Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vangjush Ziko: Është një orë...

| E merkure, 05.01.2011, 08:33 PM |


ËSHTË NJË ORË...

 

 

KULLON SHI

 

Re të padukshme.

Drurë lakuriq.

Heshtje e mbledhur iriq

në pellgjet e ujshme...

 

Kullojnë shi.

 

Ku të futet nata

s' e di.

 

Ombrellat e dritave

s' e mbrojnë.

Dush rrezesh kullojnë.

 

Veturat e spërkatin

me shatërvan' e rrotave.

E zbojnë.

 

Pas dritares sime

vjen e kotet,

mbështetet.

 

Më spërkat letrat.

Mendimet m' i lag.

 

Kullon shi

çdo fjalë dhe varg.

 

 

PËLLUMBI

 

Një pëllumb më gugiti në xham

Dhe më zgjoi në shpirt fëmininë.

Nuk e di.

Në kish ardhur nga larg.

Apo ardhi të ndajmë mërzinë.

 

Një unazë i lidha në këmbë

Vargun tim që e nxora prej zemre.

Dhe i dhashë atij në pëllëmbë

Dy-tri pika nga mjalti i dhembjes.

 

Ai prapë gugiti dhe iku.

Unë isha,vërtet,në ëndërr.

Përmbi xhamin.që vetëtiti,

më ndriti fytyra e nënës.

 

 

DRITARET

 

Nuk i di kush i shpiku dritaret,

Sigurisht,

ka qenë i verbër.

Ai muret ka çarë i pari

me elmazin e ndritur të zemrës.

 

Dhe ka ngopur shpirtin me dritë.

Qiellin vetë ka bërë sy.

Edhe retë e bardha.

Dhe yjtë.

edhe Zotin ka ulur aty.

 

 

ËSHTË NJË ORË...

 

Është një orë...

 

Kur vjen kjo orë,

aeroporti mban zemrën në dorë.

Aeroporti mban frymën pezull.

Dhe radarët,

kompjuterat ndezur.

 

Prozhektorët qiellin shpojnë.

Përtej reve dhe natës shikojnë.

 

Zemrën dredh oshëtima e pyllit.

psherëtima e heshtur e tajgës,

Kur gëzimi merr formën e yllit,

del si ëndërr nga mjegull e largët.

 

Është ora kur nis poezia.

Kur rruzulli bëhet i rrafshët.

Paralelet shndërrohen në pista

Dhe në fushë,

meridianët.

 

Kur "Pearson" pret kontinentet

t' i ulen përmbi parzmore,

 

Kur unë këndoj për netët

e lumturis' njerëzore.

 

Aeroporti "Pearson"

Dhjetor,2010   Vangjush Ziko