmes poezisë

 

Me fat Pavarësia

 

Themelet e tua  Kosovë

të lara me gjak

nga trimat që mbrojtën

nder edhe prag

 

E shndritshme Kosovë

Për ty ardhmëria

Me fat , me fat, me fat

Kosovë  Pavarësia

 

Nga kjo poezi shohim se poeti përkujton lexuesit sakrificën dhe përjetimin, të kaluarën, vuajtjet për të arritur deri te qëllimi madhor që gjithsesi do t’i shërbej brezave që vijnë, por edhe atyre që janë ende në moshën e adoleshencës.

Simboli i dashur për fëmijët zakonisht në festën e fund viti Babadimri, vitet para 2008 në Kosovë kishte  nga fëmijët vetëm një kërkesë  që të ja sjellin dhuratë Pavarësinë dhe këtë përjetim  të fëmijëve autori e përjeton emocionalisht dhe ja se si e përshkruan.

 

Babadimri

 

Vërtet nëse do

Ta ruajmë miqësinë

Sillna- babadimër

Këtë vit Pavarësinë

 

Cili fëmijë nuk e do zilen e shtatorit?!, të gjithë i gëzohen asaj, shtëpia e dytë më të dashur për  ta është shkolla,pastaj familjarizimi me shokë, me mësuesinë, është gëzim që poetet dinë ta  përshkruajnë bukur përmes pendës së tyre. Edhe poeti  Gashi e trajton  në një nga poezitë e tij. 

 

Një shtatori

 

N’ oborr të shkollës

Qe një kohë bosh

Filluan  të mblidhen

Nxënësit n’ qosh .

 

Nuk mjafton vetëm ardhja në shkollë, aty ka rregulla dhe rregullat dhe përgjegjësitë, duhet të zbatohen edhe nga nxënësit, autori me shumë kujdes edhe artistik edhe humoristik i porosit fëmijët si t’i ruajnë mjetet mësimore, të krijojnë shprehi për mirësjellje në shkollë, në rrugë në familje.  Njohurive për mirësjellje edukative që fëmijët i marrin qoftë nga mësuesit e tyre, qoftë nga librat shkollor, domosdo do t’i marrin edhe nga shumë poezi të poetëve paraprak, por edhe nga poeti Gashi,  përmes këtyre poezive:

Fletorja, Lapsi, Goma,Vërejtjet  e nënës, Të dashur fëmijë, etj.

Poeti  duke qenë portretizues i mirë i natyrës, veçmas asaj rurale,  përmes poezive të tij, sjell peizazh të bukur poetik në veçanti për natyrën e bukur rurale. Autori me dashamirësi  trajton  në natyrën e tij poetike edhe shpendët, shtazët, pastaj lexuesi do të kënaqej duke lexuar  poezi  për lumin,livadhet e  vendlindjes.

Plaga më e rëndë për të gjithë ne, varësisht nga mosha varësisht nga vendi ku gjendemi, varësisht nga profesioni që kemi, sigurisht  se  po na  përcjell ndër vite është edhe Mërgimi, por për autorin e librit, kjo plagë është dyfish më e rëndë. E them këtë për arsye se edhe vet poeti gjendet larg  vendlindjes me vite të shumta dhe kjo ndjesi dhembje, ja shton edhe  rrita e fëmijëve  në mërgim e herë- herë me tendencë  që të harrojnë gjuhën e tyre të bukur. Këtë dhembje poeti më së miri e shpreh përmes vargjeve që gjithsesi janë edhe porosi për prindërit, që të kenë kujdes në kultivimi gjuhës shqipe, pavarësisht rrethanave dhe kushteve ku gjenden ata 

 

Lotët e Gjyshit

 

Qëndroi veç një javë

Kish ardhë për një muaj

Me fëmijët s’u mor vesh

Flisnin gjuhë të huaj.

 

Dhe nuk është vetëm kjo poezi  brenda kësaj përmbledhje shohim  dhembje te shumë  poezi të tilla si : Mërgimtarëve,Letër nga Kosova,  Kah është Kosova,Pagëzimi i nipit. Gjysh të kam shoqe.

Poeti Agim Gashi një poet i cili në stilin e tij krijues, me  kompetencë, na sjell edhe fabulat e vargëzuar dhe  jo vetëm fëmijët, por edhe ne të rriturve, na jep këtë dozë humori, por sarkazma tij, duhet edhe të kuptohet edhe për sjellje të njerëzve, më ndryshe. Vargëzimi këtyre fabulave  e vërejmë më së miri te : Pula në internet ,Për një hoxhë,I kallur se i kallur,Ujku në Pazar, janë dëshmi se poeti ka efikasitet artistik edhe përmes këtij zhanri.

Ajo që mund të themi se vepra “ Gjysh të kam shoqe” që në lexim të parë  të bënë për vete,  brenda saj shihet thjeshtësia në të shkruar, pa e ngarkuar me fjalor që për fëmijët mund të jetë me shprehje abstrakte,por se lexuesi në një farë forme  i percepton vargjet e  poetit e këtë e  them se gjatë leximit të saj fëmija do ta gjej veten sikur është:  në shtëpi, shkollë , livadh, treg , pyll , thjesht gjithkund, ku poeti përkushton vargje. Kjo përmbledhje te nxënësi e ofron  edhe në aspektin edukativ, qoftë përmes poezive, apo përmes fabulave të vargëzuara . Figurat që e dominojnë poezinë e Agim Gashit janë kryesisht : Krahasimi, sarkazma, hiperbola, alegoria, antiteza. Ndaj mund të konkludojmë se autori nuk ka shkruar këtë përmbledhje vetëm sa për të plotësuar ambiciet tij e të që qenit poet, por ka gërshetuar mirë artin e tij letrar me përditshmërinë e fëmijëve varësisht nga rrethi që jeton, ai u jep porosi, u jep këshilla, ja kujton të kaluarën dhe të sotmen.

Kjo është penda Agim Gashit e cila u premton lexuesve  të vegjël me të bukurën, ata janë më të bukurit dhe duan ambientin e tillë.