| E diele, 02.01.2011, 05:07 PM |
Nga Zef Gurakuqi
Më 22 dhjetor të këtij viti u mbushën plot 125 vjet nga lindja e një prej klerikëve të shquar të kishës katolike në Shqipëri, Dom Gasper Gurakuqit. Ai i kushtoi gjithë jetën e tij, deri sa vdiq më 1967, detyrës së shenjtë të priftit famullitar në dioqezën e Sapës, qe një nga studiuesit e palodhur të historisë në përgjithësi, e të besimit të krishterë në veçanti, një mbledhës i pasionuar i folklorit të trevave ku shërbeu si meshtar, grumbullues i toponomastikës të dhjetëra fshatrave, zbulues këmbëngulës i gjenealogjisë së trungut familjar të dhjetëra fiseve të vjetra e të përmendura fshatare e qytetare, hulumtues i shumë emrave për të ndriçuar etimologjinë e tyre, bëri studime në fushën e gjuhësisë, përktheu krijime të autorëve të shquar nga letërsia botërore.
Kam pasur fatin e mirë ta takoj personalisht këtë burrë të shquar, në ceremoninë e organizuar me rastin e sjelljes së eshtrave nga Italia të patriotit të madh Luigj Gurakuqi. Ai dhe im atë, si kushërinj të Heroit, prisnin homazhet në një nga sallat e Komitetit Ekzekutiv të atëhershëm të Shkodrës. Kisha shkuar edhe unë si gazetar të bëja një reportazh për këtë ngjarje që u prit me shumë emocion nga populli i Shkodrës dhe mbarë populli ynë. Aty, babai më njohu me këtë burrë të urtë, trupvogël, me një vështrim të ëmbël, plot dashuri. Më nga afër e njohu Dom Gasprin vëllai im, shkrimtari, studiuesi e pedagogu Mark Gurakuqi. Në kohën kur ai mblidhte dokumente e dëshmi gojore për librin e tij “Luigj Gurakuqi - Vepra të zgjedhura”, shkoi ta takojë Dom Gasprin në qelën ku shërbente në Dajç të Zadrimës. Kur botoi këtë libër, citoi dëshmitë gojore të tij, madje botoi edhe një fragment letre që ky i dërgonte kushëririt të tij, babait tonë, Kolë Gurakuqit. Nga Marku pata mësuar atëherë se Dom Gaspri bënte kërkime edhe për gjenealogjinë e trungut tonë familjar, një skemë të të cilit, të vizatuar në një fletë edhe ia dhuroi. Pas vdekjes së Markut, midis dorëshkrimeve që grumbulluam për t’i ruajtur, nuk e gjetëm më atë. Kuptohet, në rrëmujën e hutimin që shkakton vdekja, diçka edhe humbet. Dhe do të ishte një gëzim i madh për mua kur studiuesi i pasionuar Kolec Çefa, duke gërmuar nëpër arkiva të klerikëve të shquar, gjeti jo vetëm këtë skemë, por një studim të plotë prej rreth 160 faqesh të daktilografuara, që Dom Gaspri e konsideronte veprën e tij të fundit përmbledhëse duke e titulluar: “Nëpër Zadrimë, Pukë e Mirditë”1. Aty, në kapitullin “Gjithfarësh”, flet edhe për biografinë e vet si edhe për “Gurakuqët e Shkodrës”, ku në një faqe të veçantë jepet edhe skema gjenealogjike e humbur prej nesh.
I mrekulluar nga ky zbulim arkivor i shokut tim e hodha në kompjuter gjithë këtë vepër shumëplanshe, me shpresë se një ditë, ndonjë institucion fetar apo shkencor do të bëjë të mundur nxjerrjen në dritë si libër për t’u lexuar nga të gjithë.
Duke iu referuar kësaj vepre të panjohur, po ndalem në disa vlera të çmuara që ka.
Megjithëse e thotë edhe vetë se nuk është qëllimi i tij që në këtë vepër të flasë për veten, përsëri ai e ndjenë për detyrë t’u thotë lexuesve diçka edhe kush është D. Gaspri. Po citoj: “Lé e pagzue me 22 dhetor 1885. Baba, Zef Pashko Hilë Gurakuqi; nana Leze e Palokës Ndoc Palit; të dy prej Shkodre. Hî në kolegjen Saverjane në Shkoder në tetor 1891.”
Më tej ai tregon për përkushtimin e tij ndaj Zotit e kishës katolike. Në fillim flet për dëshirën e madhe për t’u bërë xhakue e mandej prift, dëshirë që në fillim i kundërshtohet nga prindërit, sidomos nga e ëma, por që përmbushet falë këmbënguljes së tij dhe mirëkuptimit, që më në fund, gjeti te njerëzit e tij më të dashur. Dhe, pasi kalon me radhë të gjitha shkallët e para të arsimimit fetar në Shkodër, shkon të bëjë studimet e larta teologjike në Universitet të Insbrukut nga viti 1909 deri më 1911. Shugurohet meshtar në Shkodër prej Arqipeshkvit Emz. Serreqit në dhjetor të vitit 1911. Thotë meshën e parë në Kongregacionin e Zojës Nuncjatë në kishën e jezuitëve në Shkodër me 24.IX.1911. Dhe që nga ky çast i shënuar në jetën e tij, fillon jetën e thjeshtë dhe të devotshme të famullitarit në fshatrat e Shkodrës, në fillim në Nënshat, për të vazhduar në Blinisht, Gramsh. Në vitin 1928 bëhet famullitar Dekan në Dajç të Zadrimës, Delegat ipeshkvnuer, Konsultor i administrimit dioqezan, për të arritur deri në titullin e nderuar të Monsinjorit.
Dom Gaspri, si shumë paraardhës dhe bashkëkohës të tij, veç detyrës së shenjtë të famullitarit i kushtoi një vend të veçantë aktivitetit krijues intelektual. Ai u bë një bashkëpunëtor aktiv i të gjitha revistave që dilnin në Shkodër, si “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Zani i Shna Ndout”, “Kumbona e së dielles”, “Lajmtari”, “Cirka”. Duke shfletuar Bibliografitë e Willy Kamsit, dhe një dorëshkrim të vetë Dom Gasprit, në të cilin ka shënuar botimet e tij, numërojmë rreth 143 artikuj, që mund të jenë edhe më shumë, po të bënim një kërkim shterues. Aty gjejmë të flitet për mrekulli, ngjarje e festa të shënuara të fesë së krishterë, për fshatra e historinë e tyre, për personalitete të mëdha si Leka i Madh, Ciceroni, Moxart etj. Bën studime për Mahmut, Brahim e Mustafa Pashën, përkthen poezi të De Lamartine, boton përralla, këngë popullore.
Dom Gaspri bën gjithashtu, një jetë famullitari të mbushur me kujtime plot dashuri për njerëzit e thjeshtë që e rrethonin, të cilëve u shërbente natë e ditë në nevoja, në sëmundje, në gëzime e hidhërime. Por do të vijnë për të, pas 1945-ës, edhe çaste të vështira të persekutimit nga diktatura. “Me shkresë zyrtare të Policisë së Dajçit, - shkruan ai - kjeshë urdhnue, që brenda 24 orëve të lirojsha qelën e Dajçit, ku rrijsha, se e lypshin per zyret qeveritare. Më kjene çue qerret per bajtjen e teshave, e kështu do të shkojsha në shtëpinë afer shtëpisë së Luk Zekë Gazullit, dy oda pá tavan, pá xhama. Prandaj naten e motmotit të Ri, 31.XII.1947 u bajta, mbasi thame Ejlli i Tenzot2 tue rá kumbonët e mbrames, e mbasi putha tri herë deren e ndryme të Qelës. Bijte nji shi i fortë, që m’i bâni quell teshat3.”
Më vonë e largojnë edhe nga kjo banesë, mbasi aty do të strehohej një polic, për të shkuar në një banesë tjetër edhe më të rrënueme. Por Dom Gaspri nuk e la për asnjë çast misionin e tij, të cilit i kishte kushtuar jetën. E në këto kushte do të gjendeshin njerëz të thjeshtë që do ta strehonin mes varfërisë së tyre, në kushte disi më të mira, por sidomos do ta rrethonin me dashuri. E ai do të shprehet për ta: “Shërbimin ma bân Marku Shtjef Palajt, dhe e gjithë familja e tij (kjoshin bekue!). Më mbâjnë të gjithë, si Marku, ashtu edhe e shoqja dhe fëmijt e tij, posi babë të vetin.”
Duke u ndarë nga jeta në vitin 1967 ai nuk e njohu valën më të egër të persekutimit të klerit që erdhi më vonë.
Po t’i hedhim një vështrim punimit të tij të mbetur në dorëshkrim dhe i pabotuar, kuptojmë se ky njeri i përkushtuar pas njerëzve dhe besimit të krishterë, vazhdon deri në moshën e tij të vonë të jetë i palodhur në fushën e aktivitetit krijues. Ai mbeti një hulumtues i palodhur në disa drejtime. Po flasim më poshtë për disa nga këto studime.
Në fushën e historisë
Një nga veprat e tij të botuara, përveç shumë artikujve të shkruar në revistat e kohës, është edhe libri “Dioçezi i Sapës”. Por mesa duket puna e bërë në këtë libër e në shumë artikuj, nuk ka qenë për të shteruese. Në këtë dorëshkrim shohim një punëtor të palodhur në kërkim të fakteve të tjera historike duke vazhduar të gërmojë në arkiva e libra të vjetër. Ai u referohet shkrimeve të klerikëve të përmendur si Frang Bardhi (1641), Marin Bizzi (1610), Shtjefen Gaspari (1671), Koronelli P. V. (1688), Daniel Farlati (1690), Carolus Pooten (1867), etj. Kërkon e gjen të dhëna historike nga “Libreci i Vjeter” (1785), “Miscellànea Vescovile di Sappa” (1832), nga botimet e Evlia Çelebi-ut (1662) etj. Dhe prej tyre zbulon fakte që pasqyrojnë historinë e krishterimit në Shqipëri duke përcaktuar madje se ipeshkvi i parë në Durrës daton me vitin 57 pas Krishtit, saktëson se p.sh. familja bujare Jonima del në dokumente që në vitin 1242. Ai përpilon lista të gjata të famullitarëve në kisha të katundeve të ndryshme të Zadrimës, të Pukës e të Mirditës e, në gjurmë të dokumenteve, kërkon e gjen rrënojat e shumë kishave duke përcaktuar kohën e aktivitetit të tyre e mandej shkaqet e rrënimit.
Është padyshim një punë që të mahnit për vullnetin e këtij studiuesi, i cili, i futur në arkiva, pa u lodhur, jep shifra, citon fraza të shkrimeve të lashta, latinisht, italisht dhe shqip, të cilat na ndriçojnë një pasuri të pafund historike në trevat shqiptare.
Në fushën e gjenealogjisë, të etimologjisë e të toponomastikës
Qindra fise të vjetra shqiptare të fshatrave të trevës ku hulumton janë paraqitur në këtë studim. I zbulon ato në dokumentet e kishave, nga librat e pagëzimeve, të martesave, të vdekjeve, duke cituar fraza të shumta që të habisin me hollësitë që japin. Një burim tjetër i zbulimit të këtyre fiseve janë gojëdhënat e njerëzve të gjallë, kujtesa e të cilëve na sjell kohën e ngulimeve të këtyre familjeve, kush erdh i pari, kur u ndanë në barqe e në shtëpi më vete. Po përmendim disa nga këto fise sipas rendit alfabetik, si: Berisha, Bugjoni, Bushati, Curaj, Çobaj, Dodmasei, Geraj, Gurakuqi, Gjeçi, Kabashi, Lacaj, Laskaj, Lumshi, Kolë-Lekaj, Mardodaj, Marikaj, Mazreku, Njini, Paci, Palaj, Raskaj, Skuraj, Shahinaj, Shllaku, Temali, Thaçi, Zojzi, etj. etj. Disa nga këto familje i gjejmë edhe në qytetin e Shkodrës, dhe Dom Gaspri herë-herë thotë se kur erdhën ato e në cilat lagje e rrugë i ndërtuan shtëpitë.
I palodhur kërkon prejardhjen e emrave të fshatrave, të fiseve dhe kureshtja e hulumtuesit shpesh e çon larg, deri në kolonët romakë, të ardhurit nga Venediku, pushtimi turk i cili jo vetëm islamizoi shumë familje, por turqizoi edhe shumë emra njerëzish e trevash. Për të parë këmbënguljen e tij në zbulimin e prejardhjes së këtyre emrave po ndalem në një rast tepër interesant: Dyshon se mbiemri Paci mund të ketë prejardhjen nga ndonjë fiorentinas që mund të ketë banuar dikur në këto treva veriore. Dhe i shkruan një familjeje në Firence me këtë mbiemër: Alfonso Pazzi. Nga përgjigjja, që i vjen pak me vonesë, mëson se kjo familje ndodhej në një adresë tjetër, jo në Itali, por në Indi. Me këmbënguljen që e karakterizon i drejtohet asaj edhe në këtë adresë të re. Dhe fundi? “Mbâj në mend, - shkruan Dom Gaspri, - veç këtê (mbasi dokumenti më ka hupë), se më shkruente, se mbas kongjuret, nji nder familjarë të Pazzi-t hîni n’ushtri të Venedikut e erdh në Shqipní kundra Turkut”. I pakënaqur, e mbasi bën edhe disa përpjekje, përfundon: “Deri këtu imtim i emi4 mbi fisin e Pacaj.”
Në shumicën e rasteve kur flet për famullitë, fshatrat e fiset e tyre nuk harron të shënojë edhe një listë të gjatë toponimesh, duke përcaktuar me kujdes vendndodhjen e tyre, e nganjëherë edhe si mund të jetë krijuar ai toponim. E bën kurioz emri Koman dhe shkruan: “Kah do të rrjedhin ky emen Koman?” - E më tej vazhdon: - “Nuk e besoj ta ketë bâ deri më sot ndokush këte pyetje, sikurse sa tjera, të cilave âsht e pamundun t’i epet ndonji pergjegje si duhet, veçse hajamendas. Por kah shof se n’Azi të Vogel kanë kênë tre Komana (Komanon), nji në Pontus, nji në Kapadoçje e nji në Pisidje, e kah shof se në Lidje ka kênë nji Sardeis, e nder né Sarda e jonë, qytet shumë i hershem, mendoj a thue do të kênë pasë në kohëna shumë e shumë të herëshme ndonji varuni5 këta qytete njeni prej tjetrit?”
Thotë me bindje e argumenton se Hajmel vjen nga Aimelli, Mnella nga Fontanella etj. Ndonjëherë e jep me dyshim prejardhjen e ndonjë emri, p.sh.: “BUSHAT ndo âsht emen turçe, e duhet dijtë turqishtja per me ia gjasue; por mue nuk më ngjason se âsht turçe. Ndo âsht emen i perbâmë prej dy emnash shqip: Buqë-a e shat. Kështu kemi edhe emna tjerë të perbamë, per shembull Bu-Gjon = Buqë Gjon; Buzhalë, etj.
Mes ngjarjeve të jetës së njerëzve
Një meshtar si Dom Gaspri, që e kaloi gjithë jetën e tij mes njerëzve të thjeshtë, është padyshim edhe një dëshmitar apo dëgjues i shumë ngjarjeve jetësore, të cilat ai edhe i shkruan në punimin e tij.
E tillë është p. sh. kjo ndodhi: Ishte bërë zakon që në një ditë të javës, fill pas festës së Pashkëve, të thirreshin krerët e fshatit në një drekë te famullitari. Në shumë famulli të Zadrimës ky detyrim ishte shmangë si i tepërt, por në Dajç, ku emërohet Dom Gaspri, detyrimi vazhdonte si më parë. Kur ky nuk i thirri krerët në festën e parë të Pashkëve, ata thanë se këtë herë po ia falin, veç vitin tjetër duhej ta shtronte sofrën. Por qëlloi që edhe vitin tjetër, duke qenë i thirrur nga ipeshkvi në një punë, përsëri sofra mbeti pa u shtruar. Dom Gaspri e kuptonte se kjo ishte një kërkesë e tepërt, madje e gabuar, mbasi njerëzit deheshin dhe në dehje edhe grindeshin. U krijua një pakënaqësi, krerët edhe kërcënuan, por me kohë gjithçka shkoi në vendin e vet e zakoni i mbrapshtë nuk u përsërit kurrë më.
E bukur dhe emocionuese është përpjekja e Dom Gasprit për të ngritur shkollën në Dajç. Edhe paraardhësit e tij e kishin bërë, në mënyrë të pavarur, këtë gjë. Ai vazhdonte traditën e të parëve të vet. Bënte gjithçka që fëmijët të mësonin shkrim e këndim. Me paret e tij u blinte libra, fletore, u jepte edhe dhurata për t’i joshur. Disa edhe përparuan e mësuan të shkruajnë e të këndojnë. Por erdhi një kohë që fëmijët nuk po vinin më e Dom Gaspri i dëshpëruar thotë: “Shkaku i mosardhjes nuk ishte tjeter veçse ‘s’ka kush na i ruen bagtinë’, kështu thoshin prindët. Ishte edhe mentaliteti ... i tyne per kah ana e shkollës. Katundari, gjithkund në botë e ka ketë mentalitet, e nuk i hiqet, po s’kje posë fuqisë morale, edhe fuqia materjale, e cila jo veç e ndikon, por edhe e djeg, si p.sh. gjoba. E ketë mund e bâjë vetem qeveria. Flasim per katund.”
Me plot të papritura është edhe kjo ndodhi. Në famullinë e Nënshatit shërbente Dom Mhilli një prift shumë i pashëm e azgan. Mydyrri6 i Dajçit ia kishte bërë benë që ta turpëronte duke i sajuar një sherr. Për këtë futi në ngasje një grua të përdalë të fshatit. Kur Dom Mhillit i kishin ardhur disa miq nga Shkodra dhe ata po flladiteshin buzë një kroni, gruaja u rrëmben atyre jelekët e me to në dorë i shpralloi në fshat duke thënë se shokët e Dom Mhillit kishin dashtë me e përdhunue. Atëherë Mydyrri hapë fjalën se prifti sjell në fshat njerëz të këqinj. E për ta çuar deri në fund intrigën, kërkon prej një xhandari të tij që ta rrahë priftin. Ky i del në prit dhe ndeshet me të. Por prifti i fuqishëm e vë përfund xhandarin dhe e lë përdhe. Atëherë Dom Mhilli shkon menjëherë te ipeshkvi, - Shkruen Dom Gaspri, - dhe i thotë: “Zotni kam bâ sot nji faj të madh, jam bâ me më hjekë Meshen, kam rrahë Kasem Kotorrin.” E Ipeshkvi: “Ti kenëke bâ me të dhanë dy Meshë në ditë, me pasë se si.” Por puna kje, se Ipeshkvit iu desht m’e largue Dom Mhillin prej Zadrimet, e e çoi famullitár në Vig” - përfundon tregimin Dom Gaspri.
* * *
Ishte kjo një paraqitje e shkurtër e vlerave të këtij dorëshkrimi. Kur do të botohet dhe nga kush? Do të ishte për cilin do institucion shkencorë apo fetar një nder e obligim të nxirrte në dritë diçka që mbeti e ndrymë për gati gjysmë shekulli.
(Footnotes)
1 Ruhet në AQSH, F.F.I. D. 63
2 u bajta mbasi thame Ejlli i Tenzot = u bartëm mbasi bëmë lutjen…
3 teshat = rrobat
4 emtimi em = kërkimi, hetimi im.
5 varuni = varësi
6 Mudurri = (turq.) funksionar zyrtar që administronte Dajçin.