Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Demir Krasniqi: Odë shqiptare, apo lamë magjupi?!

| E hene, 03.01.2011, 08:59 PM |


Përkitazi me programin festiv të RTK-së:

 

ODË SHQIPTARE, APO LAMË MAGJUPI ?!

 

Nga Demir KRASNIQI

 

            Telespektatorët shqiptarë që patën rastin ta përcjellin dhe ta shohin programin festiv të Vitit të Ri 2011, të përgatitur nga stafi i “ekspertëve profesionist” të mediumit publik shtetëror të quajtur Radio Televizioni i Kosovës, ndër të tjera, patën rastin që ta shohin dhe ta ndjekin një spektakël të paparë deri më sot në historinë e  skenave të muzikës tradicionale shqiptare , spektakël ky që ndoshta meriton që të hyjë edhe në “Librin e Ginisit”?!

            Në të vërtetë , këtu është fjala për programin e mbrëmjes së –III-të festive, në kuadër të së cilës u transmetua një program i muzikës folklorike i emërtuar: “RRËNJËT TONA” dhe i moderuar nga këngëtarja Shkurte Fejza .

            Organizatori i spektaklit të kësaj mbrëmje , kishte bërë një përzgjedhje skenike të cilën deri më sot kurrë nuk e kemi parë, as dëgjuar në traditën e muzikës sonë burimore folklorike !

Për xhirimin dhe realizimin e këtij spektakli, organizatori kishte zgjedhur  një ambient për të skenuar një odë tradicionale shqiptare , e cila nuk dihej se a ishte në funksion të odës shqiptare, apo të një lame magjupësh ?!

            Në atë “Odë”, patëm rastin që të shohim suvenire të lloj-llojshme , të cilat kurrë në historinë e popullit shqiptar nuk janë parë nëpër odat tona?!

            Në atë “Odë”, përveç qilimave tradicional, janave dhe sixhadeve , mbi të cilat këndonin dhe kërcenin rapsodë e valltarë popullor, patëm rastin që t’i shohim këto suvenire dekorative :

-Mu në mes të odës, përmbi qilima, jana e sixhade , patëm rastin që ta shohim të shtruar një sofër tradicionale, ku krahas saj qëndronte një qerre e drunjtë e ngarkuar me duaj kashte?!

Në ambientet e brendshme të asaj “Ode”, ishin ekspozuar disa rrota të vjetra të qerreve!

Në secilin qosh të “Odës” , kishin ekspozuar  duaj të tallës, madje edhe dy kuaj të ngrirë?!

Tamam, ekspozohej një ambient i stallave të lopëve dhe kuajve, por kësaj skene i mungonte vetëm grazhdi ?!

Në një skenë të këtillë, ku rapsodët e përzgjedhur për këtë spektakël, këndonin njëri pas tjetrit , nuk dihej se me çka do të gostiteshin ata , në atë sofër të thatë: me kashtë, apo me tallë?!

Ajo që ishte edhe më e çuditshme në këtë skenë, ishte paraqitja e rapsodit popullor  Tahir Drenica, të cilin në moshën 90 vjeçare e kishin detyruar që të hipë përmbi qerre të ngarkuar me kashtë mu në mes të odës dhe të këndojë në duet me modeluesen e këtij spektakli – Shkurte Fejzën?!

Përveç suvenireve të çuditshme të kësaj skene, ajo që telespektatorin e nevrikosë në vazhdimësi në spektaklet e këtilla, ku mëtohet që të paraqiten vlerat e mirëfillta të folklorit tonë burimor, pa dyshim se është kostumografia e larmishme dhe e keqpërdorur deri në pakuptimësi !

Në skenat e këtilla, na prezantohen interpretues të këngës dhe valles burimore folklorike me laramani kostumesh të ndryshme , shumica prej të cilave nuk kanë asgjë të përbashkët me kostumografinë tradicionale kombëtare !

Kjo dukuri e shëmtuar mund të vërehet si tek meshkujt, ashtu edhe tek femrat . Por, ajo që irriton më së shumti , është dukuria e prezantimit të disa rapsodëve dhe instrumentistëve burimor në skenë, të cilët i veshin kostumet kombëtare, por që kanë alergji permanente ndaj plisit të bardhë, që është simboli kryesor i veshjes kombëtare dhe atë nuk e vejnë kurrë mbi krye?!

Ndër shumë sish, që kanë alergji ndaj plisit të bardhë në skenat tona muzikore, pa dyshim, prijnë: Mahmut Ferati, Rifat Berisha, Fatmir Makolli, Bahri Rashiti e shumë të tjerë!

Në orkestrimet “moderne” të këngëve të vjetra tradicionale folklorike, sot mund të dëgjosh shumëçka nga instrumentet muzikore , të cilat kurrën e kurrës nuk kanë qenë pjesë e traditës përcjellëse të këngëve tona burimore, sidomos të atyre që kanë burime rurale .

Në këto formacione orkestrale të cilat fshihen prapa tingujve të çiftelisë, apo të fyellit , mund të dëgjohen edhe: surlja , tupani, darabuku , kitara akustike, bas kitara, sintisajzera  dhe shumë instrumente tjera të fabrikuara ?!

Në spektaklet e këtilla muzikore , kur është fjala për një medium publik shtetëror i cili do të duhej që t’i ruante vlerat e mirëfillta të traditës kombëtare, do të duhej patjetër që të angazhoheshin skenograf, koreograf, etnograf, etnomuzikolog dhe regjisorë profesionist , e jo të gjitha këto të mbeten në duart dhe mëshirën e ndonjë amatori të thjeshtë muzikor ?!

Ajo që vërehet shumë lehtë dhe në vazhdimësi në programet muzikore dhe spektaklet e këtij lloji , në mediumin publik të quajtur RTK, pa dyshim se janë të dukshme klanet, familjarizuat, interesat personale fitimprurëse, krahinizmat dhe përcaktimet partiake !

Kështu që , lirisht mund të thuhet se derisa Kosovën e qeverisin drenicasit , edhe RTK-së, e qeverisin po ashtu drenicasit me në krye Ilir Shaqirin, i cili është “ekspert” i veterinarisë !

Se është vërtetë kështu, më së miri  dëshmon fakti se në spektaklet e programeve festive për Vitin e Ri 2011, nuk u pa të ketë marrë pjesë asnjë solist, rapsod, instrumentist, grup, apo ansambël muzikor nga regjioni i Anamoravës dhe i Luginës së Preshevës?!

Në anën tjetër, Kryeredaktori përgjegjës i programeve kulturore në RTK-së, Ilir Shaqiri dhe modeluesja e këtij spektakli, Shkurte Fejza, si dy protagonist të identifikuar në opinion si dy  interpreto më të autorizuar të këngës patriotike, kësaj radhe si duket ua palosen  veshët strukturat relevante ndërkombëtare dhe shumë shpejt i harruan këngët e tyre patriotike, i harruan këngët për dëshmorët dhe heronjtë e kombit dhe nuk lejuan që të këndohet asnjë këngë e vetme e këtyre zhanreve, në spektaklet të cilat ata i organizuan dhe i  dizajnuan  për publikun e gjerë shqiptar?!

 

Gjilan, më 03.01.2011.