| E marte, 04.01.2011, 08:56 PM |
Elmaze Grainca
Mblidhi fjalët
Shkruaj çfarë të duash për dje...
Thur ëndërra sa të duash për nesër
për të sotmen
po deshte të jesh -hesht!
Nëse gjurmët e së djeshmes nuk t`i shuan
mblidhi fjalët!
Thuaje fjalën për babain
që vdiq para kohe
nga shtypja e kohës
kujtimin e vetëm nga të parët
ia dogjën gjatë masakrës në Lugun e Demës.
Thuaje fjalën për gjyshin e stëgjyshin
Mblidhi fjalët
rrugëve të Evropës e Azisë
se edhe andej kemi varre
varre për të cilat nuk thuhet sot.
Mblidhi fjalët deri te Dardha e kuqe
se eshtrat s`na lënë të qetë
deri sa të thuhet amaneti i tyre
vuajtje do të na sjellin stinët.
Mblidhi fjalët !
në tokën gjithmonë të pushtuar
në çdo pëllëmbë të saj
në kampet fashiste
në varreza masive.
Kur bota blen parcela në Mars
për dje
të paktën mblidhi fjalët
që ndërgjegjiet e fjetura të zgohen
që eshtrat të pushojnë të qetë
e kalimtarët të mund tu bëjnë ndrim varreve.
Për nesër ëndërro sa të duash
ënërro ëndërra të mira
po
mëngjeseve krijo
që dita ta ketë bukurinë e ëndërrës
beso realisht
çdoherë pa e thënë fjalën...!
nëse don të frymosh
për sot-fjala nuk mund të thuhet.
Zgjuar rrinë ata që ngrehin çmendina
kur nuk mund të mihin varre
e ti je i lodhur
je foshnje që ngulfatesh çdo ditë
brezi im.
Tëlutem mblidhi fjalët
që e kaluara të mos përsëritet
që e sotmja të tejkalohet
pa gjak të derdhur
që e nesërmja të ketë themel
themelin e kullave që nuk shemben.
Dua te krijoj
Më thanë të krijoj këngë
e kënga të mos këndohet për legjendat
të mos këndohet për themelet e rrënuara
të mos këndohet për shtigjet e harruara.
Në mur mbaj varur një shpatë
gjetur e kam gjatë lojë fushë
kam kënduar për te fushave si fëmijë
e ku t`ja lë vendin kësaj kënge?
Jam rritur duke bredhur shtigjeve
për t`a gjetur luftëtarin e kësaj shpate
një varr dhe një lule për te
në gjirin e kësaj toke kam kërkuar.
Më thanë të krijoj këngën
po të mos këndohet për krismat
të mos këndohet për zërat e natës
që të flejnë urrejtjet.
Vërtetë dua
të mbjellë dashuri në çdo hap
e fëmijët të rriten pa zhurmë
në gjirin e nënave
në ninulla të buta.
Po ku t`ja bëj vendin kësaj kënge
asaj që flet për zjarret e ndezura
netëve plot trishtim
flet për klithjet gjatë masakrave
flet për demonët që sillen këndej
e s`na lë të qetë.
Dua të krijoj këngë
një këngë të re për të gjithë
me çelës ari
po dikush vjedhur e paska
e shkrirë
e humbur
pjesën e arit tim!
Beso e mos beso
Ndërtoje veten
cdoherë dallo
miqësinë dhe vehten
dashurinë dhe vehten
e beso dhe mos beso!
Ndërtoje veten nga vetja jote
vetëm nga mishi dhe gjaku yt
themeli eshte m i forte
për murin kërko miq
do t`i gjejsh por...
beso e mos beso!
Në breg të diellit arrihet edhe vetëm
nëse në cdo hap është ofshama e qenies sate
nëse në cdo hap është pika e gjakut tënd
dhe gjatë rrugëtimit
ke besuar dhe nuk ke besuar.
Zeniti arrihet
nje cope ashti ne murin e larte
miqte dalloji ne sprova
dashurine ndieje
vuajtjen provoje
dhe beso!
Pengesat se jane te pakalueshme
se jeta asht vetem ferr
se dielli nuk te takon
mos beso!
Gërmoj
Gërmoj hirin e eshtrave të djegura
nëpër shekuj
s`më lanë vetë zërat e fëmijëve
kërkonin që hirin t`ua heq nga fytyrat e njoma
që tokës ti japin fuqinë e jetës.
Gërmoj hirin e eshtrave
nëpër shekuj
vetëm nuk më lanë femrat e dhunuara
këkonin që hirin t`ua heq nga fytyra
që tokës ti kthehet frytshmëria.
Gërmuar kam nëpë shekuj
hirin e eshtrave
të rënët -krijojnë kanale për dalje
Bajlozi me ironi qeshë dhe shembë.
Jam verbuar nga hiri i eshtrave
po drita e syve pres të më kthehet
kam hapur një shteg që çon kah lumi
e eshtrat ta shohin dritën.
Gërmoj ditën e natën
Gërmoj që kujtimet të mos fundosen
Gërmoj që AND-ja të mos ngatërrohet
E jetës t`i jep kuptim.
Vigjëlo
Vigjëlo breg më breg
themeleve të mbetura shkret
kërkoje udhëtarin e vrarë në besë
ai të jep një porosi
ruaje.
Vigjëlo urë më urë
luftëtarin e vrarë -kërko
ai do të jep një këshillë
ti ruaje.
Vigjëlo gëmushë më gëmushë
vashën e përdhunuar-gjeje
ajo do ta shpalosë një sekret
ti-thuaje.
Vigjëlo dhe kurrë mos fle
udhëtar i kohës sime
se dielli dhe yjet u takojnë të gjithëve
vigjëlo që të mos dalësh humbës
të paktën nga vetjaë
Liri o Liri
``O mor pampur o tu kputshin telat..."
Jehona e kësaj kënge buçet
dhembë në mënyrë moderrne
edhe sot ..si dikur.
Burra me plisa e pa plisa
të rinjë e fëmijë
gra të veja e të martuara
sjellin në Sllatinë gjithë botën
e bota i merr ata.
A thua krejt bota u ngërthye në ty
populli im?
A thua ti ngërtheve botën në vete
nuk pushove kurrë
e toka mbeti djerrë
e shtëpia mbeti shkret.
Sllatina të bën të ndjesh peshën e lirisë
po...
qenka plot udhëtarë
qenka plot mallë të pashuar
ndarje që shkatërrojnë.
Sa shumë njerëz ikun
e nëntoka kallet mbrenda vetes
buka piqet në atë prush
për qentë bredhacak.
Aeroplani niset për Tiranë
e unë patjetër të ndjej liri
po Slatina po pëlcet nga klithmat e Blerines
për bukën e gojës
për pak jetë
Li-ri rrokje e mbetur pezull.
Kënga vazhdon me ritëm moderrn
e kur do ta humb kuptimin nuk e di
Sllatina sjell liri
Sllatina sjell lotë
Liri ooo Liri
Iluzionist
Duartrokitje frenetike
zhurmë për asgjë
kohë e djerrë kot
ti në skenë luan lojën me shkathtësi.
Kur koha ndalet
ti shpalos ngjarje pakuptim në skenë
që hapsira të mbushet lojë
po jo për fëmijë..
Sot koha po ikë
e papërfillshme për ne
ti-mos mi ndalo spektatorët
rreth skenës ka amulli.
Iluzionist
sot mos ma ndalo diellin
le t`i ngrohë të zbathurit në trotoar
le t`i ngrohë të uriturit në vatër
le t`i ngrohë foshnjet e braktisura.
Imazhin e qytetit tim dua ta ndryshoj
turma që vrapon pas teje
shtegun e paska mbyllur
shikimin e ka ngujuar tek ti.
TI hedhë balona në ajr
vërtetë bukuri e ylberit u krijua
po shiu që ra mbi qytet
paska bër qull foshnjen në trotuar.
Hej iluzionist
ky shekull s`ka kohë për lojë
zbrit nga skena
se turma po vdes.
Kameleon
Me fshehtësinë e satanes
ngjyrat që i dua
i paske vjedhur
kameleon.
Pallate ndertuar paske
çudi si shkëlqimi i tyre nuk të vret
në kohë pa kohë
në lartësinë e tyre ti shkëlqen.
Madhërishëm qeshë
e ngritesh lartë e më lartë
kameleon
mret i kohëve .
Në theqafje shko
të gjitha ngjyrat mund t`i merrni
po ngjyra e gjakut tim nuk ipet
ajo e ka çmimin më të shtrenjtë
nëpër kohë...!
Unë
Zog i pranverës në diellin e brishtë
manushaqe fushave në gjelbërim
lum qe etjen e atdheut e shuan
hapëroj,fluturoj.
Nga bjeshka e Sharrit në
e maleve manushaqe shartoj
lumin me lum e shoqëroj
me këngë ura ndërtoj.
E vi tek ju në netet pagjumë
në grushta mbaj mallin për atdheun
në zemër mbaj dashurinë
e abetaren me abc-enë për ju.
unë
fluturoj në qiellin e kaltër
kthehem
vi dhe kthehem përsëri
kur ëndërrat ju prish gogoli.
Unë nga Washingtoni në Gjenevë
ëndërra të bukura kam mbledhë
bashkuar i kam në Milusë
pa i parë askush.
Një ditë kur të bëhet dritë
kur ju të jeni rritë
gjurmoni e lexoni
ëndërrat i realizoni.
Nga lindja në përëndim
nga jugu në veri
mbi mallin për ju
kam mjellë veq dashuri.
Ju kur të rriteni
dashurinë e shartoni
atdheun mos e harroni
ktheni dhe e ndërtoni.
Unë det i trazuar
vrapoj pa pushuar
në jetën që më ka mbetë
për ju të krijoj jetë.